Ngjarje

I dha biçikletën, pastaj e qëlloi me lopatë në kokë se e ‘shau’. Si ndodhi krimi makabër në Fier

Vrasja monstruoze e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga fqinji i tij në Fier, Klodian Çalamani, përveç dyshimeve të banorëve, është zbuluar nga kamerat e sigurisë të një banese në fshatin Greçalli.

Ndërsa familja dhe banorët po kërkonin vogëlushin që ishte shpallur i humbur pas denoncimit, policia ka shkuar në banesën e Çalamanit dhe ka gjetur të groposur në oborr kufomën e 8-vjeçarit.

Të martën, vogëlushi së bashku me vëllain e tij 14 vjeçar, nuk kishin shkuar në shkollë. Pasdite, nëna e tyre Florida Vasiu, pasi ishte kthyer nga puna vuri re mungesën e të birit dhe nisi ta kërkonte në lagje. Pa arritur ta gjente ajo shkoi në polici për të denoncuar humbjen e vogëlushit.

I dha biçikletën, më pas e qëlloi në kokë me lopatë

Por dyshimet e banorëve ishin të forta, pasi ata e kishin parë fëmijën, duke përdorur biçikletën e 38-vjecarit.

Këto të dhëna, përfshirë dhe pamfjet filmike, e çuan policinë të kontrollonte banesën e autorit, ku zbuloi krimin horror.

Autori fillimisht nuk e pranoi krimin, por më pas është “thyer” përpara hetuesve, duke pranuar vrasjen dhe treguar vendin ku e kishte groposur.

8-vjecari u gjet i pajetë dhe i mbuluar me baltë në oborrin e shtëpisë së Çalamanit. Ai është shprehur se pasi fëmijës i kishte dhënë biçikletën ta përdorte, 8-vjeçari, sipas tij e kishte sharë.

Ky ka qenë sipas tij edhe motivi për të cilën ai e kishte goditur të miturin me lopatë në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar vdekjen.

E gjithë kjo ndodhi në portën e shtëpisë së tij. Më pas Klodian Çalamani e ka zhvendosur trupin e pajetë të vogëlushit në oborr ku dhe e ka groposur.

Kush është autori

Fqinjët e Çalamanit tregojnë se 38-vjeçari jetonte i vetëm dhe nuk punonte rregullisht. Shpesh ai shihej i dehur në fshat.

Autori ishte rritur në një familje pa nënë dhe pa baba. Thuhet se e ëma ishte martuar në Maqedoni, ndërsa babai dhe një vëlla janë të dënuar në Greqi pr vepra të ndryshme penale.

I dënuar më parë për pengmarrje

Klodian Çalamani në vitin 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu (xhaxhai i viktimës), 25 vjeç, nga fshati Greçalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër.

Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i dëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin, duke ia prerë me biçak.

Për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Aso kohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në gusht të vitit 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë