Politike

Komisioni hetimor, tre muaj “shpëtim” për presidentin

Kuvendi miratoi në seancën e së hënës me 102 vota pro kërkesës së 55 deputetëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke i hapur rrugë kështu ngritjes së komisionit të posaçëm hetimor, në përbërje të cilës janë deputetët socialistë dhe të opozitës së re. Ulsi Manja nga PS është kryetar dhe Alban Zeneli është nënkryetar i komisionit. Sipas Rregullores, dy ditë pas votimit zhvillohet mbledhja e komisionit të posaçëm hetimor. Të mërkurën komisioni pritet të zhvillojë mbledhjen e parë, duke përcaktuar gjithashtu edhe mënyrën se si do të veprojë me planin hetimor , kë do të thërrasë për të vërtetuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës që pretendohet nga mazhoraca me dekretin e nxjerrë nga Presidenti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Sipas nenit 112 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Për këtë komisioni duhet të përcaktojë një datë për thirrjen e Metës për t’u mbrojtur përpara këtyre akuzave të mazhorancës për aktin e rëndë të Kushtetutës që pretendohet. Gjithashtu përcaktohet sipas Rregullores se në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës.


Rregullorja nuk ka përcaktuar afat kohor e këtij komisioni të posaçëm, por Parlamenti brenda 20 ditëve duhet të votojë në seancë të posaçme raportin që do të nxjerrë kjo strukturë parlamentare. Pika katër e këtij neni të Rregullores, përcakton se Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.
Komisioni, sipas vendimit të marrë në seancën e së hënës pasdite ka vendosur një afat tremujor për punën e tij. Kjo hapësirë e gjatë kohore duket si një “shpëtim” për presidentin Meta, pasi siç duket mazhoranca është e kondicionuar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe prandaj e ka zgjatur “hetimin” ndaj kreut të shtetit.


Pavarësisht vendimit që mund të marrë mazhoranca, nëse ka ai është pro atëherë do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të “vulosë” nëse vendimi i marrë është i drejtë ose jo, duke përcaktuar nëse akti i presidentit Ilir Meta përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës, sipas nenit 90, pika 2 të ligjit themeltar të shtetit.
Kuvendi pritet të mbyllë sesonin në muajin korrik dhe pritet që ta nisë zyrtarisht sesionin e vjeshtës në të hënën e parë të shtatorit. Sipas kësaj në llogaritjeve në tetor mund të ketë një raport të komisionit të posaçëm hetimor dhe që do të mund të finalizohet me një debat dhe votim parlamentar. Kjo shtrirje kohore e komisionit hetimor mund të shihet edhe si një mundësi për kompromis mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend. Kjo pasi në shtator, socialistët përpara se të vendosë për shkarkimin ose jo të presidentit do të njihen me vlerësimet e raportit të misionit të vëzhguesve ndërkombëtare OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë