Muzike

Dua Lipa: Flas anglisht dhe shqip, identiteti i dyfishtë tani është forca ime

Nga Gazeta Si - Në çatinë e një hoteli të ri, superylli Dua Lipa shikon të gjithë Parisin dhe botën me buzëqeshjen e 27 viteve të saj dhe me sigurinë se ka goditur frymën fluide të kohës: ajo është e bukur, e fortë dhe delikate, ajo ka rrënjë kosovare, por është rritur në Anglinë që dëshiron të jetë globale. Ajo ka 86 milionë ndjekës virtualë në Instagram, lançoi buletinin 'Service95' i cili është një lloj dritareje kulturore. Ajo bën koncerte për të sjellë këngët e albumit të saj të dytë ‘Future Nostalgia’ në të gjithë botën. Natyrisht, ajo këndon edhe New Rules, pjesë e manifestit që e bëri të shpërthejë në 2017-ën.

Dua Lipa e zhvillon këtë intervistë në një ditë kushtuar Yves Saint Laurent dhe "Libre", parfumit të ri që është një përzierje mes traditës dhe modernitetit.

Pse zgjodhët Yves Saint Laurent, mes shumë shtëpive të modës me të cilat mund të kishit bashkëpunuar?

Unë kam qenë gjithmonë një fanse e Yves Saint Laurent, i cili ishte një gjeni dhe më pëlqen identiteti i tij, të cilin e gjej afër timit. Yves Saint Laurent ishte artisti që arriti të ofronte një imazh të forcës dhe feminitetit në të njëjtën kohë. Më duket se edhe në muzikën time dhe në personalitetin tim shumë gjëra sillen rreth idesë për të qenë të fortë, për të pohuar veten.

A ju pëlqen ideja për të thyer barrierat?

Po, në punën time duket se përdor shumë energji mashkullore, sepse ndjej se është ajo që më duhet të dëgjohem. Por më pas në këngë më pëlqen të shpreh edhe feminilitetin dhe gjej shumë forcë edhe në këtë. Yves Saint Laurent ishte në gjendje të pohonte vlerën e rrjedhshmërisë në një kohë kur ishte ndoshta më pak e lehtë se tani. Unë kam një admirim të madh për të, ai ishte vërtet një pararendës.

A është kjo një qasje që e gjeni edhe te parfumi?

Emri ‘Libre Le Parfum’ ngjall lirinë, forcën. Ky parfum ka një strukturë mashkullore që më pas kthehet në femërore, është perfekt për botën e sotme, i përbërë nga një bashkim zhanresh dhe kulturash. Është lulja e shafranit, e rritur në kopshtet e Ourika në Marok dhe më pëlqen gjithashtu kjo ide e vetë-mjaftueshmërisë, e kontrollit të cilësisë së lëndëve të para, dhe më pas ju ndjeni portokallinë jashtë. Është një shkrirje shumë e veçantë.

Pse është i rëndësishëm parfumi për ju?

Është kaq nostalgjik, sa përfaqëson një lidhje të menjëhershme. Parfumi është një gjë shumë personale dhe një nga komplimentet më të mira që mund të më bëjnë është “oh, sa parfum i mirë”.

Po spoti i ri?

Përveç meje, ekziston kënga e George Michael, Freedom, e përkryer për të evokuar këtë çlirim, këtë dëshirë për afirmim personal përtej modeleve të së shkuarës.

Karriera juaj është gjithashtu mjaft jashtë kornizave. Kur keni filluar të këndoni?

Me siguri kam kënduar që kur kam dalë nga barku. Unë gjithmonë e kam dashur muzikën. Babai im ishte muzikant, kur jetonte në Prishtinë, Kosovë, i binte kitarës dhe këndonte në një grup rock. Në shtëpi në Londër ata gjithmonë luanin. Prindërit e mi e donin rokun britanik dhe dëgjonin të gjithë llojet e artistëve.

Për shembull?

Më kujtohet se kam dëgjuar shumë David Bowie, dhe më pas erdhën Oasis dhe Blur. Ah, dhe Sex Pistols, e jona ishte një shtëpi shumë muzikore. Kur linda u zhyta në atë atmosferë, në një mënyrë shumë të natyrshme, aq sa nuk më kujtohet një këngë e parë, një muzikë e parë... Ishte si ajri që thitha, është si sikur të kisha dëgjuar gjithmonë muzikë, gjithmonë të kënduar dhe kërcyer, që nga dita e parë. Pas rock-ut të hershëm zbulova pop-in dhe i thashë vetes “ja, kjo është muzikë vërtet argëtuese”.

Dua Lipa me nënën e saj Anesën, babain Dukagjin dhe motrën e vogël Rina

Keni pasur ndonjë këngëtare të preferuar?

Po, për këngët edhe për imazhin që projektuan. I doja artistë si Pink, apo Nelly Furtado, apo Alicia Keys. Më pëlqente muzika dhe gjithashtu qëndrimi i tyre i forcës, më dukeshin si gra që kontrollonin situatën, i admiroja dhe magjepsesha pas tyre. U ndjeva në harmoni me ta dhe është diçka që vazhdon edhe tani.

A ju inkurajuan prindërit? Çfarë i thanë një vajze që tha “kur të rritem dua të bëhem një yll i pop-it”?

Ishte e mrekullueshme, nuk e mendoja se një gjë e tillë ishte e mundur. Të bëja muzikë ishte ëndrra ime kur shkoja në shkollë, kur shpikja rutinat e kërcimit në këndin e lojërave ose kur këndoja para televizorit, por ndërsa u rrita kuptova se këto ëndrra janë të vështira për t’u realizuar për këdo, plus isha nga Kosova, më dukej se të bëhesha artiste ishte një fat që nuk më përkiste mua. Por kur e panë që isha vërtet e bindur, se isha vërtet serioze, prindërit e mi ecën bashkë me mua, pa më detyruar apo frenuar.

Si keni arritur të bini në sy?

Kam lindur në Londër, por kam jetuar në Prishtinë nga 11 deri në 15 vjeç. Në atë moshë u ktheva në Londër sepse mendova se askush nuk do të më zbulonte në Kosovë. Unë besoj se interneti tani është më qendror se më parë dhe se falë internetit është më e lehtë të dëgjohesh kudo që jeton në botë. Megjithatë, për mua, në moshën pesëmbëdhjetë vjeç, ishte vërtet e rëndësishme të isha në një vend ku kisha ndjenjën se gjithçka po ndodhte, pikërisht atje, në atë moment. Kjo është arsyeja pse u ktheva në Londër, isha shumë me fat që pata këtë mundësi.

Nga çfarë varej kjo fije familjare mes Prishtinës dhe Londrës?

Kam lindur në Londër sepse prindërit e mi e kanë braktisur Kosovën për shkak të luftës. Për ta ishte dhimbje të largoheshin nga vendlindja, nuk do ta kishin bërë kurrë nëse jo për një arsye kaq të rëndë dhe u kthyen në Kosovë pas përfundimit të konfliktit. Më erdhi keq për ta, por kjo më dha mundësinë të bëj atë që dua vërtet. Kur u ktheva në Londër në moshën 15-vjeçare, mora kontratat e para dhe prej andej karriera ime nuk u ndal kurrë.

A duhet të jetosh në Londër për të depërtuar?

Nuk mendoj se është më kështu, më duket se tani jetojmë në një botë ku mund të kesh zërin tënd dhe të dëgjohesh kudo që të jesh. Edhe këtu i kthehemi temës së shkrirjes, rrjedhshmërisë, kulturave dhe mënyrave të jetesës që ndërthuren. Sot është e lehtë të kesh origjinë të ndryshme, madje edhe të këndosh në një gjuhë tjetër përveç anglishtes, kur për një kohë të gjatë të gjithë mendonin jo se përdorimi i anglishtes ishte i detyrueshëm ose pothuajse. Shumë artistë të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme po shfaqen, është një nga aspektet më emocionuese të botës ku jetojmë, përzierja e kulturave është ajo që më pëlqen më shumë.

Po ju si e jetoni kulturën tuaj të dyfishtë, shqiptare dhe britanike?

Kam lindur dhe jam rritur në Londër në një familje kosovare, por kur isha e vogël gjithçka që më interesonte ishte të isha tërësisht angleze. Si fëmijë ju dëshironi të jeni si gjithë të tjerët, dëshironi të integroheni, nuk e vlerësoni diversitetin tuaj. As emri im nuk më pëlqente, sepse zbulonte origjinën që nuk ishte angleze. Kur më pyesnin si quhesha mendoja “O Zot, tani them Dua Lipa dhe do të duhet të shpjegoj nga vij dhe të tregoj historinë e familjes sime”.

Çfarë ka ndryshuar duke u rritur?

Kam mësuar ta vlerësoj këtë anë timen, ta konsideroj si një pasuri. Gjëja që dua në jetën time është të kem këtë dualitet, t’i përkas dy vendeve në të njëjtën kohë. Flas rrjedhshëm anglisht dhe shqip, ndihem si në shtëpinë time në Londër dhe Prishtinë, më pëlqen historia e të parëve dhe rrënjëve të mia. Si fëmijë ne nuk e kuptojmë këtë, por tani më duket shumë e bukur kjo përkatësi e dyfishtë, kjo jam unë. /Il Corriere della Sera/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë