Keshilla

Depresioni për shkak të pandemisë po vret si virusi

Ndërkohë që e gjithë vëmendja është kthyer nga personat që janë të infektuar me Covid-19 dhe shërimin e tyre nga ky virus, ne kemi harruar se pasojat psiqike janë shumë të mëdha dhe duan vëmendjen e tyre.
Para disa ditësh, një 29 vjeçar u vetëvra duke u hedhur nga kati i tretë i Spitalit "Shefqet Ndroqi" ku kishte disa ditë që po kurohej për Covid-19 dhe dyshimet e para thonë se ka qenë depresioni që e ka quar drejt këtij vendimi. 

Gazeta "Si" bisedoi me psikologe Aljona Jonuzi e cila tregon se depresioni në këtë kohë pandemie është i shkaktuar që nga fazat e para të izolimit, ashtu si dhe kushtet e rënduara ekonomiko-psikosociale si rezultat i pandemisë tregojnë që niveli i stresit dhe depresionit është rritur ndjeshëm dhe padiskutim kjo gjë ndikon në rritjen e rasteve të krimeve, dhunimeve dhe po ashtu edhe vetëvrasjeve. E keqja tjetër, sipas psikologes, është dhe tejzgjatja e paditur e Covid-19 dhe të mos njohësh "armikun" çka e bën akoma më komplekse sjelljen e njerëzve.

Psikologe Aljona Jonuzi

Ka mënyra për të parandaluar depresionin, mënyra që pak a shumë të gjithë e dimë, siç janë shëtitjet në ajër dhe natyrë, të lexosh sa më pak gjëra rreth problemit dhe të marrësh vetëm informacionet bazë, të bisedosh me dikë të besueshëm rreth asaj që po ndodh dhe çka është më e mira, t'i drejtohesh një psikologu.
Psikologu, një tabu! Si ta thyejmë këtë tabu?
Jonuzi i tha Gazetës "Si" se duhet të futet në kulturë vajtja tek psikologu siç shkojmë tek mjeku i familjes ose tek dentisti në rastet kur vëmë re se ka diçka që nuk shkon apo dhe për të bërë vizitë maratonë sepse jo çdo problem mund ta vesh re.
"Shoqëria jonë duhet të mësohet me praninë e këtij profesioni si diçka pozitive dhe jo dicka që mund të paragjykohet." tha Jonuzi.
 Pra tek psikologu mund të shkojë kushdo, edhe në rastet kur ndodhemi përballë një pandemie të tillë të panjohur dhe nuk e dimë si të reagojmë.
Ajo thotë se është e rëndësishme që çdo person që ka kontakte me persona që dyshohet se kanë depresion duhet ta orjentojë tek një specialist duke i ofruar mbështetjen pasi mbështetja dhe dashuria për njëri-tjetrin këto kohë është thelbësore.
Jonuzi i tha Gazetës "Si" se ajo që njerëzit nuk dinë është se ankthi dhe depresioni do ekzistojnë dhe pas pandemisë, minimumi dhe 1 vit pasi të mbarojë çdo gjë sepse aq i duhet trurit tonë të shfaqi shenjat dhe nëse një situatë ka kaluar.
"Do kemi persona me DPT (depresionin post traumatik) pasi e kanë kaluar Covidin ose ankth post traumatik dhe për të parandaluar çdo depresion të mundshëm duhet të jemi të vëmendshëm me personat e afërt që ti kuptojmë dhe ti ndihmojmë me kohë." tha Jonuzi.
Nuk është turp të tregosh sa më shumë dashuri dhe përkushtim ashtu siç nuk është turp të konsultohesh me psikolog, mjafton që të shpëtosh nga një gjendje jo e mirë mendore. Raste të tilla vetëvrasjeje, me në thelb depresionin, nuk kanë munguar as në Amerikë, Itali, Gjermani, Bangladesh, Indi dhe në shumë vende të tjera.
Për shembull, një kamarier 19-vjeçar në Angli vdiq në spital pas një përpjekje vetëvrasjeje për shkak të depresionit nga 'ndikimet e shëndetit mendor' të izolimit. Një burrë 66-vjeçar me kancer në fyt u var në një spital të qytetit të Nju Jorkut pasi rezultoi pozitiv për koronavirus. Një burrë në Illinois i cili kishte frikë se ai dhe e dashura e tij kishin pasur kontakt me njerëz të invektuar me Covid-19, qëlloi për vdekje të dashurën e tij dhe më pas vrau veten. Ata rezultuan negativ për Covid-19. Një 36-vjeçar nga Bangladeshi vrau veten sepse ai dhe njerëzit në fshatin e tij menduan se ishte i infektuar me COVID-19 sepse kishte ethe dhe temperaturë. Ai doli negativ.
 Një 49-vjeçare, kryetare e Departamentit të Emergjencave në një spital në Nju Jork u vetëvra pasi i tregoi familjes së saj për vuajtjet dhe vdekjet e jashtëzakonshme të pacientëve të saj për shkak të Covid-19. Në Itali një infermiere vrau veten pasi shfaqi shenja të mëdha depresioni në kohën kur Italia po kalonte periudhën më të keqe për shkak të Covid-19.
Të gjitha këto ngjarje mund të kenë histori të ndryshme por kanë një të përbashkët të madhe: Depresion për shkak të Covid-19!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë