Drejtësia

Dosja shkon në gjyq, Klodian Çalamani abuzoi seksualisht dhe vrau 8-vjeçarin në Fier

Gazeta Si - Prokuroria e Fierit, ka mbyllur hetimet për vrasjen e rëndë të ndodhur në datën 16 nëntor 2021, ku Klodian Çalamani kishte vrarë të miturin 8 vjeçar Mateo Vasiu.

Ekspertiza e bërë, dëshmon se “monstra”, Klodian Çalamani kishte abuzuar seksualisht me të miturin përpara se ta vriste me lopatë dhe me kazmë.

Ajo që e bëri edhe më tragjike këtë ngjarje, ishte se Çalamani e groposi në oborrin e shtëpisë së tij, në tentativën për të fshehur çdo gjurmë.

Mirëpo, pas denoncimit që bënë familjarët, policia ka ushtruar kontrolle në lagje, ku ka zbuluar gropën në të cilën kishte fshehur trupin e 8-vjeçarit.

Për pasojë, prokuroria e ka çuar për gjykim 38-vjeçarin me akuzat për 2 vepra penale atë të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë dhe “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit”.

I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit.

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009.

Pak ditë pas krimit, shtëpia e Çalamanit u dogj nga persona të paidentifikuar, dyshohet në shenjë hakmarrjeje.

Ngjarja e ndodhur në Grecalli të Fierit, tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta në qytete të ndryshme të vendit, ku madje u kërkua edhe vendosja e dënimit me vdekje.

Po ashtu, edhe familjarët e Mateos së vogël, protestuan para ambienteve të paraburgimit në Fier ku mbahej vrasësi, duke tentuar të kalonin edhe kangjellat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë