Editorial

Kë kërkon të shpëtojë Sonila Qato?

Kur lajmëroi dorëheqjen, Sonila Qato, drejtore e Autoriteti të rrugëve,  e lidhi shkakun me presionin e kompanisë “Gjoka” , pasi e kishte “përjashtuar me të drejtë “nga tenderi në të cilin kishte falsifikuar dokumentat me fatura fiktive dhe kishte përfituar nga buxheti padrejtësisht 70 mld lekë për punë të pakryera.  Ky është rasti i dytë, pas Artan Lames, kreut të kadastrës, që një administrator i lartë në ekzekutiv shprehet se ndodhet në presionin e padurueshëm të forcave jashtë institucionit që nuk e lejojnë të kryej punën.

Artan Lame nuk e dha dorëheqjen, ndërsa zonja Qato edhe pse me mbështetjen minore në Facebook të zv.ministrit të Mbrojtjes “për të mos ju dorëzuar oligarkëve”, u largua. Atëherë, deklaratën e Artan Lames atë ditë gazeta “Si” e vlerësoi si alibi që kërkon ta hedh përgjegjësinë diku tjetër dhe paralajmëronte një reaksion zinxhir.

Në një ambient politik të paskrupullt dhe të papërgjegjshëm, dorëheqja e Sonila Qatos tenton të duket si një gjest moral i virtytshëm i rrallë. Por ky gjest do të vihet në dyshim dhe ajo mund të jetë një albi e një lloji tjetër nëse për çështjen “Gjoka” publiku nuk merr disa përgjigje.

A ka kryer vepër penale firma “Gjoka” dhe apo i hetohet se ka falsifkuar faturat dhe ka marrë padrejtësisht para nga buxheti i shtetit. Juristët i thanë gazetës se nëse hetimi i drejtorisë së Sonila Qatos është i vërtetë, atëherë kjo është një vepër penale që dënohet me burg dhe kompania humbet të drejtën për të marrë pjesë në prokurime të tjera publike. Por dorëheqja e Qatos nuk e jep dot këtë përgjigje.

Fakti që kompania mund të ketë përfituar para me mashtrim  implikon edhe institucionet shtetërore që miratuan faturat dhe dorëzuan fondet pa i supervizuar punimet . Për këtë shkak nuk përjashtohet nga përgjegjësia as Sonila Qaton.


Në çdo rast nëse zonja Qato ka të drejtë, ashtu siç pretendon në statusin e saj të dorëheqjes në Facebook, në çështjen “Gjoka” inkriminohet jo më një institucion,  por gjithë modeli qeverisjes së  fondeve publike, pas të cilave mund të qëndrojnë  interesa për përftime vetjake.

Shpatullat e zonjës Qato janë të brishta për të mbajtur të tillë barrë. E ndodhur e vetme përballë  interesave politike të qeverisë dhe atyre ekonomike të biznesit “të oligarkëve“ siç i quan Petro Koçi, zonja Qato nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të jepte dorëheqjen. Ndaj largimi saj tingëllon më shumë si një albi që kërkon t’i bëj bisht të vërtetës për sa kohë çështja “Gjoka” nuk i dorëzohet drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë