Për pak sekonda Artan Lame, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës na habiti kur iu shfaq publikut live me fjalët: “O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat për miqtë. Të dyja bashkë nuk mund të bëhen”.
Por, çudia zgjati fare pak dhe vendin e saj e zuri indiferenca, sepse Kreu i Kadastrës po i binte derës që ta dëgjonte dritarja. Ai na u drejtua neve, pra publikut, por në fakt e kishte për të vetët kur iu drejtua të gjithëve, që nga familja natyrore, e deri tek familja politike, që të mos ndërhynin për punësime në “tepsinë” e lakmuar prej kohësh të administratës së pronave në Shqipëri, jo më shumë për rrogat, por për “avantazhet” e tjera.
E dukshme dhe e pritshme është që Artan Lame, të ndodhet nën një masë presioni për punësimin e personave të caktuar në administratë dhe pret “udhëzime”, që ose të ndërmarrë një reformë për të punësuar persona të aftë dhe që bëjnë punën në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ose të punësojë miq të familjes, apo të politikanëve.
Po ne, publiku ç’hyjmë këtu?
Nëse bashkëshortja i bën presion le t’ia thotë tek shtëpia. Nëse deputetët i bëjnë presion le t’ia thotë grupit parlamentar. Nëse të tjerë ndërhyrës që i paskan plasur buzën atij i bëjnë presion le t’ia thotë Kryeministrit. Ne qytetarët nuk mund të bëjmë gjë dot se dhe sikur t’i kishim numrin e celularit, ai nuk na do na e hapte. Plus nuk kuptojmë se çfarë ka me ne Artan Lame kur sot doli nga vatha, dhe problemet familjes politike, përkundër kodit të heshtjes së Rilindjes , i nxorri në pazar, ndërkohë që ne jemi përjashtuar prej kohësh nga këto çështje.
Që deputetët e shfrytëzojnë statusin e ligjvënësit me ndërhyrje të drejtpërdrejta, apo të tërthorta më shumë për të punësuar të afërm, miq apo të njohur, si mjet për të rritur dhe ruajtur mbështetjen elektorale, kjo dihet prej vitesh. Edhe sikur ne publiku të kishim ndonjë dyshim se kjo nuk është kështu vetë Kryeministri na bindi kur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste para dy ditësh tha se “as Partia Socialiste, e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë, e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen”.
Artan Lame, pjesë e kësaj administrate, duket se më këtë dalje për t’i treguar publikut se ndodhet në presion kërkon të shkëputet nga kopeja e zezë dhe të shfaqet si delja e bardhë . Është si të thuash u distancua nga vetvetja. Ai është ky një shembull apo rasti alla Lame i veçuar, që gjithsesi duket PR mediokër, apo është fillimi i një aksioni marketingu brenda vetë mazhorancës për t’u distancuar nga vetvetja dhe mëkati, me idenë të shpëtojë kush të shpëtojë dhe për të fituar nesër zgjedhjet?
Artan Lame, ishte i pari, e ndoshta të tjerë pasi tij do përpiqen për të krijuar alibin se nuk janë këta që qeverisin faji I gjërave të bëra keq por dikush tjetër. Dhe kjo alibi jemi, Ne
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.