Mendim

Kundër-Protesta e Unazës së Re

Protesta e banorëve të zonës së Astirit, banesat e bizneset e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe protestojnë prej ditësh për të kërkuar që në skemën e dëmshpërblimit nga ana e Qeverisë të futen edhe ndërtesat që janë pa leje, por në proces legalizimi.

Protesta, përjashto ditët kur dolën para Bashkisë së Tiranës, vijon me të njëjtin skenar: atë të bllokimit të rrugës në zonën e “Astirit” dhe ripërsëritjes së kërkesës së tyre. Deri më tani duket se banorët janë të bindur për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre. Por, rreshtimi i protestuesve ka nisur të lëkundet dhe nga përvoja e protestave të këtij lloji në Shqipëri, faktorë janë disa.

Veç lodhjes në transmetimet e drejtpërdrejta televizive në protestë vihen re disa persona, që nga të tjerët akuzohen si “të shitur’, “tradhtarë” dhe “spiunë të qeverisë”. Jo më larg se dy ditë më parë, protestuesit larguan njërin prej tyre, pasi tha se nuk mund të arrihej gjë me bllokimin e rrugës. Protestuesit akuzuan se personi në fjalë nuk prekej nga projekti, madje ai ishte ndërtuesi i një pallati aty pranë.

Forcat e FNSH gjate protestes se banoreve ne zonen e Astirit

Ky episod u pasua nga një njoftim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, që ftonte të gjithë banorët e prekur nga ky projekt që të paraqiteshin pranë zyrave të tij me të gjithë dokumentacionin që zotëronin për t’u njohur me procedurat e mëtejshme.

Por, një rol jo fort të parëndësishëm në mos për të "diskredituar" protestën e atyre që janë vërtetë “hallexhinj” në këtë zonë, ka luajtur edhe një pjesë e medias. Ka disa ditë që në mediat tradicionale dhe në portale e faqe interneti informative qarkullon i njëjti lajm.

Kronika me tituj që tregonin “se si protestuesit në fjalë ishin me nga 2, 3 e deri në 8 shtëpi”, ca me leje e ca pa leje, u transmetuan në valët e televizioneve kombëtare dhe në portale me peshë në fushën e informacionit.

Lajmi ishte formuluar ndryshe, por në thelb ai ishte i njëjtë. Në të shfaqeshin edhe me dokumentacion një grup personash, që sipas mediave që në fjalë, nuk ishin aq hallexhinj nga sa hiqeshin në protestë.

Vija ku kalon Unaza e Madhe ne aksi Shkolla Teknologjie- Sheshi Shqiponja

Bëhej fjalë për një listë me jo më shumë se 10 emra që u mor dhe u përhap me shpejtësi edhe në rrjetet sociale. Shoqëruar me tituj “goditës” si “Njihuni me varfanjakët e Astirit”, lista dhe lajmi në thelb prodhoi efektin që dukej se kishte si objektiv që në fillim; cilësimin si të padrejtë të të gjithë protestës së “Astirit” dhe "futjen në një thes" të të gjithë banorëve atje.    

Vërtet mes protestueve mund të ketë persona që pasi kanë zaptuar një pronë publike e kanë shfrytëzuar atë për biznese dhe për t’u pasuruar, edhe pse duke ndërtuar pa leje. Por, kjo nuk mund të përgjithësojë protestuesit, aq më tepër atë pjesë që rrezikon vërtet të përfundojë në qiell të hapur pas prishjes së shtëpive.

Fill pas përhapjes së këtyre informacioneve, Kryeministri foli edhe më i bindur se herët e tjera për prishjen e ndërtimeve në zonën e Unazës së Re. Ai shfrytëzoi raportin javor të bashkëqeverisjes për të përdorur një ton edhe më të ashpër ndaj protestuesve.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/345740406184822/

"Ne kemi njohur kategorinë e zaptuesve të pronave publike, apo të tjetërkujt. Tani jo më! Janë individë që hiqen të lënduar për zaptimin e rrugës për të gjithë qytetarët dhe nga ana tjetër kanë nga 4-8 ndërtime pa leje jo vetëm në Tiranë, por edhe në bregdet. Thirrja ime është që njerëzit të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit. Mos të bëhen gazi i botës", deklaroi Kryeministri.

E çuditshme është gjithashtu se fill pas nisjes së protestave të banorëve dhe bërjes publike të projektit dhe kostos së tij, qeveria, bashkia dhe institucione të tjera shtetërore janë ‘investuar’ me një kokëfortësi dhe përpjekje të ngjashme me atë të Teatrit Kombëtar për prishjen e banesave.

Në krah të banorëve është vendosur opozita që e cilëson projektin korruptiv, duke pasur parasysh që për 2.2 kilometra rrugë do të shpenzohen mbi 40 milionë dollarë. Por mazhoranca e mbron projektin e ndarë në tre lote dhe për këtë është angazhuar si Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia eTiranës, Ministria e Infrastrukturës e të tjera.

Të përbashkëtat e "investimit" për të përçarë protestuesit, si në rastin e protestës së Astirit, mund të gjenden tek protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, ku “loja” shkoi deri aty sa të denigrohej edhe figura e aktorit Robert Ndrenika. Deri diku, thuajse e njëjta "skemë" kundërpërgjigjeje shtetërore u vu re edhe tek protesta kundër vendosjes së traut në Rrugën e Kombit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë