Arsim

Shifrat tregojnë interes të ulët për arsimin profesional në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’- Në një konferencë kushtuar arsimit dhe tregut të punësimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se reformat e qeverisë së tij kanë nxitur rritjen e interesit për arsimin profesional, duke e konsideruar atë një alternativë të rëndësishme për të rinjtë.

“Nëse në fillim të këtij rrugëtimi nxënësit që shkonin në dyert e arsimit profesional ishin pak më shumë se 10%, sot janë thuajse 20%. Por kjo është një fazë, ndërkohë që nuk është mbërritje, sepse synimi ynë është që të kemi një në tre nxënës në arsimin profesional”, u shpreh Rama.

Megjithatë, të dhënat zyrtare të INSTAT paraqesin një tablo më pak optimiste. Sipas statistikave, në vitin shkollor 2024–2025, 12.3% e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë, ose rreth 3.192 nxënës, kanë zgjedhur arsimin profesional.

Në një perspektivë më afatgjatë, të dhënat tregojnë se interesi për këtë drejtim ka pësuar luhatje, nga një kulm prej 15.4% në vitin 2019, në një rënie dhe stagnim rreth 11.9% në vitet pasuese, me një rikuperim të lehtë vetëm së fundmi.

Në këtë kuptim, ndërsa objektivi i Kryeministrit mbetet që “një në tre nxënës” të zgjedhë arsimin profesional, shifrat aktuale tregojnë se realiteti është ende larg këtij synimi, me rreth 1 në 8 nxënës që ndjek këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë