Politike

“Kokëçarjet” e ndërkombëtarëve nuk janë mbyllur, tani duhet të bindin opozitën parlamentare

Kokëçarjet e ndërkombëtarëve për mbylljen e reformës zgjedhore duket se nuk janë mbyllur me marrëveshjen e firmosur në Këshillin Politik nga tre përfaqësuesit e PS, PD e LSI dhe Rudina Hajdarit që në këtë tryezë u ul në emër të opozitës parlamentare.

Problemi që u ka dalë tashmë ndërkombëtarëve janë zërat brenda opozitës parlamentare që janë kundër kësaj marrëveshjeje dhe që mund të minojnë votimin e ndryshimeve në Kodin Penal në Parlament, që kërkon 84 vota.

Zyrtarisht socialistët nuk e kanë këtë numër, por nisur nga përvojat e ngjashme të së shkuarës dhe nën presionin e ndërkombëtarëve, nuk pritet ndonjë surprizë e pakëndshme. Megjithatë, për t’u siguruar, Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim thirri në një takim disa zëra të opozitës parlamentare që kanë deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë reformën nëse minimumi nuk hapen listat.

Në takimin që nisi rreth orës 10:00 të së shtunës u ftuan Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku, që përfaqësojnë tre grupet e opozitës parlamentare në Kuvend. Takimit iu bashkuan edhe Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni. Nga ajo se çfarë u tha pas përfundimit të takimit, Yuri Kim duket se nuk ja ka dalë mbanë që t’i bindë të gjithë për të votuar paktin e arritur me mund mes PS dhe PD.

Myslim Murrizi tha se opozita parlamentare do të votojë kundër kësaj marrëveshje, sepse nuk janë plotësuar tre kushtet e vendosura prej tyre.

“U thamë nuk votojmë asnjë lloj pazari. Kërkojmë listat e hapura ndrysh nuk e votojmë. Qëndrimi ynë është i palëkundur, nuk kërkojmë asgjë veç asaj që kemi kërkuar; depolitizimin e administratës zgjedhore, lista të hapura dhe votën e emigrantëve", u shpreh ai.

Ndërkohë që Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Edmond Stojku nuk e komentuan takimin, Myslim Murrizi foli në emër të të gjithë opozitës parlamentare, por mbetet për t’u parë nëse opozita parlamentare do të jetë e unifikuar në këtë qëndrim apo jo dhe mbi të gjitha a do t’i rezistojë dot trysnisë së ambasadorëve, veçanërisht Yuri Kim, që këtë të shtunë na riktheu në kujtesë takimet e paraardhësit të saj, Donald Lu, që në korrik të 2016 kontaktoi një nga një deputetët e opozitës në atë kohë për të siguruar 94 vota që kërkoheshin për reformën në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë