Drejtësia

Nis gjykimi ndaj ‘monstrës’ së Fierit, Klodian Çalamani nuk paraqitet në gjykatë

Gazeta Si - Gjykata e Fierit, pranoi dosjen e prokurorisë dhe nisjen e gjykimit për Klodian Çalamanin, i cili nëntorin e kaluar vrau pasi abuzoi fqinjin 8-vjecar në fshatin Greçalli.

Policia kishte marrë masa të forta për të shmangur, incidentet, ashtu si gjatë seancës për masën e sigurisë nëntorin e kaluar, kur familjarët hynë me forcë në gjykatë.

Policia rrethoi që herët Gjykatën e Fierit, ndërsa togat e zeza vendosën nisjen e procesit gjyqësor ndaj 38-vjeçarit që nëntorin e vitit të kaluar vrau në formë makrabe Mateo Vasiun.

Por as Klodian Çalamani dhe as familjarët e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nuk u paraqitën në gjykatë, duke u përfaqësuar me avokatë.

Me dyer të mbyllura, gjyqtarja Erlanda Agaj pranoi kërkesën e prokurorisë për nisjen e procesit gjyqësor ndaj vrasësit të fëmijës.

Klodian Çalamani do të përballet me akuzat “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”.

Ajo që e bëri edhe më tragjike këtë ngjarje, ishte se Çalamani e groposi në oborrin e shtëpisë së tij, në tentativën për të fshehur çdo gjurmë.

Mirëpo, pas denoncimit që bënë familjarët, policia ka ushtruar kontrolle në lagje, ku ka zbuluar gropën në të cilën kishte fshehur trupin e 8-vjeçarit.

I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit.

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009.

Pak ditë pas krimit, shtëpia e Çalamanit u dogj nga persona të paidentifikuar, dyshohet në shenjë hakmarrjeje.

Ngjarja e ndodhur në Grecalli të Fierit, tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta në qytete të ndryshme të vendit, ku madje u kërkua edhe vendosja e dënimit me vdekje.

Po ashtu, edhe familjarët e Mateos së vogël, protestuan para ambienteve të paraburgimit në Fier ku mbahej vrasësi, duke tentuar të kalonin edhe kangjellat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë