Ngjarje

Zjarri në Astir/ I vuri flakën shtëpisë… Por kush kujdeset për të sëmurët mendorë si Klodjani

Mirela Guri, 50 vjeç, jeton në katin e katërt të pallatit Fratari në zonën e Astirit. Ajo doli e trembur në ballkonin e saj, teksa një kat më poshtë flakët kishin përpirë fqinjët. Flakët e dëmtuan dhe për këtë arsye ajo u dërgua në spital për t’u kuruar, teksa s’dinte asgjë se ndërkohë një kat më poshtë fqinji, një i ri me probleme mendore me shumë gjasë i kishte vendosur zjarrin shtëpisë dhe e ktheu banesën në një vatër të rrezikshme jo vetëm për anëtarët e familjes, por edhe për të gjithë pallatin. E ëma e Hava Osmënaj nga Mallakastra dhe me banim në Tiranë, pasi tentoi ta shpëtojë të birin, u hodh e para nga ballkoni për shkak të flakëve që po përpinin çdo gjë me shpejtësi. I biri, Klodjani u hodh pas saj dhe po mbahet nën kurim dhe nën kujdesin e mjekëve.
36-vjeçari raportohet nga policia për Gazetën “Si” se ishte vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ky version përforcohet edhe nga fqinjët që tregojnë se si shpesh dëgjonin britma dhe e moshuara - sipas tyre - dhunohej nga djali. Edhe administratorja e pallatit në rrugën “Tom Plazha”, tregon se si kur u zgjua pa se çdo gjë ishte mbuluar nga tymi. “Ka qenë përherë problematik, pasi bënte sherre dhe hidhte sende nga ballkoni”, shton gruaja sipas të cilës ajo ka njoftuar shpesh policinë.
Komisariati numër 6 i tha Gazetës “Si” se e moshuara Hanko Osmanaj, nuk posedonte asnjë urdhër mbrojtjeje dhe as që kishte pranuar ndonjëherë të merrte urdhër mbrojtjeje. “Pavarësisht denoncimeve të banorëve, familja u përpoq ta mbante një çështje private”, deklaroi një oficer i rendit për Gazetën “Si”. Por të gjithë fqinjët e 62-vjeçares Osmanaj shtojnë se i riu ishte agresiv, ndonëse nuk janë të bindur të gjithë nëse ishte apo jo ai autori i zjarrvënies.
“Do të pritet ekspertiza që do të përcaktojë vatrën e zjarrit, nuk mund të themi nëse është apo jo djali autori i ngjarjes. Për momentin mund të themi me siguri se nga zjarri ka dy të plagosur dhe një grua që humbi jetën, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha, pasi shtëpia në katin e tretë është shkrumbuar tërësisht, sëbashku me të, edhe dyert e banesave të shkallës ku ndodhet apartamenti si dhe një tendë”, deklaroi policia.
Por përpos të dhënave përmes të cilave policia këmbëngul se u njoftua në sallën operative në orën 06.20, disa pyetje shtrohen pas zjarrit që i mori jetën kryefamiljares Osmanaj, e cila për të shpëtuar u vetëhodh nga ballkoni duke gjetur vdekjen në vend.
E para, ndërhyrja me mjaft vonesë e forcave zjarrfikëse por edhe mungesa e shkallëve të emergjencës, për të cilat banorët e kanë ngritur zërin dhe janë ankuar. E dyta, rikthimi si protagonistë (nëse vërtetohet kjo gjë) i personave me probleme mendore
Kush kujdeset për të sëmurët mendorë
Vendi unë numëron disa spitale të trajtimit të shëndetit mendor, spitali psikiatrik Elbasan, Vlorë, QSUT Tiranë, shërbimi psikiatrik dhe shërbimi i specializuar Shkodër. Por këto spitale konsiderohen të tejmbushura e ndaj shumë herë kërkesat e vazhdueshme për të kuruar shtetasit me probleme mendore nuk gjejnë zgjidhje. Të gjitha spitalet kanë mundësi shtrimi deri në 1 mijë persona në shkallë vendi, në gjendje mbipopullimi dhe kjo ka sjellë dështim total të trajtimit dhe kurimit të të sëmurëve me çrregullime mendore…
Në një nga ditët e prillit të këtij viti, Agustini u telefonua nga spitali psikiatrik i Vlorës që e njoftoi shkurt: Duhet të vish të marrësh motrën. “E kam vizituar shpesh, e mbaj mend i vogël kur ajo u dërgua nga prindërit që në adoleshencë dhe në të dy u ndamë; rrallë e merrte mamaja dhe pastaj dërgohej prapë në psikiatri. Asnjë nga ne nuk ishte në gjendje ta trajtonte”, thotë Agustini për Gazetën “Si”. Burri nga Vlora, baba i dy fëmijëve, e mori të motrën pas kërkesës së mjekëve dhe me një mal me ilaçe iu tregua se çfarë duhet t’i jepte nga ora në orë. “Frika ime është po sikur nesër mos të jem unë, prindërit ndërruan jetë, jam me fëmijë të vegjël”, thotë ai për Gazetën “Si”.
Edhe të tjerë, ashtu si Agustini, për shkaqe nga më të ndryshmet rreken ta trajtojnë shëndetin mendor si diçka që kurohet gradualisht, që nuk ka nevojë për t’u mësuar nga të tjerët dhe që për një mijë arsye marrin përsipër ta kryejnë vetë trajtimin ambulator të familjarëve.
Edhe gjykatat..
Kur për 28-vjeçaren A.L., me çrregullime psikike gjykata vendosi mjekim të detyrueshëm pasi kishte tentuar të qëllonte të atin me thikë, prindërit e saj të moshuar u shprehën se donin ta çonin në një spital psikiatrik. “Vajza jonë bëhet e dhunshme”, tha i ati, që me vendimin gjyqësor u ngarkua të kujdesej për t’i dhënë ilaçet së bijës.
Dhjetëra prindër në vend konsiderohen si kujdestarët e fëmijëve me probleme të shëndetit mendor po ashtu si personat përgjegjës që duhet t’u japin atyre medikamente. Në derën e mjekësisë ligjore, Adilja 68 vjeç, ka udhëtuar nga fshati Zhupan për ta shoqëruar të birin, i cili do t’u nënshtrohet vizitave. "I bëra lekët e udhëtimit duke shitur bulmetin. Në muajin gusht djali u bë i dhunshëm, pasi i merrte ilaçet në mënyrë të çrregullt. Më rrahu mua dhe gruan e të vëllait. E mbajtën në psikiatrinë e Vlorës një muaj, kur u kthye ishte më i qetë. Tani prokurori thotë “dërgoje t’i bëhet espertiza dhe të vendoset çdo bëhet me hetimin ndaj djalit”. Por ai duket që është i sëmurë”, tregon 68-vjeçarja për Gazetën “Si”.
Dhunuesit e anëtarëve të familjes dënohen nga gjykatat me masën e mjekimit të detyruar ambulator. Në vendimet që Gazeta “Si” ka studiuar gjatë kësaj kohe, nga ngjarja në ngjarje, konstatohet se shifrat sa vijnë e përkeqësohen. E gjitha kjo hedh dyshime mbi trajtimin real të të sëmurëve.
Z.P., e cila është denoncuesja e të shoqit të dhunshëm, në përfundim u caktua të shoqëronte të shoqin pranë një Qendre Komunitare për mjekim të detyruar ambulator. Vendimi që iu vendos në dispozicion Gazetës “Si” thotë: Në respekt të detyrimeve ligjore për kontrollin periodik të masave mjekësore të caktuara gjyqësisht… me qëllim verifikimin e gjendjes aktuale psikike të shtetasit B.P., 51 vjeç, u vendos kryerja e një Akti Ekspertimi Psikiatriko Ligjor nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që cakton se B.P. vuan nga skizofrenia e tipit paranoid”.
Të tjerë të pandehur për të cilët gjykata vlerëson herëpashere gjendjen mendore dhe që kanë kryer krime të rënda, dërgohen pranë Mjekësisë Ligjore për rivlerësim. Dhe gjykata në një nga rastet shkruan “Ecuria e sëmundjes nga e cila vuan shtetasi R. është kronike dhe gjendja aktuale e tij e pastabilizuar, paraqet humor të luhatshëm, kritike sipërfaqësor dhe tendenca për çrregullime të sjelljes”. Në raste të tilla ata dërgohen në Zahari, një burg që duhej të ishte mbyllur dhe brenda të cilit mbahen rreth 240 autorë veprash penale të cilët trajtohen si të burgosur. Të gjithë këta duhet të mbaheshin në një spital-burg që nuk duhet të ishte Zaharia, por një spital i posaçëm që ende nuk është ndërtuar dhe nuk ekzsiton.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë