Menaxhim

Balluku: Në maj hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës. Albcontrol nuk mund të dalë me fitim

Nga Gazeta 'SI' - Brenda majit Shqipëria do të hapë garën ndërkombëtare për aeroportin e Gjirokastrës, njoftoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Ministrja theksoi se edhe në aeroportin e Vlorës po avancojnë punimet dhe pritet të hapet në 2025-n.

“Shqipëria do të ketë 4 porta hyrëse nga ajri, dhe prej vitesh tashmë po punojmë. Duke nisur nga aeroporti i Tiranës, ka pasur 13 mijë m2 ndërsa sot kemi 40 mijë m2.  Ne kemi një lajm shumë të mirë që të gjitha punimet civile në aeroportin e Vlorës, po shkojnë ashtu siç duhet, ne themi që në dhjetor të 2024 të mbyllen punimet, dhe në pranverën e vitit 2025 të nisin uljet e ngritjet. Por për të pasur portën e katërt, brenda muajit maj ne do të hapim garën ndërkombëtare për një aeroport të katërt në jug, i cili fillimisht u propozua në zonën e Sarandës, por kemi dakordësuar me ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit dhe Aviacionin civil, që të jetë në zonën e Gjirokastrës”, tha ministrja në Kuvend, ku po diskutohej drafti për Albcontrol.

Shkrirja e kësaj agjencie në një ent shtetëror ka shkaktuar shumë debate, të cilave ministrja iu përgjigj gjatë seancës së sotme. Sipas saj ndryshimi i statusit të Albcontrol po bëhet vetëm për shkak të një ngërçi teknik në deklarimin e bilanceve.

 “Albcontrol nuk duhet të ketë fitim. Duhet të marrë atë shifër që i duhet për operime dhe investime. Nëse nuk arrijmë ta kolaudojmë përmes operimeve, nuk kemi pse të marrim vendime. Në pandemi nuk kishte punë. Flitet për 2022 dhe 2023 kur është analizuar. Kjo kompani nuk ka fitim.

Jemi duke rregulluar formatin funksional të kësaj kompanie duke e kthyer në institucion shtetëror, jo fitimprurës. Ky është thelbi, por e kuptoj që është çështje shumë teknike. Sa i përket kryeministrit , ka aftësi të jashtëzakonshme menaxheriale, është një lider politik i një përmase jashtë këtij vendi, por nuk merret me navigimin ajror. Po ç’keni mo. Mund të thoni ç’të doni, por nuk është ashtu”, u shpreh Balluku.

Më tej ministrja theksoi se për herë të parë do të themelohet akademia ajrore.

 “Gjatë vitit 2024 për herë të parë, do të themelojmë në Republikën e Shqipërisë akademinë ajrore. Për të pregatitur kështu të gjitha stafet nevojshme që do të kenë mundësinë për të punuar në të katër aeroportet e vendit.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë