Rend dhe Ligj

Policia kontrolloi Klodian Çalamanin në banesë 5 ditë para se të vriste 8-vjeçarin

Klodian Çalamani, autori i vrasjes makabre të 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, ka qenë një hajdut banesash, por ndaj tij nuk ka pasur kallëzim në polici për akuzën e abuzimit seksual.

Duke folur për herë të parë për vrasjen që tronditi vendin, drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se në 7 muajt e fundit, banesa e Çalamanit ishte kontrolluar 6 herë nga uniformat blu.

Sipas tij, 5 ditë përpara se të ndodhte ngjarja e rëndë e vrasjes dhe groposjes së fëmijës 8-vjeçar në fshatin Greçalli të Fierit, 38-vjeçari Klodian Çalamani ishte verifikuar për herë të fundit nga policia.

Në të gjitha rastet e verifikimit ndaj Çalamanit, nuk ka pasur probleme, ndërkohë që informacionet në rrugë operative ndaj 38-vjeçarit kanë qenë në kuadër të vjedhjeve dhe nuk ka pasur të dhëna për veprime të dhunshme apo krime të rënda.

Midis datës 19 prill 2021 (ora 14:01), 19 maj (ora 13:05), 9 korrik (ora 16:13), sërish në 9 korrik (dy herë brenda ditës), 13 gusht (ora 15:35) dhe 22 shtator (15:35), policia e Fierit, e informuar nga operativi i zonës, ka kryer verifikime dhe kontroll në banesën e Çalamanit dhe nuk ka gjetur probleme.

Ndërsa informacioni i fundit i marrë në rrugë operative lidhur me aktivitetin kriminal tij, ka qenë në datën 11 tetor, pikërisht 5 ditë para ngjarjes mkabre që ndodhi në datën 16.

“Përsëri ky informacion ka qenë në fushën e vjedhjes apo në fushën e krimeve kundër pronës. Nuk ka pasur informacion lidhur me aktivitetin e këtij personi në drejtim të krimeve të rënda apo të dhunshme”, deklaroi Gledis Nano gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.

Aktualisht Klodian Çalamani është i arrestuar dhe mbahet në burgun e Vlorës si i akuzuar për vrasjen dhe groposjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu.

Familjarët e vogëlushit të vrarë kanë kërkuar me ngulm dënimin me vdekje për 38-vjeçarin, duke arritur të mbledhin edhe mijëra firma përmes një peticioni.

Ndërkohë, para pak ditësh, banesës së Çalamanit në Greçalli iu vu zjarri në mënyrë të qëllimshme, ku dyshohet se një person i dytë i përfshirë në krim mund ta ketë bërë për të fshehur gjurmët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë