Ana e errët

Rrëfime, hetime dhe sekrete nga trafiku i refugjatëve në Shqipëri

“Jam nga Kurdistani”, thotë ajo me një anglishte që vërtitet mes ‘google translate’ e fjalëve që mezi gjenden në anglisht. Vajza 19-vjeçare na rrëfen qindra kilometra udhëtim të bëra nga vendlindja e saj deri në Shqipëri. Në portën e azilkërkuesve në kryeqytet vajza e konsideron këtë prag si stacionin e radhës, në një rrugë të gjatë që ka ndërmend të përshkruajë derisa të mbërrijë në destinacion.
Në gjuhën e nënës e ka emrin Dlxwaz. Por, për ta thënë në shqip emrin e saj duhet të ndjekësh me vëmendje sesi i bashkon zanoret. Dilhuas shqiptohet emri i vajzës që po qëndron prej disa javësh në qendrën e hapur të azilkërkuesve në Babrru. Dilhuas Sijan është bërë nënë shumë herët, sipas një zakoni që ajo e përshkruan të ashpër dhe që tanimë i rrezikohet jeta. Siç shpjegon, vajza ia ka mbathur për shkak të frikës, sepse kishte shkelur vullnetin e prindërve. Në karvanët e atyre që udhëtojnë larg vendeve të tyre, ajo nuk vazhdon t’ia mbathë për shkak të luftës, por për diçka më të madhe që përpiqet t’i mbajë femrat nën rregullat strikte dhe urdhrat e prindërve.

Vajza 19-vjeçare nga Kurdistani, që ndodhet në qendrën e azilkërkuesve. Gazeta Si, 19 gusht 2019

“Më martuan 13 vjeç, erdhën e më thanë do martohesh me të. Kur mbusha 14 vjeç linda djalë. Ishin pesë vjet në një martesë, tek e cila nuk doja të isha. Jetova në qytetin Erbil, por përherë u thosha prindërve që nuk doja dhe nuk më pëlqente burri që më martuan. Por ishte sikur flisja me shurdhët. Martesa jonë nuk ishte aspak e mirë. I thashë babait: "burri që më dhatë nuk sillet mirë me mua" dhe ai m’u përgjigj duke më sulmuar se nuk thosha të vërtetën. Im shoq më rrihte, jo vetëm mua, por edhe djalin”, thotë 19-vjeçarja. Ajo shpjegon se u arratis nga shtëpia e bashkëshortit së bashku me një djalë që quhet Soran dhe tashmë me muaj të tërë gjendet në kurthin e një ikjeje që nuk ka mbarim. Por, Dilhuas për diçka është e sigurtë, “pas nuk ka për t’u kthyer asnjëherë”. Siç tregon tashmë, “i përbetuari” është i ati, i cili kërkon me ngulm adresën e saj, siç edhe i kishte thënë sapo vajza iku dhe la edhe të birin e saj. “Do të të vras, sikur edhe në fund të botës të shkosh”, i pat thënë ai.

Qendra e Azilkërkuesve, në Babrru të Tiranës. Gazeta Si, 19 gusht 2019

“Fillimisht kaluam në Turqi dhe qëndruam për pesë muaj në ‘Instambul Hotel’, por aty ishim thjesht kalimtarë, duhet të vazhdonim përpara. Me njerëz që bënin rrugën dhe njihnin korridorin e arratisjes, çifti hyri në Greqi. Aty qëndruan një vit e katër muaj në ishullin Samos derisa mblodhën lekë për të vazhduar përpara.
“Paguam vetëm 150 euro personi me makinë deri në kufi me Shqipërinë, pastaj së bashku me të tjerë dhe dikë që njihte shtegun, udhëtuam me orë të tëra përmes maleve”, shprehet 19-vjeçarja.
Më tej vazhdon: “Jam e bindur se kemi udhëtuar mbi gjashtë orë mes pyjeve dhe as që e kam idenë se kur do të mbarojë e gjitha kjo”.
Kur policia zbuloi karvanin me njerëz që kishin udhëtuar në errësirë u informua se “gjendeshin në Gjirokastër”. Aty nisën pyetjet, identifikimi dhe shenjat e gishtave. Destinacioni i radhës ishte godina e azilkërkuesve në Babrru. Por, Diluas dhe Soran kanë qëllime të tjera. Synimi i tyre është Finlanda, aty kanë në plan të nisin jetën e re, në të cilën Dilhuas shpreson shumë të nisë një shkollë dhe ëndërron të tërheqë të birin, pavarësisht se i duket një mision i pamundur.

“Si fillim do shkojmë në Kosovë, mandej në Serbi, Hungari, Austri e kështu do vazhdojmë deri në Finlandë, ku kemi njerëz e të njohur që do na mbështesin”, shpjegon Dilhuas, e cila pret të gjejë mundësi financiare për të paguar në vazhdim shoqëruesin dhe udhëzuesin që do t’u tregojë shtigjet nëpër të cilat u shpëton “kontrolleve” të policive që përherë e më shumë po bashkëpunojnë e po i kthejnë mbas ose u ndërpresin shtegtimin dhjetëra refugjatëve, të cilët për dhjetëra arsye synojnë Europën. Gjatë këtyre dy muajve “stacionim” në kryeqytetin shqiptar në një qendër të hapur, 19-vjeçarja është e bindur që Shqipëria nuk hyn aspak në planet e saj, pavarësisht se shumë të tjerë kanë pranuar t’i japin fund arratisë dhe udhëtimit klandestin dhe janë vendosur në Shqipëri.
“Shqipëria më pëlqen, është e bukur, njerëzit janë të mirë, por Shqipëria nuk ka lekë, nuk ka asgjë. Unë jam refugjate dhe kam nevojë të nis një jetë të re, të sigurt”.
Të tjerë si Dilhuas qëllojnë të pafat gjatë kontrolleve të kufirit të gjelbër, kryesisht në jug të vendit. Një nga kalimet tipike në të cilin refugjatët përshkruajnë në këmbë qindra kilometra është shtegu i mullirit. Por, gjithmonë e më shumë kalimi në këmbë i kufirit të gjelbër po kthehet në një sfidë të vështirë, jo për shkak të orëve të gjata të shtegtimit në këmbë, por për shkak të kontrolleve ditë e natë. Policia kufitare thotë për Gazetën Si se nga janari 2019 deri në fund të korrikut janë kapur 1600 shtetas të huaj, në grupe të shumta që tentojnë të hyjnë në vendin tonë për ta përdorur si një korridor kalimi drejt vendeve të Bashkimit Europian. Ata që janë të dyshimtë transferohen menjëherë në qendrën e mbyllur të Karecit (Vorë) për t’ju nënshtruar verifikimeve antiterror (për shkak të luftës së ISIS në Siri), disa i nënshtrohen kthimit pas sipas rregullit zinxhir prapësues, duke u dorëzuar te vendi prej nga ka hyrë derisa dorëzohen në vendin e origjinës. Të tjerë qëndrojnë në qendrën e hapur azilkërkuese, në të cilën shumë pak prej tyre kërkojnë azil në Shqipëri, shumica ose largohen pasi u janë marrë të dhënat, ose qëndrojnë në pritje derisa gjejnë një mënyrë për t’ia mbathur.

Por si organizohet trafiku i klandestinëve?

Gazeta Si disponon të dhëna hetimore me përgjime dhe vendime gjykatash që kanë shpallur vendime fajësie për persona që janë parë gjyqësisht si dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit në kuadër të grupit kriminal. Prokuroria thotë jozyrtarisht se persona të dyshimtë përfshi edhe shtetas të huaj, duke shfrytëzuar situatën e krijuar nga lëvizjet e emigrantëve bëjnë pjesë në organizimin e lëvizjeve nga kufijtë jugorë drejt Tiranës e më pas kryesisht transportimin e tyre në Kosovë me qëllim kalimin në Serbi e më tej në Hungari e Austri. “Brezi kufitar më i përdorur në këtë fluks refugjatësh është kufiri juglindor”, tregon për Gazetën Si një oficer i Policisë Kufitare.
Gazeta Si disponon gjithashtu ekskluzivisht dëshminë në Gjykatën e Krimeve të Rënda të njërit prej këtyre emigrantëve, një dëshmi e cila ekspozoi përfshirjen edhe të shqiptarëve në rrjetet e huaja.

Mukhatar Melekzada dëshmoi në gjykatë më 12 qershor 2016. Është nga Afganistani.
“U nisa nga vendi im bashkë me Nilab, që është gruaja ime. Ishte linjë e rregullt me avion, pra Afganistan-Iran. Në Iran nuk qëndrova më shumë se 24 orë, pastaj u nisëm me makinë drejt Turqisë. Nga kufiri një pjesë të rrugës e kemi bërë në këmbë dhe më pas kemi vazhduar deri në Stamboll me autobus. Babai im pagoi nga 800 dollarë për secilin, pra 800 për mua dhe 800 për Nilab. Paratë u paguan në Kabul para se të niseshim”, shprehet afgani.
Afgani i thotë më tej Gjykatës së Krimeve të Rënda se pas një qëndrimi katërditor në Stamboll kanë vazhduar udhëtimin me makinë private që ka zgjatur shtatë orë deri në vendin prej nga ku do të hynin në shtetin e radhës.
Mukhtar Malekzada vijon: “Pasi zbritëm nga makina, ecëm rreth 5 kilometra në këmbë derisa mbërritëm te vendi ku do niseshim me gomone. Hipëm dhe udhëtimi deri në Greqi zgjati 25 minuta. Gjithsej ishim 14 persona. Të gjithë ishim nga Afganistani”.
Por, sapo kanë mbërritur në Greqi, dëshmitari afgan i tregon Gjykatës se përfaqësues të organizatës ndërkombëtare u kanë dalë përpara dhe i kanë çuar në një kamp ku kanë qëndruar vetëm një natë.
“Na pajisën me një letër dhe na çuan në një kamp në Athinë, ku qëndruam tre muaj. Pastaj u nisëm për në Shqipëri. Për të kryer këtë udhëtim, kontaktuam njerëz që merren me këtë punë në Athinë. Na shoqëruan me autobus deri në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Për këtë punë në total u pagova bashkë me gruan 300 euro edhe për të na treguar rrugën nga ku do kalonim në Shqipëri. Në Shqipëri nuk njihnim askënd. Udhëtuam ndoshta katër-pesë orë në këmbë dhe pastaj na kapi policia, ku na morën shenjat e gjurmëve dhe na transportuan në qendrën e azilkërkuesve në Tiranë”, rrëfen Mukhtar Malekzada.
Dëshmitari vijon më tej duke treguar se në fakt kjo qendër do ishte thjesht një vend strehimi për pak ditë.
“Ishim te qendra dhe çdo ditë dilnim për të blerë bukë a ndonjë gjë për gruan se ishte shtatzënë. Vendosëm të iknim nga Shqipëria. I dhashë 50 euro shtetasit Hamid Rahman (nga Afganistani), i cili erdhi bashkë me ne nga Athina. Ai na gjeti një fugon për t’u larguar nga qendra dhe që do na çonte deri në Kosovë”, shton afgani.
Edhe afgani Haroon Habibi dëshmon se në Shqipëri hyri përmes një shtetasi pakistanez, të cilin e kishte takuar në Athinë.
“Isha me tim bir Emran, nipin Rustam dhe gruan Shakila. Së bashku morëm autobusin nga Athina dhe 20 minuta para se t’i afroheshim Shqipërisë zbritëm. Ecëm maleve rreth 3 ose katër orë dhe kur hymë në Shqipëri na kapi policia”, rrëfen afgani Haroon Habibi.
Gjykata e pyeti Haroon Habibin se përse iku nga vendi i tij.
“Gjashtë muaj para se të ikja, më morën në telefon disa talebanë. Më kërkuan që të bashkëpunoja me ta, pa më thënë se çfarë do të bëja konkretisht për ta. Për shkak të frikës e rrezikut mora familjen dhe ika. Tani synoj Gjermaninë, pasi në Hamburg kam dy fëmijët e tjerë”, përgjigjet ai.
Ndërkohë, dëshmitari Tululu Mpamu flet shkurt në Gjykatë.
“Ika për t’ju larguar luftës. Në vendin tim m’u vra nëna, babai dhe familja. Erdha në Shqipëri me pasaportë të rregullt, por me vizë false dhe ndaj për këtë fakt kam bërë edhe burg. Aty njoha një afrikan dhe kur dola e takova rastësisht. Ai më kërkoi që të blija një kartë telefoni meqenëse unë kisha me vete dokument identifikimi. Kam marrë shpesh karta të tilla për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe nuk di kush ka folur dhe ka organizuar largimet nga Shqipëria”, shprehet dëshmitari.

Emigrantë të paligjshëm në brezin kufitar Shqipëri-Greqi. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Në dosjen që Gazeta Si disponon, gjykata tregon sesi trafikantët shqiptarë u përpoqën të ndihmonin klandestinët për t’u larguar nga vendi në rrugë të paligjshme. Pavarësisht se njëri prej tyre Admir Ademaj deklaroi se “nuk e dinte çfarë ishte dhënie ndihme për kalim të paligjshëm, ai vetëm kishte marrë disa pasagjerë”.
Nga interpretimi i bisedës mes Egzon Tushës dhe Ndriçim Durakut që më pas u shpallën fajtorë, ata flasin për transportimin e një grupi emigrantësh, për të cilët trafikantët kujtojnë njëri-tjetrin të blejnë kulaç e domate. Këta emigrantë për të cilët u përfshi grupi në fjalë për t’i kaluar në Kosovë, autoritetet zbuluan se disa prej tyre ishin mbajtur në qendrat pritëse shqiptare.

Ndriçimi i thotë bashkëpunëtorit.
Ndriçim: “Egzon, jena t’u mbaru për bukë o bab, thotë ky”
Egzoni: Në Prizren… ca me bo?
Ndriçimi: Po jo si çona në Prizren, na me qaq lekë mos ja q… motrën. Këto ja bajshin policia… policia. Po na denoncojnë robq… do thonë na kanë mbajt peng… do thonë në polici na kanë lip kaq lekë…
Pikërisht, trafikanti shqiptar që po përpiqet të mundësojë kalimin e katër afganëve, flet në telefon me një numër telefoni të regjistruar nën emrin Mpamu Tululu, i cili i kërkon ndihmë për transportin e 17 personave. Pasi gjejnë mjetin e transportit, trafikantët paralajmërojnë njëri-tjetrin për rrugëkalimin.
284..: ej Mir mos hini nga Rinasi se a problem Rinasi me hi,
364…: po kena ik na o burr autostradës për Durrës. Mos me hi në Rinas?
284…: Jo ka Rinasi se kekan nja dy makina të policisë rrugore, më poshtë o bush tek ajo rruga si ajo rrugë e keqe.. tek ajo urë e keqe.

Ali Maloku dhe refugjatët e luftës…

Në një dosje tjetër me numër akti 70, të cilën Gazeta Si e disponon tregohet sesi u kapën nëntë të dyshuar që organizonin kalime të paligjshme të emigrantëve të luftës. Njëri nga të dyshuarit ka nofkën Ali Maloku, por në fakt ai quhet Jani Shabani. Ai shikohet si personi që pret shtetasit e kontrabanduar dhe në bashkërendim me të tjerë ndihmon klandestinët. Prokuroria tha:
“Ali Maloku dhe bashkëpunëtorët e tij përmes lidhjeve të tij gjen refugjatë nga zonat e konflikteve në Lindjen e Mesme apo të Afrikës së Veriut, më tej presin e sistemojnë refugjatët në Greqi, strehimin e tyre në një hotel në Selanik dhe më pas vazhdimin e udhëtimit të tyre drejt Shqipërisë”.
Ali Sweed Nwaidees, një klandestin që vinte nga Siria, e përdori Shqipërinë si shteg kalimi me ndihmën e rrjetit që u godit. Ai në gjykatë deklaroi:
“U nisa nga Siria dhe fillimisht shkova në këmbë në Turqi dhe më pas për 650 dollarë përmes detit shkova në Greqi. Për djalin pagova gjysmë çmim, pra 300 dollarë sepse ai është tetë vjeç. Më folën fjalë të mira për Shqipërinë dhe vendosa të kaloja përmes këtij vendi drejt Gjermanisë. E kishim bërë pazarin që në fillim që gjithë rruga deri në Gjermani do më kushtonte 1200 euro mua dhe 600 euro djalit. Këto para do paguheshin kur të mbërrija. Në Selanik takova personin e kontaktit, me të cilin u morëm vesh me shenja, na morën me makinë dhe pastaj udhëtuam për dy ditë maleve në këmbë. Mandej morëm taksi të vogla, gjithsej kanë qenë pesë të tilla dhe pastaj na mblodhën në një vend ku na futën në dy fugona të vegjël. U trembëm se njërin prej fugonave e ndaloi policia dhe u larguam me nxitim, pastaj shoferi na la në rrugë vetëm, derisa erdhi policia e na gjeti.

Bisedat e trafikantëve

Në rubrikën ‘Messenger’, prokuroria zbulon bisedën me një femër të regjistruar me emrin Guena Guena. Biseda zhvillohet mes saj dhe të pandehurit Leonard Jaçellarit.
Jaçellari thotë në bisedë: “Jam shumë i mërzitur, më kapën ca njerëz.. më ikën 8 mijë euro… janë sirianë vijnë nga Greqia dhe ikin në Mal të Zi. Thashë mos bëja ndonjë lekë.
Pikërisht ky person gjatë përgjimit ambiental që policia realizon në Drejtorinë e Policisë Korçë, flet me bashkëpunëtorin e tij për të harmonizuar dëshmitë.
“Makinat për lesh ikën… makinat për lesh ikën. Ma gjetën telefonin, vetëm kaq thoi, erdhi para ca ditëve dhe nuk bëmë muhabet fare. Pastaj kur erdhëm këtu, tashti ata mund të pyesin, do thuash ç’të bëj unë?
Arsen Çekiçi ; Tashti gjashtëqind mijë apo gjashtëdhjetë mijë?
Leonard Jaçellari: gjazhjet mijë të vjetra
A. Çekiçi: Ku je takuar me mua ti?
L. Jaçellari: Për kafe vetëm
A. Çekiçi : Po jo o bab, hiç fare nuk je takuar me mua ti, absolutisht unë s’di je o bab, ti rri rehat
L. Jaçellari: .. shtet ooo
Gazeta Si disponon përgjimin mes Ali Malokut dhe Erigrent Bezos.
Ali Maloku: Kije parasysh se kto janë vetëm për Shqipni asnjë gjë s’kemi interes, unë do i them një cikë atij Rizasë asnjë lloj interesi nuk kemi, asnjë bre. Atij s’i dalin për vete 300 euro në ditë, 400 euro.. ai e ka bërë me 500 pazarin. I thashë unë skam interes fare.
Erigrent Bezoi: Po do i marr në Selanik unë, se kam atë shokun atje… kupton?
Ali Maloku: Po mirë mos prish punë, se s’prish punë me i çu në Mitrovicë me i marr lekët, se me i shku andej masandej nuk i merr dot leket as toi e as unë.. jo jo në Mitrovicë në kufi.. mu në kufi, pa lekët e tua e të mijat e të tjetrit s’shkon gjikun
Erigent Bezo: Një 9… një 5 është ky, këto gjashtë që kishte 6 veta që po i sjell, ai kishte një gjashtë muaj
Ali Maloku : Bobo si po i sjellin gjallë mo Genti
Erigent Bezo: Po si i sjellin.. ja me zor ore a e di ç’heqin apo se di.
Ali Maloku: I ka mbaruar të dy rrugët. Ku po i zbret tashti lart apo..
Erigent Bezo: Ja po i zbret këtej nga Tresta
Ali Maloku: Nga Prespa?
Erigent Bezo: Nga Tresteniku .. mu në mes të Kostinëcit dhe Trestenikut
Ali Maloku: Po pasdite, nga ora një çoi një cikë bukë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë