Ngjarje

Klandestinët lëshohen nga “zinxhirët”, nisin të vjedhin Tiranën

“Nuk kishte vend në kamp, shteti shqiptar nuk më pranoi atje. Kështu që u detyrova të qëndroj rrugëve dhe për këtë, herë jam detyruar të lyp dhe herë edhe të vjedh”. Kjo është deklarata e njërit prej tre palestinezëve të arrestuar nga Policia e Tiranës për një seri vjedhjesh të kryera në kryeqytet. Osmane Ellabasi është vetëdeklaruar se është i biri i Abdullahut  dhe sipas tij ka lindur në Palestinë në vitin 1996. I dyti është prezantuar si Yassine Lawli, i biri i Yousufit, lindur në 1994. I treti Ahmed Basri, lindur në 2002 në Ramallah të Palestinës. Por, ndërsa tre klandestinët raportojnë këto të dhëna personale, policia u ka marrë atyre shenjat e gishtave, i tha një burim ekskluziv gazetës “Si” dhe po konfirmon identitetin e tre të dyshuarve. Sipas burimeve konfidente të gazetës “Si”, tre të arrestuarit nuk kishin asnjë dokument identifikimi me vete edhe pse kontrolle janë ushtruar edhe në hotelin ku të dyshuarit qëndronin. “Ne përherë e më tepër po shoqërojmë individë nga vendet e luftës”, pohoi për gazetën “Si” një burim policor në kushtet e anonimatit, “dhe përherë e më shumë, vendosemi në lëvizje për të zbuluar identitetin e tyre”. I njëjtë është edhe rasti i tre djemve të arrestuar sipas policisë kundër të cilëve ka një sërë provash për akuzat e vjedhjes, por nuk ka asnjë provë që të vërtetojë identitetin e tyre. Për këtë shkak, policia i ka referuar në prokurori të tre hajdutët me të dhënat personale që ata vetë kanë deklaruar , ndërkohë që lidhur me profilin e tyre, Interpoli do japë përgjigje me rëndësi për hetimin.

Dosja e palestinezëve

Kallëzimi më i fundit që vulosi fatin e tre klandestinëve ishte ai i shtetases Olimbi Imeri, tregoi një burim pranë policisë. Gruaja ka thënë në polici se i kishin vjedhur 20 palë këpucë, ndërkohë që gjatë ditëve të para të vitit rezultojnë të vjedhura prej tyre dy shishe Wiski dhe 4 mijë lekë në një bar kafe, rroba e atlete në dyqanin e shtetases Laureta Hasanmema, një telefon në farmacinë e A. P. Gjithashtu, klandestinët shikohen si autorë të vjedhjes edhe të telefonit Samsung në pastiçerinë franceze, si dhe të një portofoli që i përkiste Maria Theresa Marchal. Për të gjitha këto ngjarje tre shokët nga Palestina janë tradhtuar nga kamerat e sigurisë.

Dëshmia ekskluzive

Policia i tregoi gazetës “Si” rrëfimin e tre të rinjve. Ata rrëfyen se kanë hyrë në Shqipëri prej tetë ditësh përmes rrugëve ilegale. “Kemi hyrë nga kufiri i gjelbër dhe erdhëm nga Greqia”, pohuan veç e veç secili nga të prangosurit teksa përktheheshin në shqip nga një përkthyese e licencuar. Gjatë këtyre ditëve, të rinjtë klandestinë kanë fjetur rrugëve dhe së fundmi kanë gjetur një hotel të lirë. Ata i kanë pranuar të gjitha ngjarjet që sipas tyre kanë ndodhur për shkak të përpjekjeve për të mbijetuar. Policia thotë për gazetën “Si” se ditën e arrestimit ata kanë qenë duke kaluar në rrugë dhe kishin me vete disa palë këpucë, rroba të përdorura të palara, kapele rripa, telefona që ishin të sistemuara në gjashtë çanta”. Por, për këto sende të dyshuarit sipas agjentëve që i morën së pari në pyetje, thanë se i kishin gjetur në koshin e mbeturinave.

Dëshmia e Osmane Ellabasi

Gazeta “Si” po zbardh dëshminë e njërit prej palestinezëve që prezantohet si Osmane Ellabasi. Fillimisht, ai pyetet për vjedhjen e një telefoni në “Rrugën e Kavajës”.

Palestinezi duke vjdhur një telefon

Ellabasi: Unë bashkë me dy shokët e mi prej tetë ditësh kemi hyrë në Shqipëri. Kemi hyrë nga kufiri grek. Gjatë këtyre ditëve kemi fjetur kryesisht në rrugë. Ju më pyesni nëse kemi vjedhur apo jo njësi tregtare, unë ju them që jo. Ne kemi vjedhur lokale, farmaci. Nëse ju më orientoni jam i gatshëm t’ua tregoj. Ditën që na arrestuan ishim duke ecur në rrugë me gjithçka kishim, të cilat i ngremë në krahë dhe aty mbajmë rrobat e trupit. Këto sende i gjenim dhe i siguronim në kosha. Kemi vjedhur vetëm për të ngrënë.

Policia: Ju deklaruat se keni qëndruar edhe në një hotel. Na tregoni ku keni fjetur?

Ellabasi: Po, ne kemi fjetur në hotele dhe kemi paguar gjithsej 100 euro, emrat nuk ua di, por me sa mbaj mend mbase quhej “Rruga e Shkodrës”, në dijeninë time aty kishte shumë hotele.

Dy shokët duke vjedhur në farmaci

Investigimi

Gazeta “Si” u interesua pranë policisë ku edhe mësoi se për shkak të një serie ngjarjesh të ndodhura në Tiranë muajt e fundit është ripërpiluar mënyra e shpërndarjes së postblloqeve. “Ne besojmë se një serial vjedhjesh të kryera në kryeqytet veçanërisht ndaj qendrave tregtare, kryhen nga individë të paskeduar dhe mjaft profesionistë”, tha një burim policor pranë departamentit kundër vjedhjeve të dhunshme. Disa prej këtyre ngjarjeve kanë ndodhur kryesisht ndaj bizneseve dhe për këtë arsye prej javësh policia po patrullon në zonat me dyqane dhe biznese. Ky plan mbahet sekret. Dyshimet lidhen edhe me fluksin e madh të klandestinëve që vijnë nga vendet e luftës, të cilët po e përdorin Shqipërinë si korridor. “Shumë prej tyre janë të pakontrolluar, ata merren nga trafikantët, ju premtohet që do dërgohen në Gjermani, por në të vërtetë ata braktisen rrugëve të Shqipërisë, duke u kthyer në autorë ngjarjesh kryesisht në hajdutë”, shpjegoi një zyrtar i lartë policie për gazetën “Si”. Zyrtari hodhi dritë mbi dyshimet që po forcohen përditë se shumë nga këta shtetas që janë klandestinë dhe që për ta nuk dihet asgjë, ekziston rreziku të përdoren për ngjarje të shumta. Por, ky mbetet ende një dyshim i fortë, për të cilin duhen prova për të blinduar versionin paraprak policor.

Rastet e mëparshme

Në fund të muajit dhjetor 2018, gjykata shqiptare dënoi me një vit e gjashtë muaj burgim një të ri nga Algjeria për vjedhje dhe goditje për shkak të detyrës. 23-vjeçari ishte banues i   përkohshëm në Qendrën e Azil-Kërkuesve në Babrru. Ai u kap nga roja e një kompanie ndërtimi në një kantier. Prokuroria tha:  “Duke zbardhur mëngjesi, i riu theu dritaren e një kontenieri për të hyrë brenda për të vjedhur. Aty u kap nga roja i objektit Dylber Kici. Në kontenier gjendeshin vegla pune. Menjëherë roja ka njoftuar policinë”.

Por, ndërkohë algjeriani është bërë agresiv pas shoqërimit të tij në polici. Efektivi Shpëtim Demucaj tregon: “Pasi e kontrollova, e futa në dhomat e shoqërimit. Gjatë kësaj kohe, personi nuk komunikoi asnjë fjalë. Herë pas here e kontrolloja me sy. Kur zgjata kokën për ta parë sërish nga kafazi, ai u afrua dhe më qëlloi me grusht në fytyrë”.

Aq janë përhapur vjedhjet nga varfëria prej këtij grupi dhe kontingjenti sa edhe vetë ata që jetojnë në qendrën e azil-kërkuesve janë detyruar të denoncojnë bashkatdhetarët e tyre.  Katër shtetas nga Irani, Afganistani dh Algjeria do të thirren si viktima në një proces penal në gjykatë. Të dëmtuarit janë Ahmet Muhamet, Ali Rashid, Avdel Zijaoud dhe Muhamed Rasulzadeh. Për të njëjtën çështje janë dërguar në gjykatë dhe gjenden nën proces gjyqësor Anvar Alavi dhe Sadak Gramshad, dy të rinj të moshës 27 vjeç, të cilët akuzohen për vjedhje të disa telefonave në brendësi të kampit. Por, ndaj tyre rëndon edhe akuza për dhunë, pas dëshmisë së një punonjëseje sociale në brendësi të kampit.

Psikologia Marjeta Karaj deklaroi: “Kur Anvar ju gjetën telefonat e vjedhur, ai në dorë mori një thikë, e mori në kuzhinë dhe i inatosur kërkonte mos t’i afrohej askush. Ashtu qëndroi edhe kur erdhi policia, ishte dhe dukej agresiv”.

Por, psikologët thonë se jetesa në kamp me shumë persona të panjohur shkakton tension dhe natyrisht që aktet e dhunës duhen shikuar më tepër si dështim i stafit të angazhuar në brendësi të qendrës ku mbahen azilkërkuesit. E njëjta psikologe e intervistuar nga gazeta “Si” tregon se dikur ajo ka qenë e angazhuar pranë kësaj qendre dhe aty kushtet nuk janë aspak të mira, madje ndaj të huajve që kërkojnë azil sapo kapen nga policia shqiptare, edhe ushqimi është i pamjaftueshëm. Për këtë shkak thotë e intervistuara, azilkërkuesit jetojnë në qendër me të ardhurat e tyre dhe shpesh dalin në Babrru për të blerë ushqime dhe produkte konsumi. Por, ata nuk kanë të ardhura, ndaj edhe shtyhen për të vjedhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë