Mendim

Lumi i fundit është i yni

Nga Redi Saliasi - Për plot pesë ditë pata fatin e mirë të shoqëroja e të përktheja për një gazetar gjerman dhe një fotograf austriak, të cilët mbërritën në Tiranë në datën 22 qershor me misionin për të bërë një shkrim për Lumin Vjosa dhe për planet e ndërtimit të dy hidrocentraleve në Kalivaç dhe Poçem. Nëse do t’i kemi punët mirë me pandeminë, artikulli do të botohet në revistën austriake “Terra Mater” pas dy ose tre muajsh.

Qasja e ndjekur nga kjo revistë dhe e përcaktuar gjatë fazës kur i gjithë ekipi i saj në Vjenë diskutonte se si do të organizohej udhëtimi, ishte shumë origjinale dhe interesante. Përgjatë këtyre pesë ditëve, ndoqëm çdo metër të Lumit Vjosa nga momenti kur ai hyn në Shqipëri (në Pikën e Kalimit Kufitar Tre Urat në afërsi të Çarshovës) e deri në grykëderdhjen e tij në Adriatik në plazhin e Semanit.

Gjatë këtyre ditëve, jo vetëm që ndoqëm lumin dhe adhuruam bukuritë përrallore të tij, por gjithashtu ndaluam të bisedonim me banorë fshatrash e qytetesh, me përfaqësues biznesesh e bashkish, emëruesi i përbashkët i të cilëve ishte një dhe vetëm një: Vjosa. Më herët kisha pasur mundësinë të kaloja përmes kësaj rruge që shtrihet nga Korça deri në Tepelenë. Kisha pasur gjithashtu mundësinë të udhëtoja buzë lumit e të admiroja peizazhet mbresëlënëse dhe natyrën e egër e të bukur që e rrethon atë. Mbresë në mendjen time kishte lënë lugina e madhe dhe e gjerë, malet e larta mistike dhe shpatet e thepisura mbi fshatrat Kanikolë e Draçovë. Të paharrueshme janë në mendjen time retë e mëdha e të errëta që qëndronin mbi mal atë ditë, pëlhura e mjegullës që mbulonte shpatet e ulëta të tij dhe rrezet e diellit që bukur depërtonin e lëshoheshin mbi luginë.

Por, asnjëherë më parë nuk kisha pasur rastin, apo mundësinë të qëndroja në qytetet përgjatë këtij lumi, si në Përmet, apo Tepelenë. Nuk kisha pasur mundësinë, apo edhe mendësinë të ndaloja, të bisedoja e të kundroja atë veçanti që shumë të huaj e përmendin dhe ma përmendin kur flasin për vendin tonë: mikpritjen. Mikpritja dhe dashamirësia është gjithçka që karakterizon banorët e këtij lumi.

Gjatë këtij udhëtimi, mikpritjen dhe dashamirësinë më të madhe e gjeta pikërisht te ata, te njerëzit më të thjeshtë të këtij vendi që punojnë tokën për të jetuar. Kudo ku shkuam, dyert e shtëpive të tyre, gota e rakisë dhe miqësia ishin aty për ne. Për të arritur te ‘ta, udhëtuam herë me makinë, herë me kajak e herë në këmbë, por sa më i vështirë të ishte rrugëtimi, aq më e madhe e më e pastër ishte mikpritja e tyre.

Si djalë qyteti, i mësuar me rehatinë dhe komoditetin që ky i fundit të ofron, shpeshherë harroj që dikush, diku larg, në një fushë ka punuar dhe punon që unë e shumë të tjerë si unë të mund të ushqehen. Duke i marrë gjërat të mirëqena e të “merituara”, harroj se domatja në tryezën time është mbjellë, prashitur e vaditur me një thesar të natyrës që i ka dhënë asaj jetë dhe shije, ujin e lumit.

Redi Saliasi

Pritshmëritë për të gjetur në market të gjitha perimet e frutat që na duhen, janë tipar i kurdohershëm e i zakonshëm i jetës sonë në qytet. Nuk është se më parë nuk kisha dëgjuar për planet e ndërtimit të hidrocentraleve në këtë lum. Kisha dëgjuar në fakt edhe zëra të mbytur nga zhurma e zallamahia e [krye]qytetit për organizim protestash të ndryshme nga ata të cilëve lumi u rrjedh ndër vena. Madje, ndjenjat e turpit dhe të çlirimit qenë të mëdha në momentin kur kuptova se hidrocentrali i Kalivaçit në fakt nuk ishte ndërtuar. Gjithçka ka mbetur nga përpjekjet për ta ndërtuar këtë hidrocentral janë gërmadha e rrënoja, makineri ndërtimi të ndryshkura e të përpira nga zemërimi i lumit, por mbi të gjitha, ajo që të vret syrin janë shpatet e gërryera e të shkatërruara të atyre që dikur ishin shkëmbinj të egër e të paprekur.

Ajo çfarë ka mbetur pas është gjithashtu komuniteti i Kalivaçit, histori njerëzore e të dhimbshme, njerëz që duan dhe kanë nevojë të menjëhershme për një perspektivë ekonomike të paktën të përafërt me atë të banorëve të zonave të Tepelenës e Përmetit, ku natyra ka qenë shumë më bujare. Në Kalivaçin e gërmadhave dëgjon histori rrëqethëse e probleme nga më të ndryshmet, të cilat i detyrojnë banorët e këtij vendi të duan të sakrifikojnë natyrën e bukur për ndonjë mundësi punësimi dy-tre vjeçare në ndërtimin e hidrocentralit.

Është pikërisht në këtë fshat që mbërrin në thelbin e të gjithë këtij diskutimi dhe shtron pyetjen rreth së cilës vërtitet një pjesë e mirë e atyre që janë kundër dhe pro ndërtimit të këtyre veprave; a do të përfitojmë më shumë nëse ndërtojmë një, dy apo tre hidrocentrale mbi këtë lum, apo nëse investojmë për të zhvilluar turizmin dhe për të siguruar të ardhura të qëndrueshme e të vazhdueshme për të gjithë banorët e Vjosës dhe për të gjithë vendin?

Kësaj pyetjeje iu përgjigj kryetari i Bashkisë së Tepelenës, në momentin kur gazetari gjermani me të drejtë e pyeti: “Çfarë do t’u thoshit europianëve që ju kërkojnë ta mbroni këtë lum? A do t’u thoshit se pasi shkatërruan oborrin e shtëpisë së tyre, tanimë po ju luten që të mbroni tuajin?”. Përgjigja e tij ishte se nuk ka asgjë të gabuar nëse të gjithë bashkë rregullojmë “oborrin” e Vjosës.

E në fakt, papritmas e si rrallëherë, jemi bërë të veçantë për veten tonë dhe për të gjithë Europën, sepse lumi i fundit i virgjër në të gjithë kontinentin, që buron në malet e Pindit në Greqi dhe derdhet njëlloj i kristaltë në Adriatik, pa u penguar nga dora e njeriut, është lumi ynë, është Vjosa.

Gjatë këtij udhëtimi, pas një lundrimi të vërtetë e të pasur në histori, pas vizitave të shumta në kanione të panumërta, pas vizitave në kisha të bukura shekullore, pas aktiviteteve sportive mbi lum dhe pasi u dashurova me Vjosën dhe banorët e saj, krijova bindjen se potenciali turistik i saj është i pafundmë dhe se përfitimet prej tij tejkalojnë përfitimet e kufizuara e të përqendruara që mund të vijnë nga ndërtimi dhe dhënia me koncesion e hidrocentraleve mbi këtë lum. Pas këtij udhëtimi, u ktheva në Tiranë i ndërgjegjësuar e shpresëplotë për vendosmërinë e banorëve të lumit për të mbrojtur Vjosën, burimin e jetës së tyre dhe tonën bashkë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë