Dosje

Dyshime se shtëpia e monstrës që vrau 8-vjeçarin u dogj për të fshehur gjurmët

Policia raportoi paraditen e kësaj të premte se u dogj shtëpia e Klodian Çalamanit, monstrës 38-vjeçar të Fierit që vrau mizorisht 8-vjeçarin Mateo në ngjarjen e rëndë të pak ditëve më parë në fshatin Grecalli.

Burime të Gazetasi.al thonë se djegia nuk është e rastësishme, as nga ndonjë shkëndijë elektrike dhe as nga ndonjë bombol gazi. Këto dy pista përjashtohen për faktin se energjia elektrike në këtë banesë është ndërprerë, ndërsa gjatë kontrolleve të imtësishme të grupit hetimor nuk ka pasur as bombol gazi.

Kjo shtyn grupin hetimor drejt pistës së djegies së qëllimshme të banesës. Pyetja që po mundohet t’i jepet përgjigje është se nga kush? Vetë Klodian Çalamani ndodhet në paraburgimin e Vlorës që pas arrestimit për krimin makabër.

Për këtë arsye, dyshimet e policisë janë se ngjarja ka lidhje me një banor të fshatit, që me djegien e banesës së Çalamanit ndoshta po mundohet që të fshehë gjurmët e lidhjeve me autorin e krimit.

Grupi hetimor nuk ka përjashtuar ende pistën se 8-vjeçari Mateo është vrarë nga Klodian Çalamani sepse ka parë diçka dhe për të mos i dalë sekreti, monstra 38-vjeçar zgjodhi krimin makabër. Ky sekret, dyshohet se ka të bëjë me një lidhje intime mes Çalamanit dhe një personi tjetër të fshatit. Pikërisht ky person tjetër dyshohet nga policia se mund të jetë autor i djegies së banesës së monstrës së Fierit.

Dyshimet shkojnë në të njëjtën linjë me deklaratat e disa të afërmeve të 8-vjeçarit Çalamani. Halla e tij ka deklaruar e para nëpër intervista televizive se nipi i saj është vrarë për shkak se ka parë diçka. Ajo hodhi dyshimet se pas krimit qëndron edhe një person tjetër, që thotë se është i familjes.

Autopsia e trupit të të miturit nuk u bë. Por, halla e Mateos ka thënë gjithashtu se para se të vritej, Mateo është dhunuar e përdhunuar në mënyrë brutale dhe sipas saj shenjat në trup kanë qenë të dukshme. Ajo ata kanë hetuar në mënyrë private dhe e kanë parë me sytë e tyre masakrën e kryer ndaj 8-vjeçarit, të cilit i është gjetur edhe një tel në gojë, sipas saj. Pretendimet e ngritura nga halla komplikojnë edhe më tej këtë krim monstruoz.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë