Analize

Mafia, a po na rrezikon mbylljen e dyerve të Europës?

A është mafia shqiptare një kërcënim serioz për Europën dhe a po bën mjaftueshëm qeveria e Tiranës në luftën kundër saj?

Këto mund të kenë qenë pyetjet e shumë prej qytetarëve europianë pas lajmit se parlamenti holandez kërkoi rikthimin e vizave me vendin tonë për shkak të rritjes së kriminalitetit. Edhe pse qeveria shqiptare është e sigurt se propozimi nuk do të marrë “bekimin” e Komisionit Europian, klima brenda BE-se pritet të jetë shumë më agresive pas zgjedhjeve të parlamentit europian në maj. Sikur të mos mjaftonte kjo, Holanda nuk është vendi i vetëm anëtar i BE-së që ka ngritur alarmin për fuqizimin e mafies shqiptare, pasi këtyre shqetësimeve i janë bashkuar edhe Britania e Madhe dhe Italia. Ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparin në këtë drejtim, negociatat rrezikojnë të shtyhen sërish edhe këtë qershor.

Pesë partite holandeze që votuan për rikthimin e vizave, vunë në dukje se ka pasur një rritje të konsiderueshme në aktivitetet kriminale nga mafia shqiptare në Holandë dhe se organizatat kriminale shqiptare po abuzojnë me mundësinë e udhëtimit pa viza nëpër Europë, për të zgjeruar më tej rrjetin e tyre të kontrabandës. Sipas tyre, Shqipërinë ka shkelur kushtet për lëvizjen e lirë, duke edhe përfshirë luftën kundër krimit ndërkufitar.

Deputeti holandez, Van Toorenburg tha në seancën plenare të së martës në Holandë ka 6 herë më shumë qytetarë shqiptarë sesa të regjistruar zyrtarisht. Ndërkohë, sipas medieve holandeze kërkesë ka të ngjarë të mbështetet edhe nga Franca, pasi Parisi ka kërcënuar gjithashtu të rivendosë regjimin e vizave Shengen për qytetarët nga vendi ynë, pasi mori 730 kërkesa për azil në vitin 2017.

Por kërkesa e parlamentit holandez nuk ishte surprizë as për qeverinë holandeze as për atë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu holandez Mark Rutte

Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Ferdinand Grapperhaus kishte paralajmëruar në fillim të këtij muaji Tiranën zyrtare për ndikimin në rritje të kriminelëve shqiptarë në botën e krimit në vendin e tij.

Duke folur në një vizitë në qytetin holandez të Limburgut, Ministri tha më 4 prill se kishte zhvilluar një vizitë në kryeqytetin shqiptar për të nxitur qeverinë që të bëjë më shumë kundër shqetësimeve për bandat shqiptare. "Unë shkova në Tiranë për t’u kërkuar që të adresojnë këto shqetësime”, tha Grapperhaus të hënën pas vizitës së punës.

Ai tha se qeveria holandeze ndan shqetësimet e policisë dhe kryebashkiakëve për implikimin e bandave shqiptare në botën e drogës, por se rikthimi i vizave nuk do t’i ndalone këto banda që të hynin në Holandë.

Për ministrin, mafia shqiptare është aktive në trafikimin e kokainës dhe qenieve njerëzore. "Falë trafikimit të kokainës, bandat shqiptare janë të përfshira tanimë në të gjithë rrjetin, nga Amerika e Jugut deri tek transporti deri në portin e Roterdamit”, tha ai.

Alarmi i Europolit dhe Italisë

Por a janë fuqizuar vërtet banda shqiptare dhe a rrezikon mafia të shndërrohet në një argument për vendet europiane që nuk duan zgjerimin e BE-së?

Në një konferencë në Hagë, përfaqësues të Europolit ngritën alarmin të mërkurën se mafia përbënte një rrezik më të madh për Europën sesa terrorizmi. Sipas tyre, grupet mafioze nga Italia, Shqipëria dhe Europa Lindore janë shkaktarët kryesorë të dhunës.

Edhe sipas Observatorit Europian për Krimin dhe Sigurinë, krimi i organizuar dhe bandat me origjinë nga Shqipëria janë fuqizuar edhe më shumë përgjatë vitit të kaluar në Europë. “Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, veçanërisht në tregun europian dhe është vend tranzit i heroinës dhe kokainës afgane, duke shërbyer si porta kryesore hyrëse e saj në vendet e BE-së”, thotë organizata në raportin e saj për 2018-ën. “Shqipëria renditet si vend prodhues dhe nyje shpërndarjeje për trafikun e drogës, falë përfshirjes së grupeve kriminale shqiptare në rrjetet kryesore të trafikut të heroinës, kokainës dhe kanabisit në Europë”, citohet më tej në këtë raport.

Sipas dokumentit, grupet shqiptare janë fuqizuar aq shumë saqë kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me prodhuesin kryesor të kokainës, siç është Kolumbia. Këtë lidhje e ka zbuluar më herët agjencitë britanike ligjzbatuese, që thonë se “grupet kriminale shqiptare po rrisin gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre tek rrjeti i trafikut të kokainës duke vendosur marrëdhënie direkte me prodhuesit e saj në Amerikën Latine, e shpesh duke shmangur grupet tradicionale dhe më të vjetra në këtë veprimtari të paligjshme”.

“Londra është baza kryesore e grupeve shqiptare, por aktiviteti i tyre shtrihet në mbarë Europën”, thotë raporti.

Portet ku vepron mafia shqiptare

Ndërkohë për mediat italiane, Shqipëria është kthyet në një qendër thelbësore për trafikimin e drogës. Pak pas votimit të parlamentit holandez, “Anti Mafia 2000” ka publikuar një raport të kreut të Observatorit të Anti-mafias në rajonin e Molise, Vincenzo Musacchio, i cili thotë se trafiku ndërkombëtar i drogës kalon në zemër të Shqipërisë, nëpërmjet rrugës së Adriatikut.
“Nëse fillimisht, organizatat kriminale shqiptare, veçanërisht ato bregdetare, siguronin vetëm një mbështetje logjistike ndaj karteleve, me vitet, marrëdhëniet e pushtetit kanë ndryshuar. Disponueshmëria e madhe e mjeteve dhe burimeve ekonomike e kanë lejuar mafien e vendit të shqiponjave të marrë udhëheqjen e padiskutueshme të trafikut të drogës dhe armëve”, thotë ai. “Deri më tani, mbi 50% e kokainës, heroinës dhe morfinës të sekuestruar në Europë konfiskohet në rrugën e Adriatikut, e cila bën të mundur trafikimin e drogës nga Afganistani në Europë nëpërmjet Iranit, Turqisë dhe Europës Juglindore. Raporti i botuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, konfirmon këto të dhëna. Shqipëria është pika kryesore e tranzitit për të gjitha drogat, përfshirë ato nga Amerika e Jugut”, shkruan ai.

Sipas Musacchios, në Shqipëri, trafiku i drogës, investimet ekonomike dhe pastrimi i parave kanë lidhje me zyrtarë të niveleve të lartë shtetëror.

“Autoritetet shqiptare nuk duket të jenë të angazhuara në luftën kundër organizatave kriminale, pasi ekzekutimet në rrugët e qyteteve kanë vazhduar me vite. Kjo konfirmohet edhe nga raportet e siguruara nga Europoli, i cili analizoi të gjitha vrasjet që ndodhën në Shqipëri nga viti 2015 deri më sot për qëllime hetimore. Autoritetet besojnë se mbi dy qind viktima janë të lidhura në një farë mënyre me mafien, ndërsa për më shumë se 80% të vrasjeve, nuk ka as të dyshuar. Të dhënat e mbledhura gjithashtu tregojnë se ekzekutimet janë një rrezik serioz edhe për qytetarët, pasi shumica e tyre, në fakt, ndodhin në mes të ditës dhe në vende publike. Që kur Shqipëria u angazhua ndaj Bashkimit Europian duke i shpallur luftë mafies, pak ka ndryshuar. Arsyeja pse shumica e vrasësve nuk janë identifikuar ende është lidhja midis krimit të organizuar dhe politikës dhe me policinë, gjyqësorin dhe shërbimet e sigurisë”, thotë Musacchio.

Sipas prokurorit të lartë italian, ekzistenca e lidhjeve të forta midis bosëve të trafikut të drogës dhe institucioneve publike shqiptare ka bërë që mafia të infiltrohet në parlament.

Shkatërrimi i parcelave me hashash në Lazarat

“Në Shqipëri nuk ka vetëm biznese që kanë lidhje me organizatat kriminale, por tani mafia ka hyrë në Parlament. Ish-ministri i brendshëm i qeverisë aktuale të Edi Rama është nën hetim për trafik ndërkombëtar të drogës. Gjithashtu për këtë arsye, disa ditë më parë, prokurori anti-mafies Umberto Raho, vizitoi Tiranën duke paralajmëruar se mafia rrezikon të bëhet investitori më i madh në ekonominë shqiptare”, shkruan ai duke theksuar se kërcënimi i grupeve kriminale shqiptare është një alarm që nuk duhet të nënvlerësohet nga Italia.

Procedura për rivendosjen e vizave

Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013 në mënyrë që të sigurojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë ndaj një vendi jo anëtar të BE-së për një periudhë të shkurtër kohore.

Sipas procedurës, Amsterdami duhet të dërgojë një njoftim në Bruksel duke shpjeguar qartë deklaruar arsyet se përse kërkon rikthimin e vizave me Shqipërinë. Qeveria holandeze nnga ana e saj ka thënë se nuk do të bëjë ndonjë lobim të veçantë për këtë çështje.

Pasi Komisioni Europian të jetë njoftuar nga Holanda, do të shqyrtojë kërkesën duke ia paraqitur më pas vlerësimet e tij Parlamentit dhe Këshillit Europian.

Nëse Komisioni vendos të ndërmarrë masa specifike ndaj Shqipërisë, mund të miratojë një akt zbatues brenda një muaji pas paraqitjes së rezultateve të shqyrtimit të tij në Parlament dhe Këshill. Nëse do të miratohej nga shumica e vendeve të Këshillit Europian, Komisioni do të rikthejë përkohësisht vizat për Shqipërinë.

Edhe pse qeveria holandeze është e bindur se KE-ja është kundër rikthimit të regjimit të vizave me Shqipërinë, problemi qëndron tek koha kur mund të arrijë kjo kërkesë në Bruksel. Nëse votimi për rikthimin e vizave mbahet pas zgjedhjeve europaine, të cilat pritet të shënojnë një triumf të populistëve dhe partive anti-emigracionit, qeveria shqiptare mund të gjejë veten në probleme edhe më të mëdha nga se e mendonte. Shumica e këtyre partive, të cilat kanë krijuar tanimë një aleancë nën udhëheqjen e Matteo Salvinit do ta shikonin propozimin për pezullimin e vizave me Shqipërinë si hapin e parë për të treguar “dhëmbët” ndaj burokratëve të Brukselit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë