Gazeta Si – Pas tre muajsh hetime, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë ka finalizuar operacionin e koduar “Final”, duke goditur një grup që merrej me shpërndarjen e drogës në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas policisë, gjatë hetimeve janë identifikuar 36 shtetas, të cilët dyshohet se vepronin të veçuar ose në grupe të organizuara, ku aktiviteti i tyre dyshohet se kishte shtrirje të gjerë dhe funksiononte në mënyrë të strukturuar.
Policia thotë se është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 15 persona, të cilët akuzohen si pjesë e këtyre grupeve.
Mes tyre janë: A. Sh., 31 vjeç; I. B., 66 vjeç; V. A., 29 vjeç; Xh. Gj(B)., 26 vjeç; J. I., 28 vjeç; E. O., 47 vjeç; A. Ç., 42 vjeç; A. G., 41 vjeç; K. N., 26 vjeç; A. C., 21 vjeç; S. D., 32 vjeç; E. M., 29 vjeç; E. H., 25 vjeç; E. I., 30 vjeç dhe G. H., 37 vjeç.
Gjithashtu, gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 5 shtetas të tjerë, konkretisht A. M., E. K., A. K., E. M. dhe I. C., ndërsa 16 persona të tjerë të identifikuar si pjesë e të njëjtave grupe janë shpallur në kërkim. Policia bën me dije se puna vijon për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Në kuadër të operacionit, janë sekuestruar 60 kg e 300 gramë kanabis sativa, 2 kg e 50 gramë kokainë, 4 armë (1 armë zjarri pistoletë dhe 3 armë gjahu), 121 000 euro, 60 milionë lekë, 5000 paundë, celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Hetimet janë bazuar në përgjime dhe analiza të komunikimeve, të cilat kanë ndihmuar në zbardhjen e strukturës së grupeve dhe identifikimin e pjesëtarëve të tyre. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje