Drejtësia

SPAK godet grupin e pastrimit të parave, 4 të arrestuar: drejtuesi kapet në Itali

Gazeta Si – SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë së bashku me Prokurorinë Antimafie të Barit, duke goditur një grup kriminal që dyshohet se merrej me pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se nga 10 masa sigurie të lëshuara, deri tani janë ekzekutuar 4 prej tyre.

Mes të arrestuarve është edhe Ergys Kastrati allias Bishja, i cili dyshohet si një prej personazheve drejtues të grupit. Ai u kap në një vilë në një zonë rezidenciale gjatë operacionit të forcave speciale.

Në Itali është arrestuar edhe kreu i dyshuar i grupit, Igli Kamberi. Sipas hetimeve, ai akuzohet edhe për përfshirje në vrasjen e një shtetasi italian.

Igli Kamberi, kreu i grupit kriminal

Mes të ndaluarve janë edhe persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e berberit italian, Francesco Diviesti, 26 vjeç nga Barletta, i cili u zhduk mbrëmjen e 25 prillit 2025 dhe u gjet i vrarë pas 4 ditësh.

Ishin hetimet për këtë vrasje që çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal dhe aktivitetit të spastrimit të parave, të cilat nga Italia i sillnin në Shqipëri me mjete të ndryshme transporti.

Mbi 680 mijë euro të sekuestruara në pikën kufitare të Muriqanit ndërsa po tentohej të futeshin në Shqipëri me një automjet, dyshohet se i përkasin pikërisht grupit të Kamberit.

“Urdhër-arrestet përfshijnë persona të dyshuar si të përfshirë, në forma të ndryshme, si në vrasjen e një 26-vjeçarit nga Barletta, ashtu edhe në një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë. Hetuesit po rindërtojnë lidhjet, rolet dhe përgjegjësitë brenda një organizate që dyshohet se vepronte në mënyrë të qëndrueshme midis dy brigjeve të Adriatikut”, njoftojnë mediat italiane.

Anëtarët e grupit kriminal dyshohen për veprën penale “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Ndaj tyre rëndojnë edhe akuza të tjera që lidhen me aktivitetin kriminal të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë