Ne rrjet

Një valë e re refugjatësh do të mbërthejë rajonin!

Ballkani Perëndimor duket se do të përballet javët e ardhshme më një vale të refugjatësh pas mbërritjes së një numri të madh emigrantësh në ishujt greke. Shumë prej tyre duket se planifikojnë të lënë vendin fqinj në kërkim të rrugëve alternative në rajon për të hyrë në vendet e BE-së. Së fundmi UNHCR njoftoi se mbi 8100 refugjatë kanë arritur në ishujt e Greqisë, ndërkohë që kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar se do të zhvendosë një pjesë të tyre në Greqinë kontinentale, duke i lehtësuar kështu edhe “arratisjen” për në vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedoninë e Veriut.

Rruga që përdoret nga refugjatët ka dy drejtime kryesore, një grup prej tyre që kalojnë nga Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe me pas Krocia dhe një pjesë tjetër që zgjedhin rrugën Greqi-Shqipëri-Maqedoni-Bullgari.

Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina, prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, e fillojnë rrugëtimin e tyre nga aty. Me vendosjen e oficerëve të FRONTEX në kufirin Shqipëri-Greqi, vendi ynë duket se ka fituar përparësi në përballimin e fluksit të refugjatëve, por fqinjët kanë marrë një sërë masash për t’i bërë ballë valës së emigrantëve që pritet të mbërrijnë në rajon. Rojet e FRONTEX u vendosën për herë të parë në Shqipëri korrikun e kaluar duke patrulluar kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalojnë emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentjnë rastet e trafikut të qenieve njerëzore.

Policia shqiptare kap disa refugjatë pranë kufirit shqiptaro-grek.Gazeta Si, 16 shtator 2019

Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi. Nëse policia zbulon emigrantë në zonën kufitare, i dërgon mbrpash në kufirin grek, por nëse i gjen brenda territorit kombëtar, i dërgon në qendrën e azilkërkursve në rrethinat e Tiranës. Gjendja shëndetësore e emigrantëve shpesh është problematike pasi një pjesë e tyre janë bartës të disa sëmundjeve si fruthi.

Por ndërkohë që Frontex po patrullon kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, Maqedonia e Veriut ka njoftuar se është duke hartuar një plan rezervë që të përballojë e valën e emigrantëve që pritet të mbërthejë rajonin. Shumë prej refugjatëve në Greqi ka të ngjarë të shamgin oficerët e FRONTEX në kufirin shqiptar duke kaluar direk në kufirin grek me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar më pas drejt vendeve të BE-së.
Pas paralajmërimeve të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan një javë më parë, për një fluks të ri të mundshëm të refugjatëve nga Idlibi i Sirisë, duke u bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ndërmarrin masa për të ndarë barrën, organizatat humanitare thonë se në Maqedoninë e Veriut vërehet numër më i madh i lëvizjeve ilegale të emigrantëve. Ata ngrenë shqetësimin se emigrantët mund të përdorin sërish të ashtuquajturën “Rrugën Ballkanike” për të shkuar drejt vendeve të BE-së.


Aktivistja e organizatës joqeveritare “Legis”, Mersiha Smajllovic, thotë se pjesëtarët e kësaj organizate humanitare kanë regjistruar rritjen e lëvizjeve të emigrantëve që kaluar kufirin maqedonas në mënyrë ilegale.

Refugjatë pranë kufirit greko-maqedonas. Gazeta Si, 16 shtator 2019

“Në shtator është rritur numri i tentativave për të hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe për të kaluar në Bullgari përmes rrugëve ilegale. Ne kemi strehuar më shumë emigrantë në territorin tonë, në krahasim me muajin gusht”, thotë Smajllovic.

Po ashtu edhe Agron Buxhaku, drejtor i qendrës maqedonase për menaxhimin e krizave, bën të ditur se Maqedonia e Veriut është duke hartuar një plan rezervë për t’u përballur me valën e re emigrantëve.

“Kemi patur një takim me përfaqësues ndërkombëtarë, ku diskutuam rreth një plani rezervë për të përballur numrin e madh të refugjatëve që hyjnë në vendin tonë. Ky është një plan gjithëpërfshirës që përcakton si duhet të veprojnë institucionet pas mbërritjes së një numri të madh emigrantësh, pas ngjarjeve të fundit në Turqi dhe Greqi”, thotë ai.
Sipas të dhënave të qeverisë në Shkup, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 10 mijë emigrantë kanë tentuar që të hyjnë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut, shifra shumë më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë