Lajme

Çështja “Gjoka”, dorëhiqet drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato

Dorëhiqet Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve Sonila Qato. Burime të afërta pranë saj e konfirmojnë lajmin për Gazeta “Si”.

Dorëheqja e Qatos ndodh pasi në media u publikua dokumenti që tregonte fatura fiktive të "Gjoka Konstruksion" për punë të papërfunduara në Rrugën e Arbrit me qëllim që të përfitonte për të ndërtuar edhe tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Pas përplasjeve mes dy institucioneve atë të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës për favoritët e tenderit Kardhiq-Delvinë, e humbura doli Znj. Qato e cila jo vetëm që nuk favorizoi “Gjoka Konstruksion”, por kërkoi hetimin e kompanisë për mashtrim dhe evazion me buxhetin e shtetit.

“Vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore. Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).”- shkruan ndërkohë Znj. Qato në llogarinë e saj në facebook.
Qato e argumenton dorëheqjen e saj nga posti I drejtueses së ARRSH-së me ngarkesën ekstreme të punës.

Pak e njohin, por në fakt Sonila Qato është njeri i ngushtë i kryeministrit Rama ku prej vitit 2008 ka qenë një nga bashkëpunëtoret e tij më të afërta! 2001-2007 ka punuar ne zyrën e prokurimeve të Bashkisë Tiranë, 2007-2011 ka mbajtur detyrën e drejtores së pergjithshme të urbanistikës dhe kontrollit të territorit, 2012-2013 Edi Rama e zgjedh shefen e kabinetit të tij, gjatë fushatës zgjedhore ku socialistët erdhën në pushtet! 2013- 2017 mbajti një nga postet më të rëndësishme në fushën e pronave dhe përpara se të zgjidhjej drejtoreshë e ARRSH u emërua nga kryeministri si ministre shtetit per mbrojtjen e sipërmarrjes!

Prej 8 muajsh Qarto drejton autoritetin rrugor shqiptar, ndërsa sot ajo njoftoi doreheqjen e saj nga ky institucion.
Spekulohet se Qato do të zëvendësohet nga Vasilika Vjero, ish drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve e cila u zëvendësua në një kohë kur të ardhurat nga tatimet morën tatëpjetën…

Reagon Partia Demokratike
Partia Demokratike përmes ish-deputetes Jorida Tabaku paralajmëron që nesër do të sjellë prova për skandalin sipas saj që detyroi Sonila Qaton të largohet nga detyra e drejtoreshës së ARRSH-së.
“Me parimin një vjedhje të madhe mbuloje me një zhurmë më të madhe, Edi Rama, largoi nga detyra drejtoreshën e Agjencisë së Rrugëve, Sonila Qato 1 orë përpara se gjykata të marrë vendimin për Saimir Tahirin. Një dorëheqje që ka qenë gati që dje e firmosur!”, shkruan Tabaku në llogarinë e saj në “Facebook”.
Edi Rama po përpiqet, sipas saj, të mbulojë luftën e egër që ka plasur mes grupeve në PS me shpresën se gjyqi i Tahirit do të bëjë të harrohet skandali i Sonila Qatos, i Belinda Ballukut dhe i kompanive me të cilat, Rama, bashkë me to, vjedh shqiptarët!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë