Libra

Ish e dashura, diktatura, armiqtë: Çfarë përmban biografia e re e Papa Françeskut

Nga Gaetan Supertino - Papa Françesku dhe Fabio Marchese Ragona, kanë botuar një libër të ri që tregon jetën e Papës me titull “Jeta ime përmes historisë”. Libri, që mëton të jetë një autobiografi e Jorge Mario Bergoglio, emri i lindjes së Papës, ka në fakt një domethënie të dyfishtë, me rreshtat e shkruara nga vetë Françesku, të ndërthurura me prozën e gazetarit italian.

Ky libër nuk përmban lajme të reja. Përkundrazi, shihet si një mjet përmes të cilit Papa përcjell mesazhe mbi gjendjen aktuale botës dhe të Kishës Katolike. Dhe e bën këtë përmes interpretimit të trazirave të mëdha të historisë bashkëkohore. Në një intervistë për “Le Monde”, Ragona rrëfen prapaskenat e shkrimit të këtij libri.

Ju jeni ai që e filloi këtë projekt. Si u njohët me Papa Françeskun?

E kisha takuar Papa Françeskun në disa raste, si pjesë e punës sime si korrespondent i Vatikanit për televizionin kombëtar të Italisë Mediaset. Por fillova të punoja më ngushtë me të nga janari i vitit 2021, kur realizova intervistën time të parë me të, e cila u pasua nga dy të tjera. Ishim në mesin e pandemisë Covid-19, dhe i kisha shkruar një letër ku i kërkoja një intervistë. Pasi priti për ca kohë, ai papritmas më telefonoi një mbrëmje duke më thënë tha se pranonte të fliste mbi atë periudhë dramatike.

Cilat burime keni përdorur për të shkruar këtë libër? A u shpik apo u trillua ndonjë pasazh?

Gjithçka e shkruar në këtë libër, vjen nga kujtimet e Papës. Ne punuam për gati një vit, mes takimeve kokë më kokë (që nganjëherë që zgjasnin disa orë), telefonatave dhe e-maileve. Pasi e mbaruam së shkruari, pasuan një mori telefonatash, pothuajse çdo javë, për të punuar, korrigjuar, modifikuar dhe shtuar elementë të rinj në libër.

Edhe pse ishin biseda gojore, për t’i hedhur si duhet në letër, u detyrova të ndryshoja pak stilin dhe ta bëja rrëfimin të përshtatshëm për lexim. Për këtë arsye, duke qenë në rolin e rrëfimtarit, përdora disa mjete letrare, pa u distancuar megjithatë nga realiteti i fakteve të rrëfyera nga Papa. Nuk ka pasur asnjë shpikje nga ana ime.

Çfarë mësuat nga Papa nga bashkë-shkrimi i këtij libri?

Kuptova se gjestet që ka bërë gjatë papatit së tij nuk janë truke marketingu. Për shembull, nëse ai u kushton kaq shumë vëmendje të varfërve, kjo ndodh sepse ka jetuar gjithmonë mes tyre. Të varfrit kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së tij, që nga fëmijëria e tij në lagjen e klasës punëtore Flores, në perëndim të Buenos Airesit, ose në kontakt me punëtorët polakë që punonin në Argjentinë me babain e tij, një kontabilist në profesion, dhe me të cilin ai kaloi shumë kohë.

Po ashtu, e kuptova pse ai këmbëngul kaq shumë në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve. Prindërit dhe gjyshërit e tij, erdhën në Argjentinë nga Italia në fillim të shekullit XX-të dhe atyre iu desh të integroheshin pavarësisht vështirësive, siç ishin ato pas krizës ekonomike të vitit 1929.

Mua më ka bërë shumë përshtypje historia e fëmijërisë së tij, kur luante futboll në rrugë, shkonte në stadiumin San Lorenzo de Almagro, apo kalonte ditë të tëra duke biseduar me gjyshen. Asnjëra prej tyre nuk e predispozonte që të bëhej Papë!

Papa e dënon edhe totalitarizmin dhe flet për “Ukrainën e martirizuar”, por nuk e përmend asnjëherë Rusinë. Pse?

Ai më ka folur mbi luftën në përgjithësi, duke u ndalur mbi të gjitha tek të gjithë njerëzit e botës që po vuajnë, pasi po bombardohen.

Në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, ju përmendni vetëm Papa Piun XII (1876-1958) kur ai bënte thirrje për paqe ose kritikonte dënimet me vdekje. Po pse nuk e përmendët heshtjen e tij në lidhje me Gjermaninë naziste dhe Holokaustin?

Papa ishte i prirur që t’i citonte këto fjalime të Piut XII, për t’i bërë ato të ditura për të gjithë. Por gjatë intervistave tona, ne nuk biseduam mbi heshtjen e tij ndaj Holokaustit. Preferova të mos flas për këtë çështje, pasi kërkimet mbi të janë ende shumë të hapura.

Arkivat e papatit janë bërë publike së fundmi, dhe në e dimë se në të njëjtën kohë ai ndihmoi shumë hebrenj të arratiseshin ose të fshiheshin. Nga sa kam lexuar, peshkopët gjermanë të asaj kohe e këshilluan Piun XII të kishte kujdes nga ajo që thoshte, sepse përballë tërbimit të Hitlerit, mund të kishin vdekur shumë njerëz të tjerë.

Ju thoni se Françesku është etiketuar prej kohësh ai një klerik autoritar, i majtë....Si e shpjegoni këtë?

Ai i bëri shumë armiq që në rininë e tij. Për shembull, kur ishte në krye të jezuitëve argjentinas gjatë viteve 1973-1980 në Buenos Aires, mori vendime të guximshme që nuk i pëlqenin gjithmonë njerëzve, siç ishte dërgimi i priftërinjve në periferi për t’i mësuar Biblën fëmijëve.

Kjo lëvizje nuk u pëlqeu jezuitëve të asaj kohe, dhe ai u cilësua menjëherë si një “autoritar”. Për këtë arsye e “ulën” në pozitën e rrëfimtarit dhe më pas e dërguan në Kordoba për 2 vjet. Sot ashtu si të kaluarën, një pjesë e Kishës dhe e botës perëndimore përpiqet të kuptojë vëmendjen e tij ndaj të varfërve, madje duke shkuar aq larg sa ta etiketojë atë si komunist.

Por ky është një thjeshtëzim. Papa është përshkruar shpesh në një mënyrë të shtrembëruar, dhe unë mendoj se libri do të na ndihmojë ta njohim më mirë. Por ai nuk ka ndonjë qëllim “politik”. Ky libër u konceptua që të rinjtë të dëgjojnë historinë, dëshminë e tij, dhe të rriten me vetëdijen se bota ka bërë shumë gabime. Të dy donim t’ua transmetonim këtë mesazh të rinjve. Përndryshe, Françesku nuk do ta kishte pranuar propozimin tim.

Në libër ka edhe shumë pasazhe mbi ndërtimin e Evropës. A ekziston dëshira për të folur me votuesit për zgjedhjet e ardhshme në Bashkimin Evropian, në një kohë kur nacionalizmi po fiton terren?

Absolutisht jo. Kur folëm për Evropën, nuk pati asnjë referencë për zgjedhjet e ardhshme, pasi Françesku refuzon të ndërhyjë në fushatat elektorale. Nga ana tjetër, lindja e Bashkimit Evropian është një moment historik me rëndësi botërore ndaj meriton vëmendje.

Fjalët e tij për Evropën dhe Bashkimin Evropian - sipas tij “një nga krijimet më të mira politike në botë”, sepse mishëron një “familje popujsh”, një “autoritet me shumë aftësi” dhe që ashtu si Kisha “parandalon rrëshqitjet në nacionalizëm”, mbeten po aq të vlefshme edhe sot sa edhe atëherë.

Përveç Papës, a e kanë redaktuar librin edhe njerëz të tjerë në Vatikan? Sa e lirë është fjala e një Pape?

Fjala e Papës është absolutisht e lirë, edhe nëse shumë njerëz punojnë për ta censuruar atë. Papa Françesku e ka lexuar tekstin kapitull për kapitull, madje ka kontrolluar deri edhe presjet. Ai vetë vuri në dukje disa gabime shtypi në tekst. Mund të ndodhin!

Megjithatë, ai mbetet shumë i matur në lidhje me emocionet e tij. A është kjo e lidhur me personalitetin apo statusin e tij?

Përkundrazi, mendoj se Papa iu hap publikut pa filtra, me thjeshtësi dhe sinqeritet. Në kapitullin ku ai rrëfen mbledhjen e konklavës që çoi në zgjedhjen e tij Papë, ai përshkruan emocionin e tij kur pa të gjithë ata njerëz që e prisnin në sheshin e Shën Pjetrit.

Ai kujton prindërit e tij, por edhe të gjithë personat e margjinalizuar që ka takuar gjatë jetës së tij. Libri nuk fokusohet tek emocionet, por në historinë e tij personale dhe mesazhin e tij për të rinjtë. Mbi të gjitha, ka të bëjë me mirësinë, faljen dhe besimin. Është historia e një personaliteti, besimi i të cilit ishte aq i fortë saqë i dha mundësi të ecte përpara dhe të falte mizorinë njerëzore.

Dhe a ishe i lirë në pyetjet që i bëre?

Absolutisht, ai iu përgjigj mbi gjithçka që e pyeta. Nuk kishte tabu, ai iu përgjigj të gjitha kurioziteteve të mia, madje edhe për tema mbi të cilat me herët nuk kishte dashur të fliste hapur, siç ishte vitet e regjimit të Videlës (1925-2013) në Argjentinë, diktatori argjentinas që e sundoi vendin në vitet 1976-1981, teksa Bergoglio ishte kreu provincial i Jezuitëve, apo tek gjëra më personale si ish e dashura e tij.

Pashë se ishte shumë mendje-hapur dhe i disponueshëm, madje edhe për çështjen e zhdukjes së Emanuela Orlandit, një temë që konsiderohet tabu në Vatikan. Adoleshentja u zhduk në mënyrë misterioze më 22 qershor 1983. Papa më foli me qetësi mbi këtë rast, dhe më siguroi me shumë qetësi se e vërteta duhet të dalë në shesh

A nuk jeni të shqetësuar se libri do të kritikohet se është shumë anekdotik dhe jo mjaftueshëm teologjik?

Siç e thotë Papa: “Kritika na nxit të rritemi! E rëndësishme është ajo që të jetë e qartë dhe të mos bëhet pas shpine”. Unë mendoj se ka disa pasazhe shpirtërore shumë të rëndësishme, të cilat tregojnë për shembull, se sa rëndësi i kushton Papa lutjes dhe sa i madh është përkushtimi i tij ndaj Shën Mërisë. Sa i përket teologjisë, ai ka shkruar shumë tekste. Por këtu, tregohet një histori, historia e jetës së tij, midis pikave të forta dhe të dobëta dhe tërësisht e pa filtruar.

Burimi: Le Monde. Përshtati: Gazeta "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë