Treg

Gocat shqiptare të Instagramit, si shitëse supermarketi të paguara shtrenjtë

Por nuk mungojnë as vlerat në rrjetet sociale ku nismat për tu kthyer tek “gjyshet”, rrënjët po bëhen evidente

Nga Sabina Veizaj - Shpesh kur ha makarona ndërmend gjyshen e ndjerë në dhomën e saj të vogël në katin e tretë të pallatit në qendrën e qytetit jugor tek bënte petat, ato që një pjesë e madhe e njerëzve i njohin si jufkat e Dibrës.

Gjyshja ime ishte nikoqire nga  Starova e Pogradecit dhe gatuante shkëlqyer pa e ngatërruar traditën.

Ajo e jepte shembullin e saj në heshtje, duke vepruar, jo duke na e tergur me të folur.

Gjyshja nuk e hidhte bukën e mbetur, e bënte papare për mëngjes dhe ishte mëngjesi më i mirë në botë. Në fundgusht përgatiste trahananë, blinte qepët, hudhrat, patatet e fasulet për të krijuar zahirenë e dimrit.

Këto janë kujtime që të frymëzojnë dhe pa e kuptuar të drejtojnë përpara. Por fatkeqësisht jeta frenetike, nuk na lë kohë të ndalim gjatë dhe të nxjerrim nga sunduku i kujtimeve, xhevahirët që shkëlqejnë në çdo kohë dhe modelet që kryesisht shoqëria ka situr për të inspiruar, janë modele që nuk ngjajnë fare me filozofinë e jetës së gjyshes time, tëndes, tonës, që e them me siguri nuk ishte e vjetër, por me vlerë.

Dhe kush kërkon gjen…

Dhurata Thanasi i ngjan shumë gjyshes time. Ajo është agronome dhe është themeluesja e Lugës së Argjendtë. Nëse influencerët shqiptarë, apo edhe të huaj do të mendonin si unë, do ta kishin zili. Sepse me të vërtetë të ndjell kujtimet e gjyshes.

Në platformën e saj në Instagram hashtagët e saj bartin kuptimin e traditës, e zhvillimit të saj, zhvillimit të qëndrueshëm, promovimit të produkteve lokale të fermerëve shqiptarë, recetat tradicionale dhe çdo herë mund të zbulosh emra produktesh që i ke patur dëgjuar nga gjyshja dhe i kishe harruar.

“Sa pasta sy dhe gurabije blije me ato lekët aty? Normal që koha ka kaluar dhe shijen e pastas sy dhe kurabijes me gjalpë (margarinë) nuk ta sjell kush më, por a nuk do doje vetëm për ca çaste të jetoje fëmijërinë? A nuk do jepje gjithçka për atë momentin kur babi kishte marrë rrogën, gjyshja pensionin, apo daja që vinte për vizitë dhe të dhuronin një pesleksh e ti mezi prisje “ta prishje” me gocat apo çunat lagjes “tek Lumja” apo klubi i lagjes?! (Për këdo nuk njeh Lumen, është një dyqan pastash pranë “Sheshit Wilson”- është teksti që shoqëron foton e Lugës së Argjendtë, për të treguar që në këtë botë konsumeriste që harxhon shumë më shumë se ç’kanë nevojë duke dëmtuar veten dhe natyrën, ka edhe njerëz që të risjellin traditën, emocionet, kujtimet.

Dhurata Thanasi është fëmijë i viteve 70”. Ajo kujton për gazetën “Si” se fëmijërinë dhe adoleshencën e ka kaluar në një kohë kur kishte nisur shtrëngimi i ushqimit, por falë nënës, gjyshes hahej mirë dhe sipas stinëve. Në fundverë krijohej zahireja e dimrit.

Në 2006 Dhuratës do ti ndryshonte krejt jeta teksa u bë nënë dhe jetonte në Boston, në termat e qasjes ndaj jetesës, ndërsa bota lundronte në konsumerizëm të tejskajshëm.

Dhurata Thanasi, Luga e Argjendtë

Ajo tregon se ishte me fat në atë periudhë pasi në Boston aplikohej energjia e gjelbër dhe ushqimet lokale.

Pasi mbërriti në 2011 në Shqipëri nisi të kërkonte rrënjët për tu kthyer tek to.

Dhurata do të niste me të vërtetë të hapte sunduqet për receta të vjetra, emra produktesh, erëzash antike, djathin e njomë, shtalbin e mandej ti kërkonte në terren pranë fermerëve shqiptarë duke iu dhënë konsulencën për trajtimin dhe ofrimin e produkteve me standardet e kohës.

Luga e Argjendtë do të niste si kolonë tek një gazetë e kohës e mandej do të plotësohej me llogari në rrjetet sociale si Instagram e Facebook duke sjellë copëza Shqipërie nga ajo me vlerë.

Në 2016 Dhurata çel dyqanin e parë në zonën e Ish Bllokut me produkte shqiptare e fill pas tij me kërkesë të njerëzve që ishin në dijeni se Dhurata gatuante mirë, u vendosën tre tavolina për të konsumuar byrekun e ngrohtë të shtëpisë, jufkat e Dibrës që shpesh nuk bëheshin vetëm me pulë, por Dhurata takonte veriun me jugun dhe jufkat i gatuante me midhjet e Vlorës.

Mandej, rrëfen Dhurata nisi të rritej komuniteti dhe nisi rrjetëzimi. Dhurata me Lugën e Argjendtë ka dashur të edukojë opinionin publik, të ndikojë tek ai për një shoqëri që ruan vlerat, traditën, trashëgiminë dhe e pasuron dhe e zhvillon atë për një zhvillim të qëndrueshëm.

Luga e Argjendtë ka në Instagram vetëm 36, 3 mijë ndjekës, por “ata janë të vërtetë dhe që ndajnë shijet, vlerat dhe filozofi të njëjtë me Lugën. Unë nuk jam për konsum të shpejtë. Unë kam qëllim të ndikojë në vlerë dhe jam e kënaqur me këtë rrugëtim. Shpesh kam oferta për të reklamuar produkte në këmbim të parave apo me klering. Nuk kam pranuar, kam refuzuar sepse kam një menatlitet tjetër, një mendim tjetër se si dhe për çfarë duhet ndikuar tek publiku. Unë jam përpjekur të zhvilloj produktin vendas, të krijoj urën mes konsumatorit që e quaj bashkëprodhues me bujkun. Ndërkohë që para disa vitesh x bujk ma sillte mjaltin në shishe plastike, unë e servira në vazo qelqi dhe bujku mësoi dhe ndryshoi mënyrën se si ofron produktin”- rrëfen Dhurata.

Ajo nuk bën kompromis me frymën, filozofinë dhe vlerat që do të përçojë. Ajo promovon atë që beson, atë që e studion thellësisht, që e provon vetë dhe është e bindur tek cilësia.

Dhe rezultati i ndikimit të saj është që gjithandej nëpër Shqipëri, pas saj produktet lokale të bëhen trend dhe restorantet me këto produkte gjithashtu si; Mrizi, Mullixhiu, u hapën dyqane me produkte organike si Mia Organics, etj.

Qëllimi i saj është zhvillimi i qëndrueshëm i territorit, prandaj thotë ajo “në kohën e pandemisë shqiptarët nuk vdiqën për bukë, sepse bujqit nuk qëndruan pa punë sikur një ditë”.

Prandaj Dhurata nuk mund të jetë një influencer që dot të shesë një fustan, nesër salçice dhe pasnesër jufka Dibre.

Por shoqëria, jo vetëm ajo shqiptare ka prodhuar influencera jo si Dhurata, por për konsum të shpejtë, duke përcjellë produkt, çmim dhe jo vlerë.

Që sipas profesor Enea Janko është një marketing, promovim i kufizuar, afatshkurtër dhe pa shumë benefite financiare.

Enea Janko, administrator i EJ Business Consulting

“Përsa i përket përdorimit të influencerave për marketing në Shqipëri, mendoj që ka një lloj efekti për reklamimin e produkteve të kompanive, përsa kohë këta persona publik që përdoren për të influencuar blerësit, kanë një numër të madh ndjekësish në mediat e tyre sociale, por ndërkohë që ky lloj marketingu nuk besoj që ka shumë peshë për ndërtimin e brandit dhe rritjen e reputacionit të kompanive dhe produkteve të tyre, sepse në shumicën e rasteve këta “influencues” nuk janë profesionistë apo njohës të mirë të produkteve apo shërbimeve që ata marketojnë.”- shpjegon ai.

Por nga kompania e Elektroshtëpiekeve SMEG e hedhin poshtë mendimin se marketingu i produkteve apo kompanisë përmes ndikuesëve (influencërve) në rrjetet sociale ndodh natyrshëm, pa strategji, pa profesionalizëm, por sipas tyre bëhet mbi ide të ngritura dhe që u sugjerohen vajzave influencer.

Nga Smeg thonë se kanë gati një vit që po e eksperimentojnë këtë lloj marketingu përmes vajzave të njohura të televizionit në rrjetet sociale dhe ka patur efekt, por ende nuk është qartësisht i matshëm dhe do shihet me kohën. Nga Smeg shpjegojnë se, jo domosdoshmërisht reklamimi ka si qëllim parësor shitjen e produktit, por edhe zgjerimin e njohjes së firmës dhe shtimin e ndjekësve që mandej me kohën mund të përkthehet në shitje të produkteve.

Lauren Bekteshi, nisur nga formimi i saj universitar dhe eksperienca si specialiste marketingu dhe shitjesh në kompani me emër ka arritur në konkluzion se kompanive u bën dëm reklamimi i produkteve përmes vajzave ndikuese.

Lauren Bekteshi, specialiste marketingu dhe shitjesh

Sipas saj, këto vajza janë në supermarkete ku vetë pasurohen dhe varfërojnë bizneset.

“Në të shumtën e rasteve në këtë lloj marketingu përmes ndikuesëve në rrjetet sociale nuk merr një formë zhvillimi profesional të krijimit të një fushate të mirëfilltë. Kjo ndodh shumë rrallë. Sepse biznesi vetë nuk di çfarë do dhe lihet në dorën e një personi, i cili për shkak se ka 200 mijë, 300 mijë, 500 mijë ndjekës në Instagram, po themi, krijon një besim të marrë që ky person do të ma drejtojë biznesin drejt shifrave të tjera dhe nesër do të jenë konsumatorë, klientë potencialë. Por nuk duhet vepruar në këtë mënyrë. Sepse kjo është një marrëdhënie profesionale, që kërkon statistika, analizë sepse këta individë janë si subjekte,biznese më vete dhe paguhen, nuk e bëjnë falas. Mendoj që në Shqipëri ky marketing nuk bëhet në nivele profesionale pasi shumë nga këta personazhe nuk u thonë jo asnjë oferte për reklamim. Një personazh mund të reklamojë sot salçiçe, nesër bizhuteri e pasnesër një butik veshjesh”- sqaron Bekteshi.

Në fakt vetë Instagram, Tik Tok apo edhe facebook është kthyer më vete në një supermarket produktesh, shërbimesh dhe vetë individësh që secili shet sipas profilit që ka vendosur të krijojë për publikun.

Papa fare, peace up janë shprehjet që Genard Hajdini sëbashku me të motrën Sonidën përdorin si një refren karakterizues për të tërhequr ndjekësit. Përmes gjetjes së tyre duke treguar se çfarë hanë dhe bëjnë teksa rrinë në mjediset e shtëpisë së tyre, kanë arritur të kërkohen nga biznese të ndryshme për tu reklamuar produktet dhe shërbimet.

Madje, Genardi ka sjellë një gjetje tjetër në mënyrën se si i reklamon bizneset duke krijuar “akademinë” e akreditimit Gjergj Kastrioti për të treguar “seriozitetin” në mënyrë humoristike me të cilin vlerëson bizneset që e thërrasin për ti reklamuar.

Genard dhe Sonida Hajdini

Genardi duket se është nga ata ndikues që nuk i thotë jo asnjë oferte, sepse “supermarket” i tij është plot me produkte dhe shërbime të profileve të ndryshme që nuk i ngjanë njëri-tjetrit.

Ervin Kurti, personazh televiziv

Kurse Ervin Kurti, drejtues emisionesh televizive, i njohur në rrethin e vajzave VIP, thotë se edhe ai ka oferta dhe e kryen rolin e influencer për të promovuar biznese të ndryshme prej tre vjetësh, “por unë nuk kam shumë punë në këtë kuptim sepse jam selektiv. Nuk mund të promovoj çdo gjë. E para duhet të jetë një produkt apo shërbim që i qaset profilit dhe natyrës time, kjo është më kryesorja”.

Ai më shpjegon se mënyra e pagesës varion nga 500 euro deri në 2000 euro. Promovuesi, influenceri paguhet cash dhe merr produktet që reklamon falas në story të Instagram. Pagesa bëhet në varësi të marrëveshjes dhe se sa herë do të shfaqet dhe si do të shfaqet në rrjetet sociale; me video, foto, etj.

Në botë Chiara Feragni, një e re  italiane, 33 vjeçare sot, në atë kohë tek të 20-at, do ta përdorte teknologjinë për të bërë biznes duke krijuar blogun e saj blondsalad.

Chiara Feragni, sipërmarrëse në fushën e modës dhe blogere

Me një ambicie të jashtëzakonshme, studente për drejtësi në Boçoni Milano, ajo dëshironte të bënte një punë e cila të njihej ndërkombëtarisht. Prandaj vendosi të merrte rrugën për në Amerikë për të perfeksionuar gjuhën angleze dhe të lidhte ura biznesi.

Blondsalad u kthye në një brand, web shitjesh të veshjeve të krijuara prej saj. Njëkohësisht në llogarinë e saj të Instagram ajo tregonte rutinën e saj të jetës duke u bërë një fenomen si sipërmarrëse digjitale. Për këtë u studiua si kazus nga Harvard University dhe u përzgjodh nga revista Forbes si sipërmarrsja më e suksesshme nën të 30-ve.

Sot Chiara Feragni, fashion designer (stiliste) dhe blogere është një ndër milioneret më të reja në botë me pasuri neto prej 10 mln dollarë dhe një staf prej 20 punonjësish.

Ajo pretendon ta zgjerojë brandin e saj ku sapo ka nxjerrë linjën e parë të çantave për femra. Ferragni me 21,3 mln ndjekës në Instagram synon që kompania e saj në një të ardhme të afërt të listohet në bursë. Ajo është ambasadore e disa brandeve nëpër botë , por edhe si partnere për prodhim dybrandsh si Lancome, Pomelato, Pantene, etj.

Tregu ka për të gjitha shijet dhe xhepat, por ashtu si mund të hysh lehtë në treg, ashtu edhe mund  të dalësh lehtë. E rëndësishme është të dish të shesësh me profesionalizëm, mbi ide dhe gjetje, strategji dhe të implementosh mekanizma afatgjatë, sipas ekspertëve.

Kjo sipas tyre do të thotë të ofrosh vlerë, jo çmim.

Dhe meqënëse e nisëm me gjyshet rrëfimin, dua ta përfundoj me gjyshet, me një syresh italiane 90 vjeçare.

Licia Fertz

Ajo është Nonna Licia Fertz e cila gati tre vite më parë, në depresion nga vdekja e të shoqit, “rikrijohet” nga nipi me të cilin jetonte dhe e kishte rritur vet pas vdekjes së parakohshme të së bijës.

Gjyshja Licia është një grua e fortë, ish infermiere dhe me dëshirën për ti marrë jetës më të mirat. I pëlqen të hajë, të gatuajë, është kafshëdashëse, i pëlqen të vishet bukur me ngjyra dhe të këshillojë të rinjtë.

Të gjitha këto, me “skenar e regji” të nipit të saj ndodhin të gjitha në faqen e saj Instagram. Nëna Licia me 98,8 mijë ndjekës është bërë shumë e njohur në Itali ku e ftojnë në evente të ndryshme dhe në emisione televizive.

Gjyshe Licias i vijnë dhurata nga i gjithë vendi, nga individë dhe biznese dhe është një personazh shumë i dashur sepse përçon mesazhe jete nga eksperienca gati një shekullore mbi tokë.

Ajo sëbashku me të nipin kanë publikuar së fundmi librin “Nuk ka kohë për tu ndjerë të trishtë” i cili gjendet edhe në Amazon.

Sepse gjyshet janë të vyera në çdo moshë, veçanërisht kur pasardhësit ua trashëgojnë dhe përcjellin vlerat!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë