Drejtësia

Tenderi i rrugës Kardhiq-Delvinë/ Sonila Qato në SPAK, akuzohet për shpërdorim detyre

Gazeta Si - SPAK i komunikoi akuzën e shpërdorimit të detyrës për shkeljen e barazisë në tenderë Sonila Qatos, e cila mbajti për 9 muaj detyrën e drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar deri në shtator 2019, kur dha dorëheqjen në kulmin e një përplasjeje me një subjekt privat.

Ish-zyrtarja dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave konsiderohen nga SPAK në shkelje të detyrës për përzgjedhjen e një tenderi për aksin rrugor Kardhiq-Delvinë.

Hetimet ndaj Qatos po zhvillohen për shkak të kallëzimit që është bërë nga një kompani ndërtimi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Sipas KLSH, ka dyshimet që me tenderin e kësaj rruge ka abuzime në vlerën 5 milionë Euro. Ndërsa në kallëzimin e kompanisë, kjo e fundit pretendon se është skualifikuar nga gara për tenderin në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të ligjit.

Për herë të parë, Qato u paraqit në SPAK edhe në fillim të muajit tetor, pasi ishte thirrur për të dhënë deklarime, si person që kishte dijeni.

Qato, e cila ka mbajtur edhe portofolin e ministres së Sipërmarrjes, tha se e dha dorëheqjen nga ARRSH, për të lejuar SPAK-un të hetojë një proces pa trysni politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë