Politike

Këshilli përkthen në shqip paktin e nënshkruar në anglisht, 12 pikat e tij

Me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së premtes, mbledhjet e Këshillit Politik do të përqëndrohen tashmë tek detajet teknike dhe mënyra e pasqyrimit të marrëveshjes në Kodin Zgjedhor, që më pas do të kalojë në Kuvend për miratim.

Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi, Petrit Vasili dhe Rudina Hajdari u mblodhën pasditen e së shtunës për rreth 60 minuta, ku në qendër të diskutimeve ka qenë orientimi i ekspertëve të të gjitha palëve për të hedhur në Kodin Zgjedhor ndryshimet që burojnë nga marrëveshja e arritur.

Mes detajeve teknike ishte edhe përkthimi në shqip i marrëveshjes së dakordësuar një ditë më parë, teksti origjinal i së cilës doli nga Ambasada Amerikane në anglisht dhe po në anglisht u firmos nga katër anëtarët e Këshillit.

Puna për reflektimin e paktit në ligjin zgjedhor pritet të zgjasë disa ditë dhe më pas të kalojë për miratim në Kuvend. Ka disa çështje teknike për të cilat mazhoranca dhe opozita duhet të bien ende dakord, por që konsiderohen pengesa lehtësisht të kalueshme.

Diskutimi i parë lidhet me financimin e partive. Parimisht është rënë dakord që buxheti i shtetit të mbajë barrën kryesore të këtij financimi dhe një përqindje më e vogël të mbërrijë nga donacionet private. Ajo që mbetet për t’u përcaktuar është niveli i ndarjes. Opozita ka propozuar 70 për qind nga buxheti dhe 30 për qind nga privatët, si dhe përjashtimin për katër vite nga tenderat të biznesmenëve që financojnë parti. Socialistët nga ana tjetër kanë propozuar fillimisht një ndarje 50 me 50, por sinjalizuan se mund të lëshojnë terren deri tek ndarja 60 me 40 për qind.

Çështja tjetër lidhet me rolin e policisë në zgjedhje. Edhe në këtë pikë është rënë dakord që Policia e Shtetit të ketë një rol më të angazhuar në procesin zgjedhor, por mbeten për t’u përcaktuar hollësitë. Një ide që qarkullon është pasqyrimi në Kod i të drejtës së efektivit të policisë që të hyjë dhe qëndrojë brenda ambienteve të votimit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ku mund të hynte vetëm me thirrjen e komisionit të Qendrës së Votimit. Po ashtu, është rënë dakord që policia të jetë e pranishme edhe gjatë procesit të numërimit të votave.

Diskutimi tjetër lidhet me rolin e Prokurorisë së Posaçme, ku është rënë dakord që krimet zgjedhore të heton nga SPAK, ndërsa sipas një propozimi të opozitës, prokuroritë e tjera do të jenë të angazhuara para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor në identifikimin e rasteve të mundshme që mund të përbëjnë vepër penale dhe referimi i tyre në SPAK.

Në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, opozita është tërhequr nga propozimi që ky rol t’i caktohet Gjykatës Kushtetuese, e po ashtu edhe nga propozimi që pjesë e Kolegjit të mund të bëhen edhe gjyqtarë që nuk e kanë kaluar procesin e vettingut. Pra, për këtë pjesë është rënë dakord që anëtarë të zgjidhen vetëm gjyqtarët që kanë kaluar vettingun, por mbetet për t’u përcaktuar nëse do të jenë vetëm gjyqtarë të apelit, siç është aktualisht, apo të të gjitha shkallëve.

Për përdorimin e teknologjisë është rënë dakord ngritja e një sistemi vëzhgimi me kamera, si në qendrat e votimit, ashtu edhe në ato të numërimit. Serverat qendrorë të tyre do të kontrollohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe tek pamjet do të kenë akses të gjitha palët.

Parimisht, palët kanë shprehur në letër vullnetin për përdorimin e sistemit të identifikimit biometrik për 100 për qind të elektoratit, pavarësisht se rekomandimi i ODIHR është deri në 20 për qind. Një pjesë e kostos për këtë qëllim është marrë përsipër nga Bashkimi Europian, që ka premtuar 15 mln euro.

Çështja tjetër, ku ka mbetur më pak punë për ekspertët lidhet me kuotat gjinore. Opozita ka propozuar një në tre kandidatë grua dhe një mekanizëm mbrojtës, që kandidatet të mos zhvendosen në listat e fituesve nga ndonjë presion i mundshëm i kandidatëve burra që mund të jenë më poshtë në listë. Të njëjtin propozim, opozita kërkon që të shtrihet edhe për zgjedhjet vendore për Këshillat Bashkiakë, ku aktualisht është kuota 50-50, që PD-LSI e cilësojnë si fiktive dhe joreale.

Për tre çështje të tjera që kanë të bëjnë ndryshimin e sistemit, hapjen e listave dhe ndryshimit të ligjit të referendumeve palët kanë rënë dakord të diskutojnë në një moment të dytë. Rudina Hajdari tha se për këtë ka marrë garancinë e ndërkombëtarëve.

Ndërkohë, për votën e emigrantëve do të diskutohet në KQZ-në e re, që të studiojë dhe identifikojë metodat e mundshme sesi mund të garantohet vota e tyre.

Gazeta “Si” sjell në shqip tekstin e plotë të marrëveshjes së arritur në anglisht mes palëve, ku bie në sy përcaktimi se pikat 4, 5 dhe 6, që lidhen me depolitizimin e administratës zgjedhore është vendosur të zbatohet pas zgjedhjeve të radhës parlamentare dhe vendore.

Marrëveshja e arritur:

1.Identifikimi elektronik. ODIHR rekomandon futjen graduale dhe ka sugjeruar në komentet për Këshillin se çdo tranzicion drejt identifikimit elektronik, votimit apo numërimit, duhet të nisë me një program pilot që përbëhet nga jo më shume se 20 për qind e votuesve të sugjeruar nga Këshilli. Gjithsesi palët zotohen të mbështesin implementimin e identifikimit elektronik të 100 % të votuesve në zgjedhjet e ardhshme, nëse është teknikisht i arritshëm. Kjo mundësi do të përcaktohet nga ekspertiza ndërkombëtare e mbështetur nga KQZ. Qeveria e Shqipërisë garanton fondet në kohë për zbatimin, aq sa është i mundshëm.

2.KQZ do të ketë një zëvendëskomisioner që do të drejtojë përcaktimin e mundësisë për identifikimin biometrik të votuesve. Zëvendëskomisioneri do të ketë përgjegjësi të përbashkët e të barabartë me kryetarin për zgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e identifikimit biometrik të votuesve. Zëvendësi do të monitorojë, mbikëqyrë rekrutimin e trajnimin e komisionerëve i ndihmuar nga një ekspert ndërkombëtar. Një tjetër ekspert ndërkombëtar do të mbështesë KQZ-në në trajnimin për procedurën.

3.Struktura e KQZ do të përbëhet nga pesë anëtarët e rregullt, apeli nga pesë anëtarë, një zyrtar ekzekutiv dhe një zëvendës i tij. Anëtarët do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë në trupat e rregullt dhe ato të apelit. Komisioneri shtetëror do të zgjidhet me anë të konsultimeve.

4.Grupet e numërimit. Dy grupe zyrtarësh jopolitikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri ndihmon dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi. Anëtarët e tjerë do të jenë, ose dy monitorues një nga pushteti e një nga opozita, ose një monitorues nga secila prej katër partive kryesore parlamentare nga zgjedhjet e 2017.

5.Qendrat e votimit. Dy anëtarë të komisionit me të drejta të kufizuara për monitorim dhe kontestim të drejtë nga pushteti dhe opozita dhe tre të emëruar me short nga KQZ, e cila do të veprojë si kryetare në marrjen e vendimeve. Dy të tjerë do të shërbejnë si ndihmës, pa të drejtë vote.

6.ZEZ do të jetë strukturë e njëjtë si qendra e votimit

7.Kolegji Zgjedhor do të zgjidhet nga gjykatësit që kanë kaluar procesin e vetingut.

8.Procesi i Apelit. Kolegji Zgjedhor që dëgjon apelimet mbetet i pandryshuar.

9.Depolitizimi. Nuk do të ketë ndryshime në administratën elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare e vendore. Punonjësit e sektorit publik mund të jenë pjesë e administratës elektorale të zgjedhjeve duke nisur nga zgjedhjet e pritura. Reforma në vijim e administratës në Shqipëri do të përforcojë fokusimin e saj në depolitizimin e shërbimit publik.

10.Kodifikimi. Të gjitha propozimet do të hartohen në amendamente ligjore që do të rivlerësohen e kontrollohen nga Këshilli Politik, në mënyrë që të reflektojnë marrëveshjen para se ajo të kalojë në Parlament dhe pa ndryshime, apo amendamente të tjera. Në rast të korrektimeve teknike të propozuara, ato duhet të aprovohen nga Këshilli Politik para votimit.

11.Masa shtesë. Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë me mirëbesim për të arritur zgjidhje të pranueshme dhe rekomandimet e ODIHR në lidhje me shitblerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe administratës, keqpërdorimin e administratës, bashkëpunimin me grupet kriminale, lirinë apo fshehtësinë e votës, apo manipulimin e rezultateve

12.Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 8, 9, 10 dhe 11 më lart, si dhe dy Shënimet më poshtë hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më lart hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme (parlamentare dhe vendore).
Shënime: Propozimi për qeveri të përkohshme dhe drejtor policie të përkohshëm nuk do të përbëjë një kusht për pranimin dhe miratimin e sa më sipër.
Nuk pati konsensus për ndryshimin e sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë