Ngjarje

Anëtarët e rinj të Akademisë së Shkencave, Fuga: Zgjedhjet, në shkelje flagrante të ligjit

Nga Gazeta Si- Më 22 prill u mbajt mbledhja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga ku katër kandidatët, akademikë të asociuar, Adrian Civici, Kristina Jorgaqi, Mimoza Hafizi, Rajmonda Buhaljoti, u votuan me shumicë vote nga Asambleja për titullin “akademik” dhe pesë kandidaturat: Angjelin Preljocaj, Ermira Murati, Gëzim Alpion, Lea Ypi, Lulzim Tafa, u votuan nga Asambleja për anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ka qenë Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave i cili ka dalë kundër zgjedhjes së akademikëve të rinj, duke thënë se është shkelur ligji në fuqi për akademinë e shkencave.

“Në vetvete, shtimi i asamblesë me anëtarë të rinj është një rast i gëzuar. Por, ai, sikurse edhe në raste të tjera infektohet me parregullsi, me shkelje të ligjit në fuqi, të Statutit të Akademisë së Shkencave, duke krijuar pabarazi, privilegje, trajtime të diferencuara për trupën profesorale të mbarë vendit”, thotë Fuga, duke shtuar se mbledhja dhe e gjithë procedura e zgjedhjeve të akademikëve të rinj (duke lënë mënjanë ato të zgjedhjes të anëtarëve të jashtëm) “kanë shkelur në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimshme ligjin në fuqi për akademinë e shkencave në Republikën e Shqipërisë si edhe janë në kundërshtim të plotë me statutin në fuqi të asaj akademie” deklaron Fuga.

Ato procedura shkelin me të dy këmbët edhe Kushtetutën, thotë Fuga, duke mos respektuar barazinë në të drejta të qytetarëve dhe duke privilegjuar në mënyrë të jashtëligjshme persona të veçantë brenda asaj asambleje.

Fuga thotë se kalimi nga statusi i akademikut të asociuar në atë të akademikut është i pambështetur në asnjë nen të ligjit apo statusit.

“Nuk ka vendim të asamblesë për hapjen e vendeve për akademikë, nuk është konsultuar seksioni sipas Statutit dhe ligjit në fuqi për hapjen e këtyre vendeve, nuk janë njoftuar IAL, në dosjet e kandidatëve mungojnë mbështetjet nga ana e dy akademikëve, nuk ka ekspertizë për arritjet e kandidatëve nga njësitë bazë ku janë atashuar kandidatët as edhe mbështetje nga ana e senateve të IAL”, thotë Fuga.

Ligji për Anëtarët e Asamblesë shkruan se shpallja e vendeve të lira bëhet publike dhe i IAL-ve 6 muaj para votimit. Gjithashtu, kandidimi bëhet nga çdo i interesuar, me mbështetjen e dy akademikëve ose dy ekspertëve. Ndërkohë, në njoftimin zyrtar janë prezantuar akademikët e rinj dhe në prezantim përmendet vetëm puna e tyre, jo akademikët që e kanë mbështetur kandidimin e tij/saj. Ndryshe ndodh me anëtarët e jashtëm ku secili ka 2 akademikë që kanë propozuar emrin e personit.

Nga ana tjetër, shkruan Fuga, me gjithë kërkesat e përsëritura nga ana ime, u morën nëpër këmbë kriteret specifike që lidhen me analizën dhe vlerësimin e arritjeve të kandidatëve sipas ligjit dhe Statutit.

Ky i fundit kërkon që kandidatët:

- të kenë udhëhequr me sukses një numër doktoraturash,

- të kenë drejtuar qendra ose njësi kërkimore dhe shkencore,

- të kenë drejtuar grupe kërkimi shkencor,

-të kenë marrë pjesë në komitete organizimi ose drejtuar borde revistash shkencore ndërkombëtare,

-si edhe të kenë vepra shkencore të botuar jashtë vendit,

- apo artikuj shkencorë në revista me faktorë impakti ose të indeksuar në baza cilësore të dhënash (së paku autorë i parë apo i dytë sikurse e kërkon ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor).

“Theksoj se të gjitha këto shkelje të ligjit dhe të statutit komprometojnë rëndë procesin e votimit për akademikë dhe rezultatin e tyre si edhe vetë evoluimin si akademikë të kandidatëve të paraqitur apo edhe të anëtarëve të jashtëm të asamblesë. Ato ri-përsërisin mentalitetin e shfaqur në vazhdimësi që me forcën e votës të shkelet ligji dhe statuti në fuqi, duke vendosur me përgjegjësi kryesinë e akademisë së shkencave dhe të gjithë personat që janë ngarkuar të drejtojnë proceset e mësipërme”, thotë Fuga, duke shtuar se distancohet nga praktikat antiligjore të iniciuara nga ana e kryesisë së akademisë së shkencave.

Akademia e Shkencave  nuk pranon auditim nga Kontrolli i Larë i Shtetit

Në emër të ruajtjes së autonomisë së kërkimit shkencor, Fuga thotë se është votuar që Akademia e Shkencave të mos pranojë auditim nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit për performancën e aktiviteteve të saj.

“Akademia e Shkencave nuk pranon auditime, kontroll. Akademia që mbahet me taksat e qytetarëve shqiptarë, nuk pranon të auditohet se çfarë bën, si e kryen misionin e saj. Fraza u lëshua: Për studimet tona ne nuk bëjmë auditime!”.

Mbledhja e asamblesë së akademisë së shkencave e datës 22.04.2024 ishte një “atentat” kundër shtetit ligjor, thotë Fuga, i cili shton se nuk e di në emër të kujt dhe për çfarë arsyeje iu tha “Jo!” Kontrollit të Lartë të Shtetit!

“Le ta botojnë letrën e përgatitur nga kryesia dhe që e votuan në asamble! Publiku do të lemeriset nga vendosja e vetes mbi çdo ligj dhe kontroll të ligjshëm në emër gjoja të lirisë për të qenë mbi ligjet!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë