Treg

Cilët emigrantë të huaj do të rindërtojnë Shqipërinë?

Sabina Veizaj - Deklarata e kryeministrit Rama se për rindërtimin pas tërmetit do të duhen fuqi e madhe punëtore të cilin Shqipëria nuk e zotëron, nuk është e rastësishme.

Në kuvend qëndrojnë dy projektligje të cilat me sa duket do të kalojnë si paketë; projektligji për “Shtetësinë” dhe “Projektligji për të huajt” .

Në mbledhjen e fundit të qeverisë kryeministri Rama urdhërori që “Projektligji për të huajt” të kalojë menjëherë në kuvend brenda datës 19 dhjetor sepse “duhen mijëra njerëz për të punuar në rindërtimin e objekteve të rrënuara nga tërmeti”.

Mes radhëve të deklaratës, zoti Rama zbuloi se të dyja draftet , në fakt ishin përgatitur që në tetor, gati një muaj përpara tërmetit çka do të thotë se rëndësia e tyre nuk lidhet me ngjarjet e fundit por me disa arsye të tjera. Por ky fakt humbi mes fluksit të lajmeve që vinin nga zonat e prekura nga tërmeti. Por nëse kthehemi pas do të shikojmë që në tetor mediet greke do të shpërthenin me kryetituj se “Shqipëria po kërkon emigrantë të huaj për forcë pune.”

Në atë kohë u aludua edhe për një skenar grek të për t’i dyndur emigrantët e lindjes në Shqipëri, dhe për të shkarkuar barrën e fqinjit tonë jugor i cili ishte një ndër porta hyrëse kryesore të Europës për emigrantët e Lindjes.

Thamë se kryeministri Rama e zbuloi faktin që këto ligjet ishin përgatitur më parë sepse në tetor kur gazeta “Si” i pyeti dy ministritë atë të Brendshme dhe të Jashtme, ato e mohuan kategorikisht faktin që ka nisma të tilla ligjore megjithëse siç rezulton nga draftet ato janë propozuesit. Mohimi më i hershëm i qeverisë rreth kësaj çështje, tani natyrshëm shtron pyetjen ” ku fle lepuri?”

Të dy projektligjet, përshpejtojnë dhënien e shtetësisë të huajve dhe shkurtojnë kohën për dhënien së lejeve të punës për shtetasit e huaj.

Posaçërisht projektligji për “Shtetësinë” , sipas relacionit shpjegues që e shoqëron , parashikon që në raste të veçanta kur Shqipëria ka një interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit, për të mos ndiqet proceduar e unifikuar , pra të ecet mbi prioritete.

Kurse projektligji për të huajt, sipas relacionit, synon lëshimin e vizave elektronike online që do të reduktojë ndjeshëm kohën e ofrimit të këtij shërbimi për marrjen e një vize nga shtetasit e huaj. Nga këto dy projektligje përfitojnë edhe familjet e punonjësve të huaj që mund të vijnë në Shqipëri.

Fati ogurzi i tërmeti në këtë rast e ndihmoi qeverinë të fut në axhendë më të shpejt miratimin e dy ligjeve të reja me një motiv të ri. Ndërkohë që nëse ligjet do të ishin bërë publike përpara tërmetit potencialisht mund të ngjallnin pakënaqësi të mëdha tek shqiptarët të cilët do të fajëson qeverinë se në vend që të nxis punësimin e tyre brenda vendin në kushtet e një emigracioni të lartë, po punon për t’i zëvendësuar ata me të huaj. Ndaj ky pastaj është një problem politik serioz për maxhorancën ndaj tërmeti krijoj albinë e duhur.

Por përpos kësaj vendi duket që ka vend për fuqi punëtore, por a ka qeveria një strategji, një plan afatgjatë?

Disa ekspertë e shohin këtë lëvizje të qeverisë si thjesht dhe vetëm konsum politik.
Sipas tyre qeveria vazhdon të improvizojë.

Sipas ish zv/ministres së financave Irena Beqiraj, “unë nuk mund të them që kjo është një gjë e mirë apo e keqe, por mund të them që duhet një studim paraprak”.

Sherefedin Shehu

Ish zv/ministri i financave në kohën e qeverisjes demokratike, Sherefedin Shehu e sheh nismën e qeverisë për të marrë punëtorë nga jashtë si një marketing politik.

Ne, thotë ai, kemi nivel të lartë papunësie në vend. “Nuk kanë ngelur punët pa bërë se nuk ka punëtorë. As ligji nuk ka penguar ardhjen e punëtorëve të huaj në Shqipëri. Aktualisht në vend ka edhe të huaj që punojnë në të zezë.”- thotë Shehu.

Për të ky konsum politik bëhet për ti thënë botës që “ne nuk punësojmë vetëm vendasit, por e hapim tregun edhe për të huajt”.

Kurse eksperti i fushës së ekonomisë Selami Xhepa e sheh pozitivisht hapjen e tregut, por për të duhet të ketë një strategji, një plan (road map), thotë ai, jo të bëhen gjërat kuturu.

Selami Xhepa

“Nëse tregu ka vërtet nevojë për punëtorë të huaj, pse jo. Por zgjidhja duhet të shihet afatgjatë dhe kërkesa duhet ti përgjigjet me treg cilësor dhe standarde. Tregu në Shqipëri ka qenë i depresuar ; varfëria i ka detyruar shqiptarët të largohen. Nëse ne do të zhvillojmë tregun me standarde dhe cilësi, le të kthejmë edhe shqiptarët e larguar”- propozon Xhepa.

Ai është për një treg të hapur ballkanik, por tregu i brendshëm duhet të përgjigjet sipas tij me standarde të larta. “Jo me paga të ulta se kjo ka një cak dhe nuk është për afatgjatë”- thotë ai.

Për Xhepën, shoqëria jonë duhet të mësohet me fenomenin e ri të emigracionit të punës, që është fenomen i epokës tonë dhe po ndodh kudo.

Ai thekson se kjo është diçka pozitive, por duhen ngritur mekanizma dhe standarde për të zhvilluar tregun.

Kjo sipas Xhepës do të shpjerë në një shoqëri multikulturore, do të ketë diversitet, do të ndryshojë stili i jetesës, tregu bëhet atraktiv, krijohet edhe potenciali i rikthimit të shqiptarëve. Pra për Xhepën të dyja palët kanë përfitim; si ardhësit, ashtu edhe bujtësit.
“Por, gjithmonë me një plan afatgjatë”- thotë Xhepa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë