Drejtësia

Afatet e paraburgimit, Apeli i GJKKO-së rrëzon ankimimin e Erion Veliajt

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit, bendosi këtë të mërkurë të rrëzojë kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Më herët, shqyrtimi i kësaj kërkese u pamundësua javën e kaluar prej një parregullsie në njoftimin e Veliajt pasi fletëthirrja nuk ishte firmosur nga drejtori i burgut të Durrësit.

Afatet e paraburgimit u pezulluan prej shtyrjes së procesit gjyqësor nga ana e avokatëve dhe disa problematikave të tjera që lidhen me kërkesat e mbrojtjes.

Një ditë më parë, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, reagoi ashpër për mënyrën se si po zhvillohet gjithë procesi gjyqësor ndaj klientit të tij.

Ai theksoi se është kërkuar që në sallën e gjyqit të paraqiten 35 fashikuj me prova digjitale (CD/USB), të cilat ende rezultojnë të pahapura dhe të pavlerësuara, edhe pse mbi to është marrë vendim nga gjykata.

Sipas Ndrecës, këto prova nuk i janë vënë asnjëherë në dispozicion mbrojtjes dhe vetë Veliaj nuk ka pasur mundësi teknike të njihet me to.

Ai akuzon gjykatën se ka refuzuar të verifikojë gjendjen e provave, duke mos i sjellë ato në seancë dhe duke i konsideruar të ezauruara afatet për shqyrtimin e tyre.

Erion Veliaj u vu në pranga më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.

Hetimet vijojnë në kuadër të një dosjeje të zgjeruar për korrupsion dhe pastrim parash, në të cilën janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë