Politike

Ekskluzive/ Në Bruksel rikthehen debatet për vendosjen e vizave për shqiptarët

Numri i kërkesave për azil nga shtetas shqiptarë në Bashkimin Europian pësoi një rënie të lehtë përgjatë vitit 2019, në krahasim me 2018-n. Por shifrat mbeten ende shqetësuese për një grup eurodeputetësh francezë, që po përpiqen që të rikthejnë në Komision kërkesën për pezullim të lëvizjes së lirë me Shqipërinë.

Eurodeputetja franceze, Dominique Bilde, që në zgjedhjet e një viti më parë për Parlamentin Europian ka dalë nga lista e kandidatëve të Frontit Kombëtar të Marine Le Pen, i drejtohet Komisionit me një kërkesë nëse ka ndërmend që të shqyrtojë trendin ende shqetësues të aplikantëve shqiptarë si azilkërkues. Gazeta "Si" u njoh me kërkesën e zonjës Bilde për Komisionin.

“Në mars, Komisioni mirëpriti përpjekjet e Shqipërisë për të ulur numrin e azilkërkuesve. Megjithatë, sipas Zyrës Europiane të Mbështetjes dhe Azilit, numri i aplikantëve shqiptarë mbetet i lartë dhe në disa raste janë aplikime të përsëritura. Në Luksembug, Shqipëria është i vetmi vend ballkanik, ku përgjatë 2019-s numri i kërkesave për azil nuk u ul”, thotë Bilde.

Duke cituar shifrat në Francë, eurodeputetja thotë se përgjatë vitit të kaluar, 17 për qind e shqiptarëve që aplikuan për azil në këtë vend iu ofrua mbrojtja, duke e renditur Shqipërinë mes 20 vendeve me numrin më të lartë të azilantëve.

Pjesa më e madhe e kërkesave të miratuara kanë qenë ato për shtetasit shqiptarë që kanë deklaruar se janë në hasmëri dhe u rrezikohet jeta në atdhe dhe ata që deklaruan se ndjehen të diskriminuar dhe persekutuar për shkak të orientimit të tyre seksual. Sipas Zyrës Europiane të Mbështetjes dhe Azilit, një e katërta e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së kanë qenë shtetas që kanë shfrytëzuar lirinë e lëvizjes.

“A ka ndërmend Komisioni që të tërheqë liberalizimin e vizave, që është në fuqi prej dhjetorit 2010 dhe si do të luftojë kërkesat e vazhdueshme për azil? Si mund t’i justifikojë Komisioni hapjen e negociatave me një vend, qytetarët e të cilit po fitojnë statusin e refugjatit mbi bazat e persekutimit, përfshirë këtu edhe persekutimin homofobik?”, i drejtohet Dominique Bilde Komisionit Europian.

Kjo nuk është hera e parë që Komisioni përballet me thirrje për të rikthyer vizat me Shqipërinë. Pothuajse një vit më parë, Holanda i propozoi këtij institucioni rivendosjen e vizave me Shqipërinë, por duke cituar arsye të tjera. Autoritetet holandeze depozituan kërkesën në Bruksel duke e bazuar tek rritja e kriminalitetit me burim shtetasit shqiptarë, megjithëse kërkesa nuk justifikohej aspak nga shifrat.

Në fillim të korrikut 2019, Komisioni Europian hodhi poshtë kërkesën e holandeze duke deklaruar se Shqipëria nuk plotëson mekanizmat për pezullimin e vizave.

Zëdhënësi i Komisionit Europian për Politikat e Emigracionit dhe Lëvizjen e Lirë, Tove Ersnt tha për Gazetën “Si” në atë kohë se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e kritereve për lëvizjen e lirë nga ana e qeverisë shqiptare.

Shqipëria renditet e para edhe për 2019 në Europë përsa i përket numrit të azilkërkuesve në raport me popullsinë, duke lënë pas Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Sipas shifrave të publikuara nga Eurostat vitin e kaluar kanë aplikuar në vendet e Bashkimit Europian 16,565 shtetas shqiptarë.

Shifra është më e ulët se aplikimet e regjistruara përgjatë vitit 2018, që u ndal në rreth 19 mijë shqiptarë, ndërsa rekordi mbahet në vitin 2015, me rreth 68 mijë aplikime. Vendet e preferuara nga shqiptarët për të kërkuar azil janë Gjermani dhe Franca, ndërkohë që nuk mungojnë edhe shtete të tjera, mes të cilave edhe Luksemburgu.

Autoritetet në këtë shtet publikuan së fundmi shifrat e tyre, sipas të cilave u numri i përgjithshëm i kërkesave për azil pëzoi një rënie të ndjeshme, me përjashtim të kërkesave që mbërrinin nga shtetas shqiptar.

“Me përjashtim të Shqipërisë, kërkesat për azil nga shtetet e Ballkanit pësuan rënie”, thuhet në një raport të autoriteteve të Luksemburgut.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë