Ekonomi

Banka Botërore i tërheq veshin Qeverisë për PPP-të

Borxhi i lartë publik dhe PPP-të me ofertë të pakërkuar janë dy shqetësimet që Banka Botërore evidenton në  lidhje me mënyrën se si qeveria shqiptare po menaxhon ekonominë e vendit . Në konferencën e radhës për shtyp për të prezantuar raportin e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore rreshtohet në anën e FMN-së dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që kritikojnë qeverinë shqiptare për investimet përmes Partneritetit Publik Privat, sidomos me ofertë të pakërkuar.

“Përdorimi i PPP-ve është i lartë e veçanërisht me ofertën e pakërkuar. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave; të monitorohen PPP-të me kujdes dhe të ketë transparencë e jo favorizime”- u shpreh Banka Botërore.

Rritja vjetore e PPB-së për vitin 2018 parashikohet të jetë 4% nga Banka Botërore nga 3,8% për shkak se natyra favorizoi me reshje. “Prodhimi i energjisë elektrike nga burimet hidrike pothuajse u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, për shkak të reshjeve të shumta. Turizmi po i jep një shtysë të fortë rritjes së eksporteve të shërbimeve. Rritja e punësimit, pagave dhe kredive vijojnë të nxisin konsumin privat. Ndërkohë që investimet private po ngadalësohen me përfundimin e  dy projekteve të mëdha të energjisë të financuara nga investimet e huaja direkte, shpenzimet e larta publike në infrastrukturë po mbështesin rritjen e investimeve totale. Rigjallërimi i ekonomik i Shqipërisë në gjysmën e parë të vitit 2018 pritet të vijojë edhe në gjysmën e dytë të vitit.”- ka sqaruar Banka Botërore në lidhje me parashikimet për Shqipërinë duke vlerësuar daljen në tregjet ndërkombëtare të Eurobondit shqiptar, por duke theksuar se nuk është e vetmja provë për performancën pozitive të ekonomisë shqiptare.

Borxhi publik

Banka Botërore tërheq vëmendjen po ashtu si institucionet e tjera ndërkombëtare FMN, Komisioni Europian, etj për Borxhin Publik. Sipas Bankës Botërore, pavarësisht performancës së mirë ekonomike dhe parashikimeve pozitive në afatshkurtër, Borxhi Publik i Shqipërisë mbetet ende shumë i lartë dhe më i larti në rajon.

Në vitin 2018, deficiti fiskal i Shqipërisë sipas BB-së, parashikohet të ruajë nivelin 2 për qind të PBB-së. Të ardhurat fiskale pritet të rriten me 0.3 për qind të PBB-së. Rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave kombëtare kompensojnë për nivelin më të ulët se parashikimi i të ardhurave nga TVSH-ja dhe vonesat në fillimin e aplikimit të taksës së re të pronës. Në mënyrë të ngjashme, shpenzimet publike parashikohet që të rriten me 0.3 për qind të PBB-së, me një rritje prej 22.5 për qind të shpenzimeve kapitale, kryesisht për infrastrukturën, të cilat do të tejkalojnë rënien e transfertave korrente. Balanca fiskale neto parashikohet të mbetet e pandryshuar në 2018. Në përputhje me rregullin fiskal borxhi publik pritet të bjerë nga 71.6 për qind e PBB-së në 2017 në 69.5 për qind në 2018. Mbiçmimi i kursit të këmbimit pritet të mbajë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në një nivel pak më të ulët se vitin e kaluar, edhe pse financimi i jashtëm pritet të rritet.

Eurobondi

Banka Botërore u shpreh optimiste për emetimin dhe daljen në treg të eurobondit shqiptar ditën e martë duke theksuar se është në linjë me menaxhimin e borxhit nga qeveria shqiptare. Por sipas BB-së është e pamjaftueshme si indikator për performancën pozitive të ekonomisë shqiptare.

Banka Botërore theksoi se konsolidimi fiskal afatgjatë është prioritet si parakusht për rritjen ekonomike. Ajo i sugjeroi Qeverisë racionalitet në shpenzimet publike dhe  eficcencë në mbledhjen e të ardhurave. Mbi të gjitha, Banka Botërore theksoi domosdoshmërinë e reformave strukturore për të cilat është në mëbshtetje të qeverisë.

Paketa fiskale

Banka Botërore u shpreh se do të vëzhgojë në vazhdim ecurinë e paketës fiskale dhe ndikimin e saj. Për BB, ccdo ndryshim që prek të ardhurat apo shpenzimet duhet parë se çfarë hapësirash krijon apo ngushton në buxhet. Gjithsesi, tha BB, prioritet i qeverisë mbetet konsolidimi fiskal.

Largimi i bankave dhe shitja e Telekom Albania

Banka Botërore e sheh si proces normal bashkimin apo largimin e filialeve të Bankave të vendeve të BE-së nga Shqipëria si rezultat i shtrëngimit të masave nga Banka Qëndrore Europiane. Sipas BB-së procesi duhet të monitorohet me kujdes nga autoritetet kompetente në të dy rastet; si në shitjen e bankave, edhe të Telekom Albania dhe theksi duhet të vihet tek konkurrenca. “Transaksionet të ndjekin rregullat e tregut”- u shpreh BB.

Skema e Ndihmës Ekonomike

Banka Botërore pranon se ka patur probleme me skemën e ndihmës ekonomike, por nënvizon se procesi është në ndjekje dhe qeveria shqiptare vazhdon të ketë mbështetjen BB-së në këtë drejtim. Sipas BB-së, në janar skema u aplikua në gjithë Shqipërinë dhe cdo vit në bazë të buxhetit të shtetit qëllimi është të përfitojnë më të varfrit. Banka Botërore këmbëngul se skema do të vazhdojë të pastrohet nga personat që nuk e meritojnë të jenë në skemë sipas kritereve.

Perspektiva

Ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5 për qind në 2019-2020, ndërkohë që dinamizmi i rritur ekonomik gradualisht mbyll boshllëkun e prodhimit. Rritja ekonomike do të mbështetet gjithnjë e më shumë në konsumin privat, i nxitur nga rritja e të ardhurave nga punësimi, dhe në eksportet neto, të nxitura nga rritja e kërkesës së huaj dhe rritja e aksesit në treg. Në rritjen ekonomike do të kontribuojnë gjithashtu dhe investimet publike dhe private, pasi qeveria po vijon të investojë në infrastrukturë dhe mjedisi i biznesit po përmirësohet.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë