Gazeta Si – Në procesin gjyqësor të dosjes “Partizani”, në Gjykatën e Posaçme dëshmoi ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në periudhën 2007-2009, Ylli Pango, i cili tha se për shkak se ngjarjet janë zhvilluar 18 vite më parë, e ka të vështirë të kujtojë ndonjë dokument ligjor.
Sipas dëshmisë së tij, Pango tha se ishte pro privatizimit, por jo për ndryshimin e destinacionit dhe kundër ndryshimeve ligjore të 2008-s që i hapën rrugë kullave.
“Nga marsi 2007-2009. Kjo histori daton 18 vite më përpara. Është shumë e vështirë të mbash mend një dokument, një ligj, nëse nuk ka një shkak të madh për ta mbajtur mend. Në media janë publikuar disa dokumente qe më kanë rifreskuar kujtesën. Unë nuk mbaj mend saktësisht, sepse kam punuar në 4 sektorë. Mund të mbaj mend një ligj që kam qenë vetë iniciator, ndërsa këtu di këtë: thuhet që një pjesë mirë e klubit ka qenë e zaptuar nga individë në atë kohë. Unë jam rritur në atë lagje, di që dhe pishina nuk funksiononte”, – u shpreh ish-ministri.
Pango theksoi se “nuk më kujtohet të kem biseduar ndonjëherë me Sali Berishën për çështjen e ‘Partizanit’. Jamarbër Malltezin e njoh, por ai nuk ka ndërhyrë asnjëherë pranë meje për privatizimin e Klubit Shumësportësh Partizani”.
Gjatë pyetjeve të drejtuara nga Jamarbër Malltezi në seancën e radhës të gjyqit për dosjen “Partizani”, Ylli Pango tha se nuk e dinte nëse Edi Rama, në cilësinë kryetarit të Bashkisë, ka dhënë leje ndërtimi. Po ashtu, ai tha se nuk e mban mend nëse ka folur ndonjëherë me Berishën për këtë çështje.
Pango ndryshoi ligjin për sportet për t’i hapur rrugë ndërtimit të 19 kullave nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Dëshmitarët e tjerë janë Tetis Lubonja, Altin Ceni e Paro Laçi.
Seanca e mëparshme u mbajt më datë 8 qershor, ku dhanë dëshminë ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ish-drejtoresha e Sportit, Violeta Shqevi.
Ata u pyetën nga prokurorët dhe palët në lidhje me proceset e privatizimit dhe administrimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Për çështjen në fjalë, është i pandehur nga SPAK, kryedemokrati Sali Berisha, si dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje