Njerez

I arratisuri kuqezi, nga ‘tradhtar’ në simbol të shoqërisë franceze me Pishtarin Olimpik në duar!

Gazeta Si - Ishin fillimet e demokracisë në 1990-n, ku secili që gjente një hapësirë për të dalë nga Shqipëria, vështirë se kthehej më. Frika se diçka do t'i ndodhte familjes ishte zbehur.

Kështu, më 30 mars të vitit 1991, Kombëtarja shqiptare udhëtoi drejt Francës për ndeshjen kualifikuese të Europianit. Kuqezinjtë humbën 5-0 dhe bashkë me rezultatin humbën edhe lojtarë. Njëri prej tyre ishte Adrian Suka, futbollist i Teutës, i cili pas pak kohësh do të mbajë Pishtarin Olimpik të Olimpiadës Paris 2024.

Për Gazeta "Si" ai rrëfen historinë e tij nga i arratisur në simbol të shoqërisë franceze, për arritjet në sport dhe për kontributin shoqëror.

"Ishte viti 1991, kur ne udhëtuam drejt Francës për ndeshjen me kombëtaren. U mundëm 5-0 dhe unë vendosa të qëndroja atje. U integrova shpejt, pasi fillova të aktivizohem në divizionin e dytë me ekipin e qytetit të Lavalit. Aty luajta deri ne vitin 1995. Në të njëjtin vit kalova tek Entente Sannois Saint-Gratien, ku u bëra trajner ndërkohë që isha edhe lojtar", tregon Suka.

Ishte pikërisht ky moment kur karriera e tij dhe kryesisht jeta pësoi një ndryshim 360 gradë. "Nga 1995-a arritëm të ngjiteshim në 6 kategori vit pas viti, nga e 9-ta në të 3-tën, që në Francë është kategori profesioniste.

Duke qenë se unë isha kontribuuesi kryesor në këto ngjitje kategorish, bashkia e qytetit bashkë me presidentin vendosën që terrenit sportiv të klubit t’i vendosin emrin tim, "Adrian Suka", më 24 maj të vitit 2003. Paralelisht isha pjesë edhe e shoqatave bamirëse dhe gjatë asaj kohe lidhjet tona ishin me qytetin e Jaundes në Kamerun.

Ata i furnizoja shpesh me bazë materiale, si topa, fanella e çdo gjë që duhet për një skuadër futbolli. Për këtë kontribut edhe atje bashkia e qytetit vendosi t’i vërë emrin tim stadiumit, më 14 nëntor të vitit 2009", - tregon Adrian Suka për Gazetën Si.

Prej 10 vitesh Adriani është drejtor i sportit dhe rinisë në bashkinë e qytetit të Sam Gratien, ku vazhdon edhe aktivitet e tij të bamirësisë për fëmijët me leuçemi dhe kancer. Një aktivitet që ish-futbollisti e bën prej 20 vitesh, çdo të shtunë.

"Prej 4 muajsh, Komiteti Olimpik Francez kërkonte sportistë dhe shembuj të sportit në të gjithë Francën për t'i bërë pjesë të maratonës së famshme të parakalimit të Flakës Olimpike. Mua m’u propozua kjo gjë dhe sigurisht pranova mes 100.000 aplikantëve.

Më 19 korrik të këtij viti unë do të përshkoj 400 metra me pishtarin në dorë, dhe në bazë të kërkesave që më ka sjellë CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë), duhet të eci me 5 km/h", - tregon Adrian Suka.

Deri atëherë ka ende kohë, në muajin mars Flaka Olimpike, që tradicionalisht niset nga Olimpia e Greqisë, do të futet në Francë për të bërë parakalimin në disa qytete, në kuadër të ftesës të së gjithëve, në aktivitetin më të madh botëror të sporteve.

"Jam ndjerë shumë krenar për Shqipërinë, Francën dhe padyshim për veten dhe familjen që do të jem pjesë e kësaj ngjarjeje kaq të madhe, të jashtëzakonshme. Do të flas edhe në mbledhjet e ardhshme me Komitetin Olimpik Ndërkobëtar, se do të kemi shumë, do të kërkoj leje, nëse mundem të mbaj edhe flamurin shqiptar. Nëse do të ma lejojnë, do ta bëj me kënaqësinë më të madhe", - përfundoi Adrian Suka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë