Drejtësia

Shkelje e barazisë në tenderë, ish-drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato dëshmon rreth 2 orë në SPAK

Gazeta Si - Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato, ka qëndruar për mbi dy orë në SPAK, pasi u mor në pyetje në lidhje me rrugën Kardhiq-Delvinë.

Pasi ka dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme, Qato tha se ishte pyetur si person në dijeni në lidhje me tenderin për të cilin akuzohet për shpërdorim detyre nga KLSH.

Gjithçka nisi pas kallëzimit të kompanisë “Gjoka”, e cila pretendon se u përjashtua nga tenderi në mënyrë të paligjshme.

“Procedura e kallëzimit është procedura e rrugës Kardhiq-Delvinë. U pyeta në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes”, - tha Qato për mediat.

Zyrtarja shtoi se hetimet e prokurorisë po zhvillohen për shkelje të barazisë në tenderë.

“Mesa u njoftova, për shkelje të barazisë në tenderë. Përderisa prokuroria është duke kryer veprimet e veta proceduriale, unë mendoj se edhe shkaku i dorëheqjes time në 2019 ka qenë pikërisht dhënia e mundësisë prokurorisë për të vënë drejtësi dhe për të nxjerrë të vërtetën në pah, kështu që lejojeni prokurorinë ashtu sikurse dhe unë, të bëjë detyrat e veta”, - vijoi Qato.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e kallëzoi Qaton për ndjekje penale për abuzim 5 milionë euro me tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Pas auditimit të tenderit, KLSH kërkoi hetim të thelluar penal ndaj Qatos, duke e akuzuar se ka skualifikuar pa të drejtë ofertën më të ulët, atë të paraqitur nga një kompani.

Në auditimin e bërë më vonë, KLSH thotë se skualifikimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi kompania në fjalë kishte paraqitur ofertën më të ulët dhe se me vendim të Komisionit të Prokurimit Publik duhej shpallur fituese, por vendimi nuk është zbatuar. Sonila Qato dha dorëheqjen nga detyra në shtator 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë