Gazeta Si – Drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas një operacioni policor që çoi në zbulimin e disa ambienteve të përshtatura për lojëra fati në zonat e Laçit dhe Milotit.
Më herët, policia finalizoi operacionin e koduar “Rastet”, ku gjatë aksionit u zbuluan tre ambiente të përshtatura për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit, të pajisura me makineta dhe tavolina pokeri.
Sipas autoriteteve, në një nga këto ambiente është konstatuar gjithashtu edhe aktivitet i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta lojërash fati, 3 tavolina pokeri, sasi e dyshuar kokainë, para cash dhe pajisje të ndryshme të përdorura për këtë veprimtari të paligjshme.
Në pranga përfunduan tre shtetas: Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli, ndërsa një tjetër u procedua penalisht. Gjithashtu, Pjetër Lleshi u shpall në kërkim si i dyshuar në këtë aktivitet.
Islami mori detyrën në janar të këtij viti, me misionin për të stabilizuar rendin në një qark që shpesh është bërë skenë e ngjarjeve të forta kriminale.
Megjithatë, eksperienca e tij në krye të bluve të Lezhës ka zgjatur shumë pak, duke e bërë atë një nga drejtuesit me jetëgjatësinë më të shkurtër në këtë pozicion.
Ndërkohë, pritet që strukturat e Policisë së Shtetit të ndërmarrin masa të rrepta disiplinore edhe ndaj drejtuesve të komisariateve dhe shefave të sektorëve përkatës, për shkak të mosparandalimit në kohë të këtyre aktiviteteve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje