Analize

Komisioni Europian refuzon Holandën, nuk ka rikthim të vizave për Shqipërinë

Pas një muaj shqyrtimi, Komisioni Europian ka hedhur poshtë sot kërkesën e Holandës për rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Lajmi është bërë i ditur për Gazeta Si nga zyrtatë të Komisioni Europian, të cilët thonë se pas vlerësimit të situatës aktuale, Shqipëria nuk plotësohen mekanizmat për pezullimin e vizave.

Zëdhënësi i Komisionit Europian për Politikat e Emigracionit dhe Lëvizjen e Lirë, Tove Ersnt tha për Gazeta Si se ekzekutivi i BE-së do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e kritereve për lëvizjen e lirë nga ana e qeverisë shqiptare.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së kërkesës të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të rikthyer regjimin e vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, thotë zëdhënësi në një email zyrtar.

Pas refuzimit të kësaj kërkese, ka reaguar edhe Ambasadori i BE, në Tiranë Luigi Soreca, I cili thekson se pas kësaj arritjeje Shqipëria duhet të bëjë përpara në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ku gjithçka bazohet në përgjigjen e tetorit.

Kryeministri holandez, Mark Rute dhe Edi Rama

“Tani është koha që Shqipëria të mbështetet mbi këtë konfirmim të arritjes së saj të rëndësishme në vitin 2010 dhe për të ecur përpara me energji në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në pikëpamjen e vendimit vendimtar të KE tetorin e ardhshëm", shkruan ambasadori i BE-së.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një reagim tha: “Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter”.

Në reagimin e saj, Ambasada Holandeze në Tiranë thotë se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.

“Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar. Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Hollanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, njofton ambasada.

Kërkesa e Holandës për rikthim vizash

Dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi në prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën.
Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot, përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, paraqiti edhe argumentet e Parlamentit të tij.

“Gjatë viteve të fundit, çështjet që kanë të bëjnë shtetasit shqiptarë kanë marrë shumë vëmendje në Holandë. Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në krimin e organizuar në qytete të tilla si Amsterdami dhe Roterdami dhe rajone të tjera në vendin tonë. Një zhvillim tjetër është numri në rritje i emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht njerëz të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhej në kërkesën e Holandës. “Numri i aplikimeve për azil nga shtetas shqiptarë është gjithashtu i lartë. Këto rrethana po minojnë mbështetjen e publikut në Holandë për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë”, thuhej në kërkesë.

Mohgerini dhe Edi Rana

Me tej Amsterdami zyrtar përcakton edhe arsyet se përse Bashkimi Europian duhet të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, duke theksuar mes të tjerash se rrjetet kriminale shqiptare përbëjnë rrezik edhe për sigurinë e vendeve anëtare, si Britania e Madhe.

Holanda njoftoi Komisionin Europian se ballafaqohet me një rrezik në rritje për qetësinë publike, rritjen e veprave të rënda penale, të ndërlidhura me shtetasit shqiptarë dhe me një rritje të konsiderueshme të numrit të shtetasve nga Shqipëria të cilët qëndrojnë në Holandë edhe nëse i është refuzuar leje qëndrimi.

Më tej, në dokumentin e hartuar nga zyrtarë të qeverisë holandeze, thuhet se që nga viti 2015, Holanda ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të veprave penale të lidhura me bandat kriminale shqiptare.

“Kriminelët shqiptarë janë të përfshirë në trafikun e drogës (kryesisht kokainë), pastrimin e parave dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Prania e tyre në skenën kriminale në Holandë po bëhet gjithnjë e më e spikatur, pasi po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me grupe të tjera të huaja kriminale. Është e qartë se aktivitetet e tyre janë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e brendshme”, thekson kërkesa.

Kërkesa e vë theksin tek rritja e numrit të shqiptarëve të paligjshëm në Holandë, i cili sipas Amsterdamit zyrtar ka filluar që nga viti 2009. “Në vitet e fundit, autoritetet holandeze të emigrimit dhe të zbatimit të ligjit hasën sfida të konsiderueshme për të luftuar emigrimin e paligjshëm nga Shqipëria. Këto sfida kanë të bëjnë veçanërisht me udhëtarët shqiptarë që përpiqen të kalojnë në mënyrë të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar duke u fshehur në kamionët dhe anijet që nisen nga Roterdami. Kjo shkakton dëme dhe probleme të konsiderueshme për shoferët, sektorin e transportit, komunat dhe autoritetet e zbatimit të ligjit në Holandë”, thuhej në dokument.

Nëse kërkesa e Holandës do të miratohej atëherë pezullimi i lëvizjes së lirë do të bëhej për një afat prej 9 muajsh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë