Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka zbardhur skemën e dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave në tenderët e AKSHI-t, ku në qendër të hetimit përmenden Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri dhe një rrjet kompanish të lidhura mes tyre.
Sipas dosjes hetimore, skema dyshohet se është ndërtuar mbi tenderë të paracaktuar, fatura fiktive dhe transferim fondesh publike drejt shoqërive të kontrolluara nga të hetuarit.
Sipas hetimit dhe vendimit të sekuestrimit nga GJKKO, mes viteve 2023 dhe 2025, Agasi dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formë ryshfeti për ndikimin e tij në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.
Të dyshuarit e SPAK
Deri më tani, krijohet dyshimi se Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Gëzim Hoxha dhe Andis Papa, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi, janë përfshirë në një skemë të mirëorganizuar, me qëllim kontrollin e procedurave të prokurimit, të cilat tenderohen nga AKSHI, me qëllim krijimin e përfitimeve të padrejta materiale.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, dosja e AKSHI-t, është pasuruar në muajin shkurt të këtij viti, me 4 emra të tjerë personash që janë përfshirë në listën e të hetuarve.
Konkretisht ish-nëndrejtori, Daniel Shima, Arjola Koromani, administratorja e kompanisë ‘Soft&Solution’, në pronësi të Ermal Beqirit, krahut të djathtë të Ergys Agasit, si edhe Gentian Likaj dhe Emirton Suli.
Situata ndaj të pandehurve, Agasi, Beqiri, Papa, Hoxha dhe Arjola Koromanin, rëndohet edhe më shumë, pasi SPAK i ka shtuar dhe veprën penale të korrupsionit.
Përveç tyre, janë edhe 7 kompani të lidhura me tenderët e AKSHI-t. Akuzat janë ato të “Shkelje e barazisë në tenderë”, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Kantina e verës së kuqe të Agasit
Ergys Agasi, biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, rezulton të jetë pronar i një sërë pronash dhe pasuri që me një vendim të GJKKO-së janë sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit, ndaj Ergys Agasi, është ushtruar kontroll në një prej banesave të dyshuara në pronësi të tij, në zonën e vilave qeveritare, plazh, Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar, në ambientin e poshtëm të banesës (garazhd), u konstatuan disa arka druri, brenda të cilave ndodheshin disa shishe vere dhe shampanje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Evidentohet me interes fakti se mbi njërën nga këto kuti, u gjet një faturë si ato të “Western Union”, me përshkrimin “Express World Wide DHL…to: Fast&Fresh Arjola Rr. Brigada VIII, nd. 8, Apt”.
Nga verifikimet e kryera në burimet e hapura të informacionit, rezulton se shoqëria “Fast & Fresh”, me NIPT: L715200290, është në pronësi të shtetasit Andis Papa.
Gjithashtu, nga verifikimet në sistemin “Asycuda World”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, rezulton se subjekti “Fast & Fresh”, ka importuar sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike, konkretisht verë të kuqe, në vlera të larta monetare.
Nëpërmjet këqyrjes së sistemit “Asycuda World” është dokumentuar fakti se ky subjekt ka importuar këto produkte për periudhën Tetor 2024 – Nëntor 2025 në vlerën totale 1.130.265 euro dhe për periudhën Nëntor 2024 – Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj “Fastech” shpk dhe “Soft & Solution” shpk shumën prej 94 423 883 ALL.
Kërcënimi
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, i cili çoi në sekuestrimin e dhjetëra pasurive të Agasit, Beqirit dhe pronarëve të disa kompanive të tjera të lidhura me procedurat e tenderëve të Agjencisë që drejtohej nga Mirlinda Karçanaj, në të paktën një rast të dokumentuar, mbi 1.1 milion euro u dhanë pas kërcënimeve që Ermal Beqiri, pronar i kompanisë ‘Soft&Solution’, krahu i djathtë i Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.
Hetimet kanë zbuluar po ashtu, se dhe kantina e pasur me verëra të shtrenjta që u zbulua në vilën e Agasit në “Equos Resort” në Tiranë, ishte fryt i shpërblimeve, për një vlerë prej mbi 950 mijë eurosh.
Sipas materialeve të dosjes, “EA Solution”, në pronësi të Ergys Agasit, ka faturuar rreth 2.9 miliardë lekë për disa kompani që kanë fituar procedura prokurimi, ndërsa në total dyshohet se në llogaritë e saj kanë kaluar mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro.
Hetimi pretendon se këto pagesa janë paraqitur si shërbime, por në fakt kanë shërbyer si shpërblime të kamufluara për fitimin e tenderëve publikë të AKSHI-t.
Ryshfeti
Organi i akuzës dyshon se “EA Solution” në pronësi të Ergys Agasit ka funksionuar si mjet për transferimin e ryshfetit në formë tregtare, ndërsa shërbimet reale janë kryer nga subjekte të tjera, kryesisht Soft & Solution, duke e bërë marrëdhënien kontraktore fiktive.
Në këtë skemë, fatura tatimore dyshohet se është përdorur për të “legalizuar” vlerat korruptive dhe për t’i futur ato në qarkullim financiar si shpenzim të zbritshëm.
Dosja e SPAK-ut, përmend edhe një lidhje të ngushtë mes Agasit dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilën prokuroria e konsideron pjesë të mekanizmit që mundësoi fitimin e tenderëve.
Sipas dëshmive dhe materialeve hetimore të publikuara, Karçanaj është filmuar në zyrën e Agasit, ndërsa hetimi pretendon se vendimmarrja në AKSHI ka favorizuar kompani të caktuara me lidhje të dyshuara me këtë grup.
Sekuestrimi i pasurive
Në total, SPAK dhe GJKKO kanë vendosur sekuestrimin e pasurive të shumta të lidhura me këtë hetim, me vlerë të raportuar mbi 40 milionë euro.
Mes tyre përfshihen apartamente në Tiranë dhe Kavajë, një ullishte në Sauk, automjete luksoze, një jaht, llogari bankare dhe kuota biznesesh të lidhura me Karçanajn, Agasin, Beqirin dhe shoqëri si EA Solution, Soft & Solution, First, Fastech, Fast & Fresh dhe Albascan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje