Mendim

Fëmijët, viktimat e heshtura të Covid-19

Adam Minter* - Shumë prindër përjetuan një ndjenjë lehtësimi kur morën vesh nga statistikat dhe analizat e koronavirusit se kjo sëmundje tek fëmijët nuk paraqet simptoma, dhe se ata nuk janë shumë të riskuar prej tij. Fatkeqësisht kjo s'domethënë se ata janë të sigurt nga pandemia botërore.

Çdo prind është i familjarizuar me rreziqet e përditshme që kanë ardhur nga shpërthimi i koronavirusit me parqet e lojrave të mbyllura dhe ndërveprimin social të kufizuar. Por efektet më me pasoja të krizës vijnë kryesisht nga dy dimensione të jetës, nga shëndetësia dhe arsimimi.

Fatkeqësitë natyrore kanë tendencën të jenë veçanërisht të dëmshme për shëndetin e fëmijëve. Ato krijojnë pengesa e probleme në shërbimet bazike mjekësore mbi të cilat nënat dhe fëmijët e vegjël mbështeten. Fatkeqësitë natyrore zhvendosin burimet njerëzore tek ata me nevojat më imediate. Masat e marra për të mbrojtur punonjësit e shëndetësisë nga popullata e gjerë kanë bërë që shumë mjekë të mos kenë të njëjtin vullnet si më parë për të kontaktuar me pacientët e tyre apo për t’u dhënë atyre nje ekzaminim fizik apo thjesht për t’u bërë një injeksion.

Për fëmijët kjo mund të ketë pasoja afatgjata. Në pikun e epidemisë së Afrikës Perëndimore në 2014-n, lindjet institucionale (pra lindjet e fëmijëve në qendër mjekësore nën gjithë rregulloret e duhura të personelit dhe pajisjeve për të kryer lindje) ranë me 37% krahasuar me vitin e mëparshëm. Konsultimet prenatale të cilat kanë treguar se përmirësojnë shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve në afatgjatë, ranë me 40%.

E akoma më keq ishte fakti që normat e vaksinimit ranë në mënyrë të theksuar. Në 2013-n, përpara shpërthimit të Ebolës 73% e fëmijëve në Liberi nën 1 vjeç ishin plotësisht të vaksinuar (kjo përqindje përsëri konsiderohet shumë e vogël për botën e zhvilluar). Nga qershori në shtator të 2014, gjatë epidemisë së ebolës, kjo përqindje ra në 36%. Vetëm vaksinimet e fruthit ranë me 45%. Kjo mungesë vaksinimesh te fëmijët e porsalindur çoi në përhapjen më të lehtë të sëmundjes. Konsekuencat e kësaj ngjarjeje zgjatën deri në 2017-n, ku 49% e 2954 rasteve të dyshuara me fruth në Liberi ishin fëmijë nën pesë vjeç.

Me shumë gjasa shpërthimi aktual nga koronavirusi do të ketë efekte të ngjashme. Në fund të marsit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për pezullimin e përkohshëm të programeve të vaksinimit në masë në mënyrë që të respektohen masat e distancimit social. Ndonëse kjo ka qenë thirrja e duhur, ekspertët që e mbështetën këtë vendim e pranojnë faktin se kjo do të kontribuojë në një valë të madhe sëmundjesh që mund të zgjasin për vite me rradhë.

Një shqetësim tjetër serioz, për prindërit dhe botën, është fakti se rreth 1.4 miliardë fëmijë aktualisht jetojnë në zona ku shkollat janë mbyllur plotësisht apo pjesërisht duke filluar nga Kalifornia gjer në zonat rurale të Indisë. Shumica e këtyre fëmijëve nuk ia kanë haberin se kur ata do të mund të kthehen në bankat e tyre. Kur shkollat në Liberi, Ginea dhe Sierra Leone u mbyllën për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të Ebolës, fëmijët humbën rreth 1,848 orë arsimimi.

Një grup kërkuesish sygjeron se kjo mungesë e zgjatur nga shkollat mund të jetë e dëmshme si në aspektin e edukimit ashtu dhe në aspektin e zhvillimit të fëmijëve e veçanërisht për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Siç shumë prindër të frustruar po e zbulojnë, mësimi në distancë është inefektiv. Në familjet e varfra ku prindërit kanë më pak gjasa që të punojnë nga shtëpia, sfidat mund të jenë më të ashpra. Veçanërisht në rajonet me ekonomi në zhvillim vajzat janë në rrezik të veçantë për të mos rinisur arsimimin e tyre për shkak të rritjes së varfërisë, përgjegjësive shtëpiake dhe shkallës së shtatëzanisë gjatë pandemisë. Pastaj edhe kur shkollat të rihapen, virusi mund të vazhdojë të përbëjë një kërcënim për muaj ose vite në të ardhmen.

Zbutja e të gjitha këtyre efekteve të dëmshme do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme. Pas epidemisë së Ebolës, agjencitë dhe qeveritë në të gjithë botën kontribuan në një program të ri vaksinimi sapo vunë re se ishte e sigurt për ta bërë këtë.

Kjo nuk do të jetë e lirë apo e lehtë për t’u bërë në nivel botëror. Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, pavarësisht problemeve të saj të fundit, mbetet organizata më e përshtatshme për ta koordinuar një fushatë të tillë dhe planifikimi e financimi duhet të fillojnë menjëherë. Qeveritë gjithashtu duhet t’u japin prioritet shërbimeve të nënave gjatë shtatzanisë e pas lindjes gjatë pandemisë.

Nga ana e tyre, shkollat duhet të përpiqen të mbajnë sa më shumë të jetë e mundur vazhdimësi me studentët. Hapi i parë duhet të jetë një përpjekje e bashkërenduar për të paguar dhe mbajtur mësuesit gjatë krizës. Ata do të jenë thelbësorë për rihapjen e shpejtë të shkollave dhe mund të sigurojnë një stabilitet shumë të nevojshëm për studentët që kanë humbur ndjenjën e tyre të rutinës apo edhe të sigurisë. E në fund, planifikimi duhet të fillojë tani mbi vlerësimet dhe kurrikulat e përshpejtuara, të krijuara me qëllimin për t'i ndihmuar studentët të kapin dhe të rishikojnë atë që po mësonin para pandemisë.

Këta hapa modestë nuk do të çojnë në shërime apo trajtime nga koronavirusi. Por, ato mund të ndihmojnë për të siguruar që efekti i covid-19 në gjeneratat e ardhshme nuk do të jetë shkatërrues.

*Adam Minter është opinionist e shkrimtar për Bloomberg nga ku është marrë e ky artikull


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë