Mendim

Po të papunët a duhet të marrin pjesë në rindërtimin pas tërmetit?

Megjithëse është i trishtë përfundimi i kryeministrit Rama se vendi nuk ka fuqi punëtore për ndërtim, aq sa t’i përgjigjen shpejt nevojës për rikuperimin  e shpejt të dëmeve nga tërmeti, ai është i vërtetë.

Sipas ndërtuesve , vitet e fundit ka pasur mungesë në fuqinë punëtore pasi shumica emigrojnë për të punuar 3-6 muaj në vit dhe kur kthehen nuk mund të gjejnë sërish punë në Shqipëri pasi kompanitë serioze kërkojnë punonjës me kohë të plotë dhe për periudhë të papërcaktuar me kontratë.

Kreu i Shoqatës së Ndërtueseve Maksim Muçi thotë që të dhëna statistikore nuk disponojnë, por kompani të ndryshme ndërtimi ankohen shpesh vitet e fundit për mungesë punëtorësh.

Megjithatë, Avenir Kika, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve thotë se “Pyetja nëse kemi mungesë të fuqisë punëtore në ndërtim apo jo, kërkon një punë studimore që duhet bërë nga shoqata e ndërtuesve. Për momentin nuk mund t’i jap përgjigje.”

As qeveria nuk tha se sa duhet të jetë numerikisht kjo fuqi punëtore që na nevojitet dhe se çfarë profili kërkohet, por megjithatë ajo mendon siç tha kryeministri "që këtë boshllëk ta mbulojmë duke huazuar  punëtorë të kombësive të tjera."

Ndoshta kjo është një rrugëzgjidhje. Por në Shqipëri kemi shifra të një papunësie të lartë dhe të cilët mund të ishin një kontingjent i mirë për të qenë pjesë e brigadës rindërtuese. Vetëm në vitin 2018 sipas INSTAT numërohen mbi  gjysmë milion njerëz të papunë.

Katër qarqet me nivelet më të larta të papunësisë mbi mesataren e vendit: Durrësi, Tirana, dhe Lezha dhe Vlora janë gjithashtu katër rajonet që kanë nivelet më të ulëta të punësimit nën mesataren kombëtare. Nga të katër, Durrësi, Tirana dhe Lezha kanë gjithashtu nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në punësim, nën 57.0 %, rajone të cilat u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Nga angazhimi i tyre buxhetit të shtetit dhe buxhetet familjare do të mund të kishin të paktën dy përftime të shpejta: do të kurseheshin fondet e ndihmës sociale,  ndërsa familjet  me anëtar të papunë do të mund të siguronin më shumë të ardhura nga paga  qoftë edhe  përkohësisht.

A do të mund të shërbenin këto forca pune për tu integruar në planin e rindërtimit të qytezave të emergjencës duke bërë të mundur që këtë fatkeqësi natyrore ta kthenim në oportunitet për ekonominë e vendit? Jo çdo gjë duket kaq e lehtë.

“Unë mendoj që puna për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti do të jetë punë intensive dhe do të kërkojë shumë punëtorë. Mendoj që nuk mund të detyrosh të papunët që janë kualifikuar për profile të ndryshme, të punojnë në ndërtim. Edhe nëse ata do të pranonin ta bënin këtë punë, nuk do të kishin mundësi dhe aftësi”- shprehet Muçi për gazetën “Si”.

Duke mos pasur studime e rrjedhimisht statistika, nuk ka një panoramë të qartë se sa nga të papunët që përbëjnë forcën punëtore në vend, mund të shfrytëzohen në procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.

Prandaj, mendojnë disa ekspertë, Shqipëria edhe në këtë situatë emergjence procedon me improvizim.

E megjithatë  mundësia që të papunët në Shqipëri të bëhen pjesë e rindërtimit nga tërmeti dhe të mund të kenë mundësinë që të jetojnë me dinjitet përmes punës së tyre, duhet të jetë një opsion që nuk duhet neglizhuar , përpara se të vendosim se cilët punëtorë të huajë do të duhet marrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë