Disa javë pas vdekjes së tij, po ëndërroja sikur unë, bashkëshorti dhe djali tjetër, po shkonim në Kaliforni dhe Nuçi, i mbështetur në krahët e mi, më sheh dhe më thotë: “Nënë, e di nuk duhet ta kisha bërë. Në atë grimë i them: “Nëse ti do të ktheheshe…” Ai më gjegjet: “Jo, është bukur këtu.”
Ishte kjo që i dha paqe autores Linda Philips, nënës që humbi të birin në moshën 22 –vjeçare, në betejën me depresionin, ta titullonte librin e saj, pikërisht me fjalët e ëndërrta të të birit, “Bukur këtu”, i cili sapo ka ardhur edhe në gjuhën shqipe. Me stigmën e një shoqërie të fiksuar pas përsosmërisë-ku megjithë përpjekjet edhe dukja dështon të jetë e tillë –moskuptimit të betejave të brendshme që njeriu ka me mendjen dhe shpesh etiketimet (ndoshta jo me qëllim) mbi sëmundjet e shëndetit mendor apo vetëvrasjen si koncept, ku shpesh janë bërë edhe debate për rregullimin e termit nëse do të ishte “kreu” apo “u vetëvra” (në fund rezultati është i njëjtë, por paqja duket sikur nuk vjen për atë që bën këtë zgjedhje edhe pasi ka ikur nga kjo botë), ky libër i një nëne që gjeti forcën të dalë nga terri i dhimbjes për t’u dhënë shpresë të gjithë atyre që përballen me beteja të ngjashme si e birit të saj Nuçit, ngre pikërisht këtë pyetje; nëse nuk i stigmatizojmë njerëzit me kancer, atëherë përse duhet të stigmatizojmë njerëzit me shqetësime mendore?Në një intervistë në emisionin e pasdites në televizionin Klan, autorja u shpreh se ka mësuar se në Shqipëri është i pari libër i këtij lloji, i botuar.
“Nuçi ishte fëmijë i ndjeshëm dhe donte të përjetonte çdo gjë. Filloi të lexonte që 3 vjeç dhe kur ishte 5 vjeç lexoi në një gazetë se, një grup në Atlanta kërkonte pjesëtarë dhe ai donte të shkonte. Ne nuk e dinim që ai këndonte, ai bëri prova dhe e morën. Pas pak kohësh ai mori edhe një çmim. Në shkollë ka qenë shumë i mirë, ka qenë fëmijë i përsosur.”, ka rrëfyer e ëma, Linda.
Ndodhi në moshën 16-vjeçare tërheqja e tij e parë prej botës, diçka që nuk kishte si t’i shpëtonte syrit të kujdesshëm prindëror. Refuzoi ndihmën dhe madje edhe e ëma, infermiere dhe me njohuri në psikiatri nuk e kuptoi se bëhej fjalë për depresion. Ajo që u mendua prej prindërve si ankth adoleshentësh, u përkeqësua deri në tentativën e parë për t’i dhënë fund jetës.
E shtruam në spital dhe punoi shumë që të ndihej më mirë. Kur je në depresion imazhet të shtrembërohen, në mendje ke një lloj filtri të papastër.”, ka rrëfyer në intervistë Philips, ndërsa katër vite vijuan me ulje-ngritje të humorit, derisa në vitin e dytë të kolegjit, në prag të Natës së Falënderimeve të vitit 1996, me armën që kishte gjetur, i dha fund jetës.
Prezantuar mbrëmjen e 19 shtatorit në Bibliotekën e Kryeministrisë, Linda Phillips solli një rrëfim biografik që e kapërcen dhimbjen personale. Phillips, ndau për publikun në Shqipëri përvojën si mësoi të qëndrojë mbi dhimbjen; si ndoqi dritën dhe gjeti paqen, pasi doli nga errësira dërrmuese e humbjes së djalit të saj,pas një lufte të përjetshme me depresionin e rëndë; se si prej dhimbjes ajoshkroi librin, që bart në një simbiozë rrëqethëse shijen e vdekjes dhe luftës për të jetuar dhe atëherë kur njeriu nuk gjen forcë.
Me librin “Bukur Këtu”, të zhanrit “memoar”, Linda Phillips flet për djalin e saj dhe ngjarjet që çuan në vetëvrasjen e 22-vjeçarit në Ditën e Falënderimeve. Autorja, që në titull përcjell mesazhe frymëzuese dhe shpresëdhënëse për të ndihmuar shumë njerëz tëshërohen nga humbja e njerëzve më të shtrenjtë dhe mbi të gjitha se si, ata të fitojnë luftënmbi një nga çështjet më serioze siç është depresioni. Në këtë rrëfim intim të përvojës më të dhimbshme të jetës së saj, Philips jo vetëm që ofron këndvështrim të sinqertë të efektit tronditës të vetëvrasjes në familjen e saj dhe tek ajo, ajo shqyrton procesin që e ndihmoi të rifitonte veten pas ngjarjes. Këndvështrimi i saj ofron zgjidhje efektive e plot shpresë. Një ide shumë e thjeshtë që mund të nisë nga çdo njeri i dhembshur. Në këtë rast, fokusi është te muzikantët dhe komuniteti krijues si edhe më gjerë. Quhet ‘Nuçi’s Space’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.