Politike

Vrasja e 8-vjeçarit, Rama: Vendim ekstrem ndaj barbarit. Dënimi me vdekje nuk parandalon krime të tilla

Në një konferencë të thirrur për mediat në aeroportin e Rinasit në prag të një vizite zyrtare në Itali, kryeministri Edi Rama ka shprehur tronditjen e thellë për vrasjen makabre të 8-vjeçarit në Fier.

Ai shprehu ngushëllimet e tij për prindërit dhe familjen e vogëlushit, por shtoi se fjalët e tij janë të pafuqishme në këto momente.

Gjatë fjalimit të tij, Rama kërkoi vendimin maksimal nga ana e drejtësisë për autorin, ndonëse theksoi se dënimi me vdekje nuk i parandalon dot ngjarje të tilla.

“Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme, të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë dhe për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës”.

Një pjesë e madhe e opinionit publik kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje për akteve të tilla makabre, por Rama shpjegon se kthimi i një dënimi të tillë, nuk është as i mundur as shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje që ndodhin në të gjitha shoqëritë”.

“Mirëkuptoj këtë reagim në emocionet shumë ekstreme të momentit nga një pjesë e konsiderueshme të shoqërisë, por çështja e dënimit me vdekje është çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit, - tha ai. - Në adresimin e kësaj çështjeje, ka pasur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e para hapat për heqjen e dënimit me vdekje, të cilat kanë folur qartësisht se jo vetëm në aspektin moral, por dhe në aspektin praktik, dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme për shoqëritë ngjarje të tilla. Fatkeqësisht shoqëritë edhe në vende më të zhvilluara i kanë këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut”.

Kryeministri tha se është e udhës që të rishikohet Kodi Penal, por thelbi sipas tij është rikthimi i trupave gjykuese në nivel legjislacioni.

Rama pranoi po ashtu se gjuha kriminalizuese e politikës sidomos në Parlament, inkurajon elementët me prirje kriminale dhe barbare.

I pyetur nga gazetarët se këto janë raste të përsëritura dhe se ai vetë është akuzuar në Parlament për dhunë, nëse ka një mesazh për burrat, Rama shprehur keqardhjen për gjuhën që përdoret nga ligjvënësit.

“Unë mendoj që politika me gjuhën e saj, akuzat e saj, kur them politika kam parasysh atë burim të pasur të këtij pisllëku gjuhësor dhe jo të gjithë, kontribuon në ushqimin e një klime psikologjike të rënduar dhe është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe ta bësh këtë. Ashtu sikundër qysh në kohën e Romës, civilizimit romak është përcaktuar vija ndarëse mes akuzuesve dhe të akuzuarve”.

Sipas tij është kultura e trashëguar nga diktatura që dikton sjellje të tilla, duke mos pranuar mendimin ndryshe.

Shefi i qeverisë, nënvizoi se 38-vjeçari ishte arrestuar disa vite më parë dhe ishte dënuar nga gjykata.

Autori kishte dalë nga qelia pas shlyerjes së dënimit dhe mbërriti deri në aktin ekstrem kur goditi me sëpatë në kokë 8-vjeçarin Mateo dhe e varrosi në oborrin e shtëpisë së tij.

“Nuk është rasti tipik në fakt i përsëritësve të liruar papërgjegjshmërisht, sepse shumë vite më parë autori është ndaluar për heqje të paligjshme të lirisë dhe e ka marrë një dënim të cilin e ka kryer, - vijoi Rama. - Mbetet pastaj çështje e diskutueshme nëse dënimi ka qenë i mjaftueshëm ose jo, por ka kryer disa vite dënimi. Është realisht tragjike, por këto janë ngjarje ekstreme të cilat nuk janë evituar në asnjë vend të botës edhe nuk evitohen 100% sido që t’i shkruash ligjet edhe sado në lartësinë e ligjit të jenë trupat gjykuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë