Drejtësia

Rekrutuan luftëtarë për në Siri, GJKKO shpall fajtorë dhe dënon 14 persona

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të enjten, më 11 qershor, vendimin për një grup prej 14 personash të akuzuar për rekrutimin e luftëtarëve për në Siri me qëllime terroriste. Në total, gjykata ka dhënë 112 vite burgim.

Sipas vendimit, Shyqyri Kaca dhe Saimir Kaca janë dënuar secili me nga 10 vite burg, pas bashkimit të dënimeve për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

Ndërkohë, Enes Kaca është dënuar me 5 vite burgim, duke u gjykuar si i mitur. Për të tjerët, Bajram Sulaj, Arbër Stafasani, Etion Zani dhe Erion Luto, gjykata ka caktuar nga 9 vite burg për secilin.

Pjesa tjetër e të pandehurve është dënuar me masa që variojnë nga 4 deri në 8 vite burgim.

Gjykata ka urdhëruar që dënimet të vuahen në burgje të sigurisë së lartë, ndërsa ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar SPAK-ut.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve nga njoftimi i arsyetimit të plotë të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë