Arsim

Kartat, zgjedhjet, tarifat… Ku nuk është plotësuar ende Pakti për Universitetin

Qëndresa Qytetare nëpërmjet nismës “Arsimi në Fokus” me mbështetjen e Qendrës Olof Palme, ka publikuar gjetjet e monitorimit të dytë për zbatimin e “Paktit për Universitetin” duke përfshirë çdo akt, afat, vendim apo iniciativë të adresuar në këtë dokument politikash.

Qëllimi i këtij monitorimi, sipas kësaj organizate, është nxitja e llogaridhënies dhe transparencës së zbatimit të masave të ndërmarra nga qeveria në kuadër të paktit dhe maksimizimi i përfitimeve të studentëve nëpërmjet fuqizimit dhe përfshirjes së tyre në këtë proces. Monitorimi synon gjithashtu të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj qeverisë për të implementuar në kohë dhe me cilësi premtimet e bëra në Paktin për Universitetin.

Njëkohësisht kjo nismë synon të ndërgjegjësojë palët e interesuara (studentë, pedagogë, OJF dhe aktivistë të shoqërisë civile), të veprojnë për të përfituar maksimumin nga “Pakti për Universitetin”, për studentët me qëllim final përmirësimin e cilësisë arsimore dhe jetës studentore.

Gjetjet kryesore të monitorimit:

  • Karta e Studentit dhe Investimi në konvikte u zbatua vetëm në nivel lokal duke diferencuar studentët e Tiranës nga ata të 5 bashkive të tjera universitare, të cilat nuk përfituan asnjë fond për investime në konvikte si dhe studentët e këtyre universiteteve të mos gëzojnë të drejtën ligjore për t’u pajisur me Kartë Studenti.
  • 35 anëtarët e rinj të bordit përfaqësues të MASR u premtuan se do të ishin figura publike por vetëm 13 prej tyre janë figura publike ndërsa 22 anëtarë janë persona me profil të ulet sa i përket prezencës dhe informacionit që gjendet për ta në publik. Nga 35 anëtarët e emëruar, 18 janë funksionarë të administratës publike, 8 nga bota akademike, 6 nga shoqëria civile dhe sektori privat dhe 3 nga fusha e gazetarisë.
  • Procesi i zgjedhjes nga studentët i anëtarëve përfaqësues të MASR në bordet e administrimit tejkaloi afatet e parashikuara, u shoqëruan me mungesë transparence dhe pjesëmarrje (11% në UT). Mungesa e rregullores specifike mbi procesin e votimeve solli cenim të së drejtës së votës pasi MASR në disa raste përzgjodhi kandidatët jo në bazë të votave të studentëve por në bazë të kodit të procedurave administrative.
  • Buxheti në dispozicion të Kartës së Studentit për vitin 2019 nga MASR është 0 lek. Karta e Studentit e prodhuar nga bashkia përmban 40 shërbime të miratuara nga Këshilli Bashkiak duke ofruar ulje për vizitat në muze, teatër e kinema por nuk përfshin nevojat bazike të studentëve si transporti, ushqimi, kancelaritë, librat dhe komunikacioni.
  • Qeveria nuk mbajti premtimin për nisjen e procesit të rishikimit të titujve shkencorë dhe kontrollit anti-plagjiaturë brenda muajit Qershor 2019 sipas VKM nr. 777. Gjatë kësaj periudhe asnjë titull shkencor nuk është kontrolluar apo raportuar për plagjiaturë në universitete.
  • Sondazhi Kombëtar i Studentëve anashkaloi trajtimin e fenomenit të korrupsionit në universitete për raste dhe emra specifikë dhe krijimin e dosjeve personale të pedagogëve sipas vlerësimit të studentëve.
    Rezultatet e sondazhit nuk janë bërë ende publike megjithëse ky proces duhet të mbaronte në 2 maj 2019.
  • Biblioteka online përmban një numër të lartë të materialeve shkencore në gjuhë të huaj, megjithëse kjo platformë kushtoi 687.825 USD studentët nuk arrijnë të gjejnë informacion që përkon me kurrikulat e tyre mësimore dhe nuk aksesojnë asnjë libër apo material shkencor në gjuhën shqipe.
  • Qeveria kishte parashikuar që brenda muajit Maj 2019 të krijojë Fondin e Solidaritetit për arsimin e lartë, ku 20 % e fondit të përgjegjësisë sociale të koorporatave që gëzojnë kontrata koncesionare të shkojnë për financimin e Arsimit të Lartë, por ende nuk ka asnjë shifër ose dokument publik që provon krijimin e Fondit të Solidaritetit.
  • Portali U-transparenca përmban të dhëna zyrtare mbi CV-të e pedagogëve dhe Anëtarëve të Bordeve por shfaq problematika në zbardhjen e vendimeve të Bordeve, prokurimet publike dhe qartësinë e treguesve financiarë për studentët.

Kjo është faza e dytë e monitorimit të ekipit të Qëndresës Qytetare, i cili ka vlerësuar cilësinë, transparencën, territorin dhe kohën e realizimit të premtimeve që parashikon Pakti për Universitetin ku indikatori kryesor matës ka qenë efektiviteti i realizimit të premtimit.
Në fazën e parë të monitorimit ekspertët e Qëndresës Qytetare kanë vlerësuar raportin mes kërkesave të studentëve dhe adresimeve të tyre në Paktin për Universitetin dhe indikatorë matës kanë qenë:Niveli i realizimit të kërkesës; Transparenca e procesve të parashikuara në Paktin për Universitetin; Retorika dhe komunikimi publik.

Kjo periudhë monitorimi ka përkuar edhe me fushatën elektorale për zgjedhjet vendore ku Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka premtuar se brenda mandatit të tij të dytë do të ndërtojë Kampusin Universitar, i cili do të përbëhet nga 11 godina të reja në Qytetin Studenti si dhe ambiente të reja leximi e studimi. Ndërhyrja në 16 godinat e konvikteve deri në muajin qershor 2019 ka qenë në fasada dhe korridore dhe është premtuar që gjatë verës do të ndërhyhet në dhomat e studentëve, kohë kjo që përkon me boshatisjen e konvikteve për shkak të përfundimit të vitit akademik.
Ndërkohë asnjë investim nuk është parashikuar gjatë këtij viti për konviktet e bashkive të tjera universitare (Elbasan, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër), të cilat kanë trashëguar një situatë më të rëndë dhe mungesë investimesh më të gjatë në kohë se konviktet e kryeqytetit ndër vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë