Politike

Meta: 30 qershori, nul! Kolegji s’vendosi për dekretin. 13 tetori, edhe zgjedhje parlamentare

Me një letër të gjatë prej pesë faqesh e me thirrjen “Është koha për t’iu rikthyer sovranitetin të gjithë qytetarëve të Shqipërisë! “, presidenti Ilir Meta mbajti qëndrim edhe një herë për situatën politike në vend, duke argumentuar se pse zgjedhjet e 30 qershorit që u mbajtën në Shqipëri janë nul.
Në ditën kur të do të diskutohej në Parlament shkarkimi i tij, ku nisma e mazhorancës pritet të konkretizohet me ngritjen e komisionit të posaçëm hetimor, kreu i shtetit ka dhënë arsyetimin e tij mbi situatën politike, duke renditur sipas tij faktet se është ende në fuqi dekreti për zgjedhje lokale të 13 tetorit.


Kolegji Zgjedhor nuk merret me dekrete
Për presidentin Kolegji Zgjedhor me shqyrtimin e kërkesës së Partisë Unitetit Kombëtar nuk ka shqyrtuar dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor, pasi kjo trupë gjyqësore nuk ka tagër që të shqyrtojë dhe të vendosë, pasi e drejta e ekskluzive i takon Gjykatës Kushtetuese.
“Sipas Kodit Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të shqyrtonte çdo pretendim mbi kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës, Partia Socialiste dhe KQZ, duke përdorur Partinë e Unitetit Kombëtar (PUK, aleat i Partisë Socialiste në këto zgjedhje) inskenuan një veprim procedural për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit me qëllim për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda e jashtë vendit, që të dezinformonin se Dekreti i Presidentit u shfuqizua nga Kolegji Zgjedhor. Ndërmarrja e një procesi në Kolegjin Zgjedhor nga partia PUK është vetëm një përpjekje e Partisë Socialiste për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së anëtarëve të saj në KQZ”, thekson presidenti në letrën e tij.

Faksimile e qëndrimit të presidentit në faqen zyrtare


Për Metën, kjo veprimtari e koordinuar e KQZ, Partisë Socialiste dhe Kolegjit Zgjedhor, ishte e pritshme që të dështonte, sepse nuk kishte asnjë mundësi ligjore që të ndodhte ndryshe, pasi vendimi i Kolegjit, nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës dhe se në këtë proces gjyqësor Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor, për të qenë palë në proces.
“Në këtë vendim 3-anëtarë të Kolegjit Zgjedhor në disa rreshta të pjesës arsyetuese kanë dhënë interpretimin e tyre për veprimtarinë e KQZ-së lidhur me Dekretin e Presidentit. Ky arsyetim është një përpjekje e shëmtuar, një truk procedurial për të krijuar publikisht një imazh të ndryshëm nga fakti, pasi vendimi që Kolegji Zgjedhori mori, nuk cenoi aspak Dekretin e Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, nuk ka urdhëruar në dispozitivin e tij asnjë detyrim që të krijojë pasoja juridike mbi Dekretin dhe Institucionin e Presidentit të Republikës, e rrjedhimisht edhe mbi faktin e anulimit të datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve”, thuhet më tej në letër. Për pasojë vendimi i Kolegjit kanë efekt vetëm përkundrejt palëve në proces dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis KQZ dhe aleatit të PS-së, Partisë së Unitetit Kombëtar (PUK).


Meta përmend si argument të faktit se dekretit i tij rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese edhe një pjesë të konstatimeve paraprake të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ku vlerëson se “Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.
Pra mbi bazën e këtyre fakteve për Presidentin, dekreti për anulimin e zgjedhjeve nuk është prekur dhe nuk është cenuar deri në ditët e sotme nga asnjë Gjykatë vendase dhe ndërkombëtare dhe ky akt i Presidentit të Republikës i bazuar tërësisht në argumente Kushtetues është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.
“Për pasojë e gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, thuhet më tej në këtë letër.

Meta hedh poshtë edhe krahasimet e ngritura mes Kolegjit Zgjedhor në Shqipëri dhe Kolegjit Amerikan, duke theksuar se në vendin tonë presidenti nuk është një subjekt zgjedhor si në SHBA dhe se e gjithë kjo sipas tij bëhet për të krijuar konfuzion ligjor, për të minuar sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për të çoroditur opinionin ndërkombëtar.


Zgjedhje, edhe parlamentare më 13 tetor
Duke renditur një sërë nenesh të ligjit themeltar të shtetit shqiptar, Presidenti shpreh bindjen se dekreti për zgjedhjet më 13 tetor është në fuqi dhe se ky është i vetmi proces i ligjshëm. Vendimi i tij për anulimin e 30 qershorit, sipas Metës erdhi për të garantuar që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfiktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social, në mbështetje të neneve: 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, 86/1, 92 shkronja “gj”, 93, 109 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Ilir Meta në konferencën e fundit për shtyp mbi krizën politike


Mbi bazën e këtyre neneve të referuar në Kushtetutë përfshihen ato që presidenti përfaqëson unitetin e popullit, apo ka të drejtën që të ushtrojë të drejtën e nxjerrjes së dekreteve. Gjithashtu presidenti mbështet te neni 1 i Kushtetutës, ku në pikën tre përcaktohet se Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Gjithashtu dekreti i ri, për Metën bazohet edhe te nenet 45/1 e 4, ku sanksionohet se “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet dhe “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Ky sanksionim duket sikur paralajmëron një qëndrim që Presidenti mund ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese që në të ardhmen të anulojë procesin e 30 qershorit. Në fund të letrës, presidenti nuk ka harruar të paraqesë formulën e tij për zgjidhjen e krizës politike në vend, duke theksuar mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor, jo vetëm për ato lokalet, por edhe të përgjithshmet, pasi do të mbahen ligjërisht në këtë datë.


“Ky akt ka hyrë menjëherë në fuqi dhe është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Ky akt i është përcjellë menjëherë për zbatim KQZ. Duke vënë në dukje këtë situatë të qartë ligjore se nuk ekzistojnë ligjërisht zgjedhjet e 30 qershorit dhe duke ritheksuar se dekreti i 13 tetorit është një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, Presidenti i Republikës i fton të gjithë të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit. Po kështu, duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës”, mbyll Meta letrën e tij.

Mazhoranca e majtë e ka hedhur poshtë dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e cilësuar si një kompetencë të paparashikuara në Kushtetutë e ligj. Partia Socialiste që qeveris vendin e ka cilësuar këtë akt të dy të presidentit si marrja e të kompetencave të legjislativit, pasi Shqipëria është një republikë parlamentare. Për këtë socialistët shprehen se Meta ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe se ka firmosur nismën prej 55 deputetë të mazhorancës për ta shkarkuar nga posti i presidentit. Për socialistët dekreti i dytë është nul dhe nuk ka bazë ligjore e kushtetuese. Zgjedhjet e 30 qershorit u njohën nga SHBA dhe BE. Ndërkombëtarët thanë se kush ka pretendime për rezultatin e 30 qershorit, ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tyre do të ngrihet shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë