Ka ndodhur

Protesta e ‘flamingove’ në ditën e 23-të

Nga Gazeta ‘Si’- Qindra qytetarë zhvillojnë sot protestën e 23-të radhazi, duke vijuar kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët u mblodhën në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Shqipëria nuk shitet”, protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, por edhe ndryshime të thella në klasën politike që ka drejtuar vendin ndër vite.

Një nga protestuesit deklaroi se vendi po përballet me një situatë të rënduar sociale dhe ekonomike, duke përmendur rroga të ulëta dhe çmime të larta, si dhe duke akuzuar qeverinë për një “agjendë shpopulluese”.

Ai iu referua gjithashtu rasteve të ndëshkimeve penale ndaj ish-zyrtarëve në Spanjë, duke kërkuar që edhe në Shqipëri drejtësia të veprojë në mënyrë të ngjashme ndaj zyrtarëve të lartë nëse provohen shkelje.

“Dorëheqje dhe qeveri teknike. Nëse kjo qeveri nuk reagon, do të ketë përshkallëzim dhe këtë e vendos sovrani, populli”, u shpreh protestuesi, duke paralajmëruar për rritje të intensitetit të protestave.

Pas marshimit kilometrik të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në rrugët e Tiranës ashtu si çdo natë, disa nga protestuesit vendosën të qëndrojnë gjatë natës përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan rezistencën e tyre.

Ata kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa edhe këtë të hënë pritet të zhvillojnë një tjetër marshim në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë