Drejtësia

Mungoi në seancë, GJKKO gjobit dhe ‘ultimatum’ kryebashkiakes së Roskovecit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyn për më 7 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes socialist të Roskovecit, Majlinda Bufi, seancë të cilën, nëse ajo apo avokatët mungojnë, gjyqi do vijojë në mungesë.

“Ultimatumi” i gjykatës u dha, për shkak të mungesës së përsëritur në gjyq të avokatëve dhe të vetë të pandehurës.

Pasi caktoi gjobë nga 10 mijë lekë ndaj dy avokatëve, gjyqtarja Irena Gjoka pohoi se do të njoftohet e pandehura Bufi, se nëse në seancën e radhës nuk paraqitet e pandehura ose avokatët, gjyqi do të vijojë në mungesë.

Procesi ndaj zyrtares vendore të akuzuar për “përdorim të funksioneve publike për veprimtari zgjedhore”, ndodhet në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes.

Më herët, SPAK ka kërkuar deklarimin e fajshëm të saj, dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u ul në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, SPAK kërkoi pezullim të dënimit me burg dhe lënie të Bufit në shërbim prove për 2 vjet.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, e marrë e pandehur në nëntor 2025 nga SPAK, akuzohet për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”.

Gjatë viteve të fundit, ndaj Bufit janë depozituar tre kallëzime në SPAK, dhe të paktën dy herë ajo është paraqitur për të dhënë deklarime.

Sipas kallëzimeve, kryebashkiakja ka ushtruar qëllimisht dhe vetë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale shkelje të rënda ndaj punonjësve të administratës publike, me qëllim që të pengojnë ato të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të lirë, duke përdorur kërcënime, presione dhe shantazhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë