Shendet

Epidemiologu Alimehmeti: Duhet transparencë për viktimat. S’dimë sa agresiv është Covid-19 tani

Një problematikë që po hasim me virusin Covid-19 në Shqipëri është numri i ulët i testimeve. Në një intervistë për Gazetën “Si” epidemiologu Ilir Alimehmeti shprehet se duhet të kryen sa më shumë testime, ndërkohë që duhet të kemi më shumë informacione për pacientët që kanë ndërruar jetë.
Ndërkohë Alimehmeti në intervistën për Gazetën “Si” thekson se është tepër e rëndësishme që të masim ngarkesën virale të tamponëve, në mënyrë që të kemi një pamje më të qartë të gjendjes së virulencës së virusit në vendin tonë, ose thënë ndryshe, se sa agresiv është Covid-19 aktualisht në Shqipëri.

Çfarë po ndodh që kemi shumë vdekje, sepse kemi pasur raste sporadike të vdekjeve dhe tani po arrijmë me dy pse tre në ditë?
Një gjë duhet të kemi të qartë se ne nuk kemi të dhëna individuale, pra të dhënat tona janë të agreguara. Kur themi që 80 raste, 60 raste e të tjerë, nuk kemi informacion çfarë janë këto raste, nga erdhën, nuk kemi një informacion paraprak sa vjeç janë, nga çfarë sëmundje vuajnë, vendi ku janë infektuar dhe duhet të marrim parasysh që kush është infektuar në spital është automatikisht më rëndë sepse ka të paktën një sëmundje që ka ardhur në spital. Në fakt jo të gjitha vdekjet janë raste në spital, por sa është numri i tyre nuk është thënë kurrë dhe sa janë komunitar por shumë prej tyre janë raste që kanë qenë rëndë në spital për arsye të tjera, që u shtohet kjo problematikë sipër. Kurse nga pikëpamja e komunitetit, pjesa dërrmuese e pacientëve po trajtohen në shtëpi. Sot që po flasim 8-9 për qind e rasteve aktive janë në spital.

Duke marrë parasysh që vdekjet janë shtuar ditë e fundit, a kemi çaluar diku në hapjen e masave?
Masat janë liruar me një siguri ekstreme, madje janë liruar më ngadalë se ç'duhej. Nuk mendoj se këtu ka ndonjë problem, pra si është liruar dhe ajo që duhet të ndodhte, është se vendet e punës me shumë njerëz, si fasoneritë që nuk kanë qenë kurrë objekt i masave se nuk u mbyllën kurrë dhe e dyta qendra spitalore të cilët nuk kanë qenë subjekt i masave, ndërkohë duhet të ishin rritur mundësitë për këto qendra spitalore dhe subjektet privatë ku zbulohet që po shpërndahet virusi, sepse askush nuk po respekton masat e distancimit dhe janë pikërisht ata që duhet të ngarkohen edhe me shpenzimet e testimeve se nuk kanë pse t’i rëndojnë këto taksapaguesve. Lirimi i masave ka qenë shumë i kujdesshëm dhe shumë i përshtatshëm.

A duhen shtuar testimet?
Patjetër! Kjo duhej shtuar që më përpara, por më përpara kishte një kriter që ja vlente të diskutohej sepse duke u nisur nga protokolli i OBSH, nëse gjurmimi është 10 % do të thotë që është i kënaqshëm dhe në fakt në përudhën prill-maj e në fillim të qershorit ky numër ka qenë i arritur dhe filloi të shkojë mbi 10% diku nga gjysma e javës së dytë të qershorit, që do të thotë, se sot është 18.6%, që do të thotë se niveli i gjurmimit duhet të ulet deri në 10%, që të kemi gjurmim të kënaqshëm.

Në vendin tonë ka një paqëndrueshmëri të kurbës, si shpjegohet?
Ligji i numrave të vegjël lejon që mund të kesh variacione të gjera, kështu që kemi një popullatë të vogël sa Shqipëria, me teste kaq pak sa bëjmë ne, duken luhatje shumë të mëdha. Në fakt ne shohim trendin, trendi është i njëjtë dhe po të flasim tani ne kemi parë një qëndrueshmëri që nga java e dytë e qershorit. Patjetër që ka luhatje ditore, por nuk mund të marrësh luhatjen ditore dhe duhet të marrësh një mesatare, që mund të jetë 3 apo 7 ditore që në afat shkurtë nuk shpjegon shumë. Ne jemi të qëndrueshëm nëpërmjet 60-80. Do të presim nëse kjo do të shtohet apo pakësohet dhe varet shumë edhe nga numri i testeve të shtuara. Unë shpresoj që të vijë shtimi i testeve sepse rastet pluse që do të gjenden, do të izolohen dhe do ndërpresin zinxhirin e transmetimit tek njerëz të tjerë.

Pse duhet të dimë sa është virulenca në tamponë?
Ngarkesa virale e tamponëve është e rëndësishme të dihet sepse sa më e madhe të jetë ngarkesa virale tek një person, aq më shumë ky person mund t’ua ngjisë sëmundjen të tjerëve, sa më e ulët të jetë ngarkesa aq më e ulët do të jetë mundësia e ngjitjes dhe po ashtu më e ulët do të jetë edhe mundësia e sëmundjes. Ndërkohë që në fund të marsit ne kishim 58% të rasteve aktive të shtruar në spital sot kemi 8 deri në 9 për qind, e kjo vjen si rrjedhojë e një ngarkese virale më të ulët. Nëse ne do ta studionim do të vërenim këtë.

Si ndikoi infektimi i mjekëve dhe infermierëve në situatën e vendit tonë?
Nëse e mbani mend në mars u dha deklaratë që nëse nuk është e nevojshme shmangni çdo qendër shëndetësore apo spital dhe ishte fillimisht QSUT që bëri një digë, nëpërmjet pacientëve që do i turreshin spitaleve, e bënë ata filtrin, duke ruajtur kështu spitalet. Me lirimin e masave u lirua dhe paraqitja në spital dhe pacientët filluan të referoheshin përsëri në spital. Nga ky moment filluam të shihnim raste tek pacientët e jo tek mjekët sepse tek mjekët kishim edhe më parë raste. Në maj filluan të dalin rezultatet e testeve serologjike dhe u tha që 7.5% e mjekëve në QSUT kishin antitrupa dhe këto antitrupa duan 3 javë të zhvillohen që do të thotë se janë infektuar në periudhën mars-prill. Jo se më parë nuk kishin rrisk. Ajo që janë shtuar tani janë pacientët dhe situata është që pa një sistem tampon dhe kontrolli me test molekular tek personeli mjekësor dhe administrativ i spitalit dhe çdo pacient që hyn brenda nuk mund ta dimë ne kush e ka virusin e kush e nxjerr. Ky shërbim shëndetësor në Shqipëri që është i centralizuar, pra drejt QSUT dhe kjo ka dekada që ndodh. Pacientët shmangin mjekun e familjes dhe spitalin rajonal dhe të gjitha resurset janë investuar në spitale. Ajo që kemi nevojë është që qytetarët të mos drejtohen qendrave shëndetësore të mëdha dhe të testohet gjithkush që është brenda një spitali në mënyrë periodike, sepse përndryshe nuk ke siguri ka apo nuk ka spitali virusin. Pa asnjë lloj diskutimi duhet të sigurohen spitalet.

A do të ishte diçka e mirë izolimi i QSUT apo spitaleve që ka predispozicion infektimi?
Po patjetër, mund të bëhet gjithmonë më shumë. Janë marrë disa masa dhe patjetër që mund të marrim disa masa të tjera. Kështu që mund të bllokosh lëvizjen e disa personave që nuk kanë pse të jenë aty, pra bllokimi i personave të panevojshëm. Kur themi izolim me të vërtetë bëhet një kontroll tek dera e spitalit si godinë, por pse të mos bëhet tek trau i jashtëm, që në spital të mos hynë kot, por me arsye. Kjo është diçka shumë e thjeshtë që nuk ka asnjë shpenzim e asnjë kosto, më pas tamponimi i çdo kujt. Mund të bëjmë gjëra të vogla, që nuk japin siguri absolute por që ulin problematikën.

A është përmirësuar protokolli i trajtimit në vendin tonë?
Përmirësimi e kanë bërë të gjithë. Sepse në shkurt nuk kemi ditur asgjë dhe kishim vetëm informacionet nga Kina dhe më pas u zbulua që asnjë nuk ishte e saktë. Aso kohe debati i gjithë ishte mbi ventiluesit mekanik, ndërkohë që nuk luajnë ndonjë rol shumë të madh. Në javët ose në muajt në vijim u zbulua se disa mjekime kishin efekt dhe si rrjellojë skema përmirësohet në bazë të njohurive që kemi më shumë. Mjekësia është shkencë praktike. Dakord ka një protokoll por deri sa të krijosh praktikën si mjek për të parë rastet dhe në këtë kohë kjo është krijuar kudo e unë jam i bindur se edhe mjekët tanë reanimator infeksionist, imazherist dinë si të nisen. Ky është ai përmirësimi i trajtimit.

A ka njerëz që nuk e besojnë se virusi është prezent?
Mesa duket po ka persona të tillë, por e rëndësishme është që nga ana mjekësore , të jenë të gjithë të informuar. Për sa i përket informacionit, virusi ekziston së bashku me problematikat, si mundësitë e infektimit, shtrimit dhe mortalitetit, që fatmirësisht nuk janë aq të larta sa u hiperbolizua në muajt janar-shkurt. Ky është problemi që ne kemi sepse shumica dërrmuese e njerëzve në Shqipëri janë të rinj, janë pa sëmundje dhe ky është një element që i bën të mendojnë se nuk do t’i ndodhë gjë, por mund të infektohen të tjerët, ky është elementi që duhet pasur më shumë kujdes. Këshillat kyçe është që të shmanget transmetimi direkt dhe kjo arrihet shumë lehtë përmes distancimit fizik.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë