Para

“Thesi” i borxhit të Rilindjes më i madh se i demokratëve

Niveli i lartë i borxhit, kreditë me probleme që vijojnë të mbeten ende të larta pavarësisht përpjekjes për ti ulur ato, akumulimi i detyrimeve të reja të prapambetura, institucionet publike të dobta, problemet në sistemin gjyqësor, dhe mjedisi i vështirë për biznesin janë disa nga problematikat që ka adresuar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij të parë të programit të post monitorimit për Shqipërinë që u zhvillua në muajin mars të këtij viti.

 

Raporti e fokuson shqetësimin veçanërisht tek borxhi publik që nëse nuk do të ndërmerren masa për uljen e tij duke forcuar kapacitetet e menaxhimit të borxhit dhe të zgjatet maturimi i tij e gjithashtu të konsolidohen e zbatohen reformat strukturore, do të vihet në rrezik rritja e ekonomisë.

Borxhi publik si % ndaj PBB-së

Në fakt kryeministri Rama një nga premtimet kryesore me ardhjen në pushtet kishte uljen e borxhit publik të cilin qeveria Berisha në 2013-ën e la  65,56 % e në vende me ekonomi si e jona niveli i borxhit sipas ekpertëve nuk duhet të kalojë 40% të PBB-së.

Por në të vërtetë, përgjatë gati 5 vite qeverisjeje borxhi publik jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur duke rritur edhe koston për frymë të qytetarëve, të cilëve nuk u janë rritur rrogat e pensionet, por veç taksat.

Borxhi publik, sipas të dhënave zyrtare ka patur rritjen e tij historike në 2015 me 72,65 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Viti 2017 ka shënuar një borxh publik 71,5 % të PBB-së.

 

Borxhi publik për frymë

Referuar të dhënave të INSTAT të janarit 2018, me 2.880.324 banorë rezidentë që ka Shqipëria, rezulton se çdo shqiptari, i rëndon një borxh prej 2.841 eurosh.

Open Data Albania ka kryer një hulumtim në lidhje me koston e borxhit për frymë ndër vite. Ecuria e kostos së borxhit për frymë ka pësuar oshilacione të ndryshme ndër vite, duke reflektuar sipas rastit jo vetëm nivelin e stokut të borxhit, por edhe shtrenjtësinë e tij nëpërmjet rritje/uljes së normës së interesave apo lëvizjet e kursit të këmbimit. Nga një trend rritës për vitet 2010-2013, vitet 2014-2015 u shfaqën me rënie të kostos së borxhit, si pasojë e uljes së normave të interesit të tregut të brendshëm, kursit të këmbimit lekë/euro dhe uljes sëkontigjencave për garancitë. Trendi ndryshoi në vitin 2016, ku kostoja e borxhit për frymë ishte 14 899 lekë apo 11.5% më shumë se në vitin 2015, pasi Ministria e Financave parashikonte një shtrenjtim të borxhit të jashtëm dhe në fakt, kjo vlerë nuk u rishikua as gjatë ndryshimeve që iu bënë Buxhetit 2016 nëpërmjet Akteve Normative.

Viti 2017 sipas hulumtimit të Open Data Albania, prezantohet me një rënie të kostos së borxhit për frymë, duke shkuar në 14 569 lekë, 2.22% më pak se në 2016-n, edhe pse kemi një rritje të stokut të borxhit në terma absolut. Ky nivel në rënie i kostos së borxhit vjen falë normave të pritshme të interesit në tregun e brendshëm, të cilat parashikohen të jenë ende nën nivelin mesatar të tre viteve të fundit. Edhe pse gjatë vitit 2017 vlerësohet të ketë një rritje të interesave të borxhit të jashtëm, por edhe të borxhit të brendshëm.

FMN thotë në raport se pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, mbeten rreziqe dhe dobësi, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, huatë me probleme në sektorin financiar, dhe dobësitë në institucionet publike dhe në sistemin gjyqësor. Një ngadalësim i reformave apo efekteve nga goditjet e jashtme mund të dëmtojë perspektivat e rritjes dhe besimin, duke ndikuar negativisht në dinamikën e borxhit dhe duke krijuar presione financiare për qeverinë. Hapja e negociatave të pranimit në BE mund të ofrojë një mundësi për të përparuar në zbatimin e axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe rritjen e PBB-së.

 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë