Menaxhim

Ndryshon formula, qeveria do t’i shpërndajë para bashkive sipas numrit të popullsisë

Nga Gazeta 'SI' - Formula e financimit të bashkive në vend do të ndryshojë në pak muaj.

Sipas Strategjisë së Menaxhimit Financiar, qeveria parashikon që formula e shpërndarjes së parave për bashkitë të bazohet në të dhënat e popullsisë, që do të dalin nga Censi, në muajin qershor. Bazuar në të dhëna paraprake po nga Instat, popullsia e Shqipërisë është tkurrur, duke nënkuptuar kështu që paratë për bashkitë do të reduktohen.

Gjithsesi Strategjia nuk detajon rrugën që do të ndiqet për këtë formulë dhe nëse do të ketë ndërhyrje dhe në ligjin për Financat Vendore, ku thuhet se transferta e pakushtëzuar për bashkitë nuk mund të jetë sa më pak se 1%e PBB-së së vendit.

Krahas këtij propozimi që është ende në konsultim, qeveria përmend dhe se 80% e njësive të qeverisjes vendore kanë pasur një performancë të mirë financiare dhe kanë arkëtuar më shumë të ardhura.

Qeveria ka dhe një plan për bashkitë me shumë borxhe.

“Bashkitë me nivel shumë të lartë borxhesh dhe detyrimesh të prapambetura duhet të përgatisin dhe zbatojnë një plan rehabilitimi financiar nën mbikëqyrjen e MF-së[1]. MF përgatit raportin vjetor: “Për gjendjen e vështirësive financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore”, për monitorimin e gjendjes financiare të njësive të vetëqeverisjes vendore”, thuhet në dokument.

Sipas një udhëzimi të botuar më herët, bashkitë do të përdorin asetet e tyre për të shlyer borxhet dhe do të kenë asistencën e ministrisë së Financave vetëm për administrim, por jo për transferta parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë